Videoja, një propozim i turpshëm dhe një heshtje e rrezikshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2017 | 16:53

Videoja, një propozim i turpshëm dhe një heshtje e rrezikshme

Futbolli shqiptar ka shfaqur në dy ditët e fundit një tjetër fytyrë të tijën. Atë të errëtën, që fatkeqësisht vërteton çfarë është thënë e shkruar shpesh gjatë viteve të fundit, për futbollin që luhet jashtë fushe, jo për atë 11 kundër 11 brenda kuadratit magjik.

partizani kukesi jug

Dikush pranë klubit të Partizanit ka filmuar një personazh të lidhur me Kukësin, duke i bërë një propozim të turpshëm futbollistit të klubit të kuq, për të toleruar në ndeshjen direkte mes dy skuadrave që rivalizojnë për titull. Nuk është një personazh dosido, ndonëse klubi verilindor e mohon lidhjen me të. Është pikërisht ai që menaxhon tre futbollistë kyç të këtij klubi, ndërsa e ka përfaqësuar edhe në mbledhjet e ECA-s, organizatës që bashkon klubet europiane dhe ku Kukësi mburret se është anëtar. Por kjo është thjesht dytësore.

partizani kukesi

Përmbajtja e videos sheh personazhin në fjalë t’u kërkoj futbollistëve të Partizanit të ndihmojnë Kukësin të fitojë ndeshjen direkt, në këmbim të një “çeku të bardhë”. Përmbajtja dhe vërtetësia e videos nuk vihet në dyshim. Persona të ndryshëm të “Panorama Sport” kanë parë këtë video dhe nuk ka asnjë vend për dyshim rreth identitetit të personave të përfshirë.

Me pak fjalë, gjendemi përballë një krimi të faktuar me zë e figurë. Një person, me apo pa dijeninë e klubit me të cilin bashkëpunon, u ofron para dy futbollistëve për të toleruar një ndeshje futbolli. Në shtetin shqiptar, në dijeninë tonë, ka ligje që rregullojnë raste të tilla që klasifikohen si ryshfet apo edhe mashtrim. E thënë më thjesht, kjo video është një provë krimi.

"Reagimi" i vetëm i Partizanit

“Reagimi” i vetëm i Partizanit

Por ka një problem “të vogël”, por shumë të rëndësishëm. Partizani, që zotëron videon, për momentin hesht. Në fakt ka heshtur që prej ditës kur kjo video është regjistruar.

Personat që e kanë në zotërim thjesht e kanë “ekspozuar” si shembull të asaj që ndodh. Por as nuk kanë ndihmuar për të sqaruar opinionin e gjerë nëpërmjet publikimit të saj dhe as nuk kanë ndërmarrë hapin më logjik të mundshëm: t’u drejtohen dyerve të Prokurorisë dhe ta dorëzojnë aty ku e ka vendin kjo “provë krimi”.

Në mos hapi i parë, hapi i dytë është i detyrueshëm. Partizani ua ka borxh atë të gjithë tifozëve të vet, të cilëve prej disa vitesh u ka premtuar ndershmëri deri në fund dhe luftë kundër “sistemit” që ka ndotur futbollin në vendin tonë. Edhe ata duhet të kujtohen se edhe moskallëzimi i një krimi të bën bashkëfajtor. Pas dy viteve duke luftuar “sistemin”, kushedi se si do t’u duket të zgjohen një ditë dhe ta shohin veten pjesë të tij…

Qëndrim redaksional

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"