“Vit sakrificash, gara ishte e vështirë deri në… shkurt”, Bicaj: Premio? Idrizi, një zotëri i vërtetë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2022 | 14:13

“Vit sakrificash, gara ishte e vështirë deri në… shkurt”, Bicaj: Premio? Idrizi, një zotëri i vërtetë!

Ditmar Bicaj rrëfen sakrificat e sezonit, ndërsa i sheh vlonjatët në Superiore në vitin 2023. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi beson se projekti i Sinan Idrizit do rikthimin e Flamurtarit. Lezhjani nuk ka asnjë mëdyshje as për finalen e 8 majit, ndërsa paralajmëron se do ta marrin ata kupën e Kategorisë së Dytë.

ditmar bicaj

Flamurtari u ngjit në Kategorinë e Parë tashmë, jeni më të qetë?

Ishte një vit sakrificash. Fushat ishin shumë të vështira. Ishte hera e parë që militonim në këto fusha dhe në këtë ligë gjithashtu. Për ne asgjë nuk ka qenë e lehtë. Por nga të gjithë lojtarët ka pasur seriozitet dhe përkushtim. Falënderoj të gjithë ekipin, stafin teknik por edhe presidentin Sinan Idrizi që na ka qëndruar gjithmonë pranë.

Sa të vështirë e keni pasur militimin gjatë këtij kampionati?

Kampionati ka qenë i vështirë deri në shkurt, ku kishim një rival shumë të afërt si Labëria, që i përgëzoj për kampionatin e mirë që kanë bërë. Por pas fitores që kemi arritur bindshëm në shtëpi me Labërinë, nuk ka qenë e vështirë. Thjesht në çdo ndeshje kemi bërë detyrën, pa shumë sforco.

Të dielën luani finalen e fundit në këtë ligë dhe përballë do të keni Luzin. Do ta fitoni këtë trofe?

Luajmë me Luzin që është shpallur kampion në grupin tjetër. Do jetë një ndeshje e fortë. Megjithatë, unë jam shumë i bindur që do të fitojë Flamurtari.

E keni ndarë mendjen për vitin tjetër? A do qëndrojë Bicaj në Vlorë?

Po, po, patjetër që do të qëndroj. Do jem në Vlorë edhe në Kategorinë e Parë. Unë i jam bashkëngjitur Flamurtarit në një moment të vështirë. Kam ardhur me dëshirën më të madhe për këtë ekip dhe në këtë qytet ku kam gjetur shumë mikpritje. Kështu që, do jem përsëri pjesë e Flamurtarit me shumë dëshirë.

Kur e parashikoni Flamurtarin në Superiore?

Projekti ynë është shumë serioz dhe jemi në rrugën e duhur që në vitin 2023, 100-vjetorin e klubit ta festojmë në elitë. Ndaj dhe bashkëpunimi im me Flamurtarin do të vazhdojë për të arritur këtë objektiv.

Klubi ju ka shpërndarë nga 5 milionë lekë për ringritjen. Si e vlerësoni këtë shpërblim?

Dua ta falënderoj publikisht presidentin Sinan Idrizi që na ka qëndruar shumë pranë. Ka qenë shumë korrekt me ne, një zotëri i vërtetë. Shpresoj që t’ia shpërblejmë me rezultate në Kategorinë e Parë dhe ta rikthejmë Flamurtarin shumë shpejt në Superiore.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"