Vila kërkon fitoren për të kaluar ngërçin e startit: Teuta e vërtetë nis nga suksesi me Bylisin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2022 | 13:51

Vila kërkon fitoren për të kaluar ngërçin e startit: Teuta e vërtetë nis nga suksesi me Bylisin!

Teuta është “e dënuar” të fitojë ndaj Bylisit, pasi kërkon me çdo kusht të bëj autokritikën e humbjes në javën e parë në Laç. Kapiteni i Teutës, Emiljano Vila, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” 24 orë para ndeshjes së javës së dytë ndaj Bylisit, u shfaq optimist, teksa theksoi se është momenti për të dhënë maksimumin ndaj ballshiotëve. Disfata me kurbinasit nuk e ka ulur moralin dhe kapiteni beson se durrsakët do të gjejnë forca për t’i kthyer më të fortë.

EMILJANO VILA

Pas humbjes në Laç, si e shikoni Teutën kapiteni Vila?

Normal që pas asaj disfate çdokush mendon se morali ka rënë, por nuk besoj se është kështu. Ekipi është gati dhe jemi më të motivuar. Sigurisht, kjo javë na dhuron një ndeshje shumë të rëndësishme për ne, për vetë faktin se duhet të fitojmë dhe të jemi brenda objektivave.

A është e motivuar skuadra për të ndryshuar gjendjen?

Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër rezultatet jo të mira, sjellin edhe ngërçin psikologjik. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kalojmë këtë pengesë me lojë të mirë dhe rezultat pozitiv, duke filluar që nga ndeshja e radhës me Bylisin.

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Bylisit?

Na pret një përballje e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet. Ne kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresoj që do t’ia dalim mbanë.

Si e shikoni kundërshtarin, pasi kanë bërë shumë ndryshime?

Jemi të vetëdijshëm që është një skuadër që ka bërë mirë. Skuadër e fortë dhe që ka në përbërje elementë të rëndësishëm. Gjithsesi, Teuta ka objektivat e saj dhe si ekip synojmë më të mirën.

Deri ku mund të shkojë Teuta këtë sezon dhe a mund të jetë në treshen e parë?

Jemi vetëm në fazën e ndeshjeve të para të kampionatit. Na presin sfida të vështira, por unë mendojë që t’i harrojmë për pak objektivat që kemi, pasi kemi shumë ndeshje përpara. “Lufta” duhet përqendruar vetëm te ndeshja e radhës me Bylisin, që duhet kaluar me sukses.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"