Vila pohon se vetëm fitorja i kënaq durrsakët ndaj Skënderbeut: Jemi në formë, Teuta i ka treguesit më mirë se vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2021 | 14:18

Vila pohon se vetëm fitorja i kënaq durrsakët ndaj Skënderbeut: Jemi në formë, Teuta i ka treguesit më mirë se vjet

Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri Teutës. Ekipi i drejtuar nga trajneri Edi Martini, përveçse ka pasur mundësinë të përgatitet më së miri sa i përket rritjes së formës fizike, ka edhe kohën në dispozicion për të qenë një grup në harmoni. Mesfushori i skuadrës durrsake, Emiljano Vila, në një intervistë për “Panorama Sport” ka analizuar gjendjen e Teutës, ndërsa ka shprehur dhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë ndaj Skënderbeut në kampionat, por më parë kanë për të mbyllur llogaritë e turit të dytë të Kupës me Korabin, ku hapin e parë të kualifikimit e kanë hedhur në Peshkopi.

emiljano vila

Emiljano, sa i ka shërbyer “pauza” e kampionatit Teutës?

Gjatë kësaj periudhe jemi munduar që të bëjmë një përgatitje sa më të mirë, për të qenë në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Skënderbeut në kampionat. Lojtarët janë të karikuar dhe të motivuar për fitore, çka është ajo që ne na intereson. Do të luajmë për 3 pikë dhe pse jo në fushën tonë, pasi është rezultati që na shkon më shumë përshtat. Gjithsesi, më parë duhet të konfirmojmë kualifikimin në Kupë ndaj Korabit, të cilin e kemi mposhtur në duelin e parë në Peshkopi.

Si është gjendja e skuadrës para këtyre dy sfidave të javës që vjen?

Jemi të kënaqur me paraqitjet që ka bërë skuadra, si në seancat stërvitore ashtu edhe në ndeshje. Kemi marrë më shumë pikë se një sezon më parë dhe kemi bërë ndeshje të mira, përveç dy ndeshjeve të fundit që s’kemi qenë aty ku duhet. Por, në tërësi jemi mirë. Këto rezultate dhe kjo ecuri na japin shpresë për të arritur objektivin që kemi.

A është vendimtare përballja ndaj Skënderbeut?

Është një ndeshje specifike, por jo vendimtare për ecurinë në kampionat. Është një kundërshtar direkt dhe një fitore do të na afronte edhe më shumë me objektivin, pasi diferenca do të shkonte në një pikë. Pres një ndeshje të vështirë, sepse Skënderbeu ka një ekip të mirë, me elementë cilësorë. Gjithsesi, ne nuk kemi rrugë tjetër përveç fitores, sepse ndryshe rrezikojmë shumë.

vila

Ju kënaq një pikë ndaj korçarëve apo synoni me çdo kusht fitoren?

Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë. Por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses duhet të kalojë shumë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën që t’ia dalim ndaj Skënderbeut.

Keni një kalendar të vështirë në vijim. Me sa pikë do të ishit të kënaqur në 3 sfidat e radhës, ndaj Skënderbeut, Partizanit dhe Vllaznisë?

Nuk mendoj asnjëherë me plane afatgjata. Do të doja që t’i fitonim të gjitha ndeshjet dhe kjo është më se normale. Megjithëse duhet t’i bëjmë planet ndeshje pas ndeshjeje. Duhet të marrim më të mirën në përballjen e parë ndaj Skënderbeut. Normalisht, nëse do të fitonim kundër korçarëve, do të rritet akoma më shumë kërkesa në ekip.

Ndeshjet në vijmë bëhen gjithnjë e më delikate. A i përballon Teuta?

Për ne nuk ka rëndësi kush është përballë, ajo që vlen është që të futemi në çdo ndeshje për të marrë pikët e plota. Në çdo ndeshje duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë të Teutës, atë që presin të shohin të gjithë. Ekipi është përgatitur për të treguar maksimumin e vet dhe për të dhënë 100%.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"