“Vigjilenca nuk duhet ulur, goli nuk ishte rastësi”, Diop: Kjo është Apolonia, tentojmë vendin e tretë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2022 | 11:16

“Vigjilenca nuk duhet ulur, goli nuk ishte rastësi”, Diop: Kjo është Apolonia, tentojmë vendin e tretë!

Apolonia i dha leksion Bylisit. Jo vetëm që i shënoi tre gola, por e rrëzoi nga “froni”. Bardhejeshilët kanë hedhur një hap të sigurt drejt “play off”-it, por Ismail Diop tregohet racional. Kapiteni kujton se janë edhe 18 pikë në lojë, ndaj vigjilenca nuk duhet ulur. E quan provë force fitoren përballë kryesuesve dhe rrëfen se golin i tij me kokë nuk është rastësi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi analizon me detaje atë që ngjau në “Loni Papuçiu”, por flet edhe për 6 javët e mbetura.

ISMAILA DIOP 1

Mundët 3-0 Bylisin, një ekip që në 23 javë kishte pësuar vetëm 9 gola. Çfarë do të thotë kjo për Apoloninë?

Treguam kush është Apolonia. Një ekip që ka cilësi në organikë dhe mund të ndalë edhe kryesuesit. Ishte një fitore shumë e bukur, por mbi të gjitha e rëndësishme. E dominuam kundërshtarin dhe rezultati flet vetë. Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga mbyllja e kampionatit, tashmë morali dhe besimi është më i lartë. E dimë që gara nuk do të jetë e lehtë, por po japim maksimumin në fushën e lojës.

Gjetët golin e dytë sezonal dhe sërish me kokë. Rastësi?

Jo, nuk është rastësi. Punoj në stërvitje çdo ditë për të perfeksionuar gjuajtjet me kokë. Dhe mendoj se ia kam dalë (qesh). Kur shënoj, jo më kot festoj te pankina, sepse secili prej tyre më ka ndihmuar të përshtatem më shpejt në këtë klub. Jam shumë i lumtur për gjithçka, sidomos për paraqitjen tonë në fushën e lojës. Po bëjmë shumë sakrifica për ta mbajtur skuadrën përpara.

Ky ekip është transformuar në fazën e dytë. Çfarë ka ndryshuar?

Fillimisht kemi shtuar dozën e stërvitjes dhe po punojmë me idenë e qartë për të kapur elitën. Së dyti, është trajneri. Nuk flas vetëm për aftësitë e tij në trajning, por motivimin që na jep, Juri Kanarsa na qëndron shumë afër edhe kur humbasim. Durimi i tij ka bërë që ne sot të jemi këtu ku jemi. Nga java në javë kemi dalë në lojën që Kanarsa dëshiron, pasi e kemi kuptuar edhe filozofinë.

ISMAILA DIOP 2

Merrni më shumë pikë në ndeshjet në shtëpi. Çfarë ndikon që Apolonia fiton dhe luan më qetë në stadiumin e saj “Loni Papuçiu”?

Ndikojnë tifozët tanë dhe mbështetja që na japin. Ndihemi të qetë psikologjikisht dhe luajmë më mirë ndaj kujtdo kundërshtari. Ndeshja e fundit e vërtetoi shumë mirë, që Apolonia është një kockë e fortë për kundërshtarët. Gjithashtu, fierakët sikur pozicionohen më mirë në repartet e tyre dhe secili prej nesh jep më të mirën e tij.

A do ta ruani vendin e 4-t deri në fund?

Nuk duhet të na kapë euforia dhe as të mendojmë se gjithçka mbaroi. Janë edhe 18 pikë në lojë dhe nuk duhet të ulim vigjilencën. Hodhëm një hap të rëndësishëm për vendet e “play off”-it, por asgjë nuk është vendosur. Ruajtja e vendit të 4-t është më e pakta për ne, sepse matematika na lejon të mendojmë edhe të tretin.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"