Vijon derbi për Asllanin, Milani dhe Interi projektojnë të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 9:26

Vijon derbi për Asllanin, Milani dhe Interi projektojnë të ardhmen

Kristjan Asllani është vetëm 20 vjeç, por pas një faze të dytë fantastike me Empolin, ka marrë vëmendjen e klubeve më të mëdha të Italisë.

ASLLANI

Milani dhe Interi pasi kanë përfunduar duelin për kampionatin, kanë nisur një tjetër përballje, atë të merkatos, pikërisht për mesfushorin shqiptar.

Djaloshi nga Elbasani pëlqehet shumë nga Simone Inzagi që e vlerëson si idealin për të qenë alternativa e Marselo Brozoviçit.

Një lojtar i ri, i talentuar, që të garanton të paktën 12 paraqitje niveli si titullar, e kanë bërë Kristjanin të jetë më se i lakmuar nga zikaltrit, që përveç këtyre vlerësojnë edhe përkushtimin e tij në fushë.

Asllani vrapon shumë, me një mesatare prej 11 kilometrash për ndeshje, normalisht më pak se Brozoviç, por më shumë se Barela. Me të Interi i shton një tjetër motor mesfushës, duke e bërë një opsion jo vetëm për të tashmen, por një investim të zgjuar edhe për të ardhmen.

MILANI – Fakti që Asllanit i pëlqen të ketë topin në këmbë dhe di të luajë para mbrojtjes, kanë bërë që edhe kuqezinjtë të ndjekin me interes shqiptarin.

Më shumë se për kontributin në gola, Milani kërkon të gjejë te mesfushori regjisorin që t’u japë jetë manovrave dhe me largimin e Kesit drejt Barcelonës, hapësira nuk do t’i mungojë.

Nëse të gjithës i shtojmë faktin që jo pak herë është pozicionuar si numër 10 tek Empoli, duke shfaqur fantazi dhe teknikë, “Djalli” mund të detyrohet të hapë thesin për 15 milionë eurot e kërkuara nga Empoli.

Interi është i favorizuar edhe për shkak të marrëdhënieve të mira me Empolin dhe kërkon ta mbyllë shpejt tratativën, ndoshta duke përfshirë edhe Espoziton ose Satrianon, ndërkohë që nga ana tjetër Milanit i ngelet të joshë lojtarin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"