Vijnë pronarët e rinj, 10 këshillat falas për anglezët e Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 20:12

Vijnë pronarët e rinj, 10 këshillat falas për anglezët e Elbasanit

Klubi i futbollit të Elbasanit do të kalojë në pronësi të anglezëve, të cilët edhe pse kanë afro një vit që ikin e vijnë nga qyteti, ndoshta nuk kanë mësuar gjithçka për “huqet” në këtë qytet. “Panorama Sport” mundohet t’u japë 10 këshilla miqësore pronarëve të rinj, për t’ia kaluar sa më mirë dhe pse jo të arrijnë rezultatet e duhura. “Zemrat” e tifozerisë mund t’i fitojnë nëse marrin titullin kampion dhe ata do ua shpërblejnë me një stadium të mbushur plot. Sharjet dhe pakënaqësitë në drejtim të tyre duhet t’i kalojnë me qetësi, të sillen tamam si anglezë.

Elbasani

1-Që pas rindërtimit të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, i cili tani quhet “Elbasan Arena”, klubi nuk ka më një zyrë. Do të ishte e udhës që të paktën klubi të ketë zyrën e tij.

2-Qytetarët e Elbasanit nuk do ta harrojnë për disa vite faktin që ranë në Kategorinë e Dytë. Mos u mërzisni sikur fajin t’jua vendosin juve, meqë skuadra ra nga kategoria pikërisht atëherë kur morët administrimin e klubit.

3-Çfarëdo të bëni në Elbasan, ku edhe mund të arrini rezultate pozitive, gjithnjë krahasimin do jua bëjnë me vitin 2006, kur skuadra u shpall kampione e vendit për herë të dytë në histori.

4-Nëse një ditë fati e do që të shpalleni kampionë, në Elbasan titulli festohet me një autobus të hapur. Duhet të bëni llogaritë që të keni gati edhe një të tillë në të ardhmen.

5-Nëse skuadra nuk merr rezultatet e pritura, do ju kujtojnë menjëherë paratë. Edhe nëse do ndërtoni një ekip me paga të larta dhe pa probleme pagesash, sërish do thonë që klubi nuk ka para, prandaj është dobët.

6-Mos u habisni kur të shihni stadiumin e boshatisur në ndeshje, pasi në Elbasan nuk vijnë ta shohin skuadrën po qe dobët. Nëse ndërtoni skuadër për titullin kampion, mos u habisni nëse nuk shihni vende bosh.

Elbasani

7-E mira do të ishte që të kishit një zëdhënës shtypi, në mënyrë që të mos merreni vetë me çdo deklaratë apo dhe rrjetet sociale. Do ju heqë një barrë të madhe nga punët e përditshme.

8-Ndoshta nuk e dini ç’domethënie ka 14 Marsi në Elbasan, por duhet të luteni që në këtë datë mos të keni ndeshje. Një ditë më parë lojtarët kanë festuar gjithë natën.

9-Do të ndodhë që nëpër emisionet sportive në mediat lokale edhe mund t’ju shajnë. Nuk e kanë bërë deri më tani pasi në Elbasan gjithsecili njeh gjithkënd, por juve nuk ju njeh njeri. Gjithsesi mos u mërzisni, mund të miqësoheni edhe ju shpejt…

10-Këshilla e fundit: “Panorama Sport” nuk do t’jua përtojë t’jua numërojë gabimet nëse do të keni. Megjithatë, mos u shqetësoni, ju vini nga një vend që mediat nuk jua përtojnë t’ju tregojnë edhe se çfarë bëni në banjë…

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"