Videoja e hoxhës me priftërinjtë, qeveria: Të mos përsëritet më!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2017 | 14:07

Videoja e hoxhës me priftërinjtë, qeveria: Të mos përsëritet më!

Veprimi i dy lojtarëve të Kombëtares, të cilët u shfaqën në një video duke bërë humor me përfaqësuesit e klerit ortodoks, është bërë objekt diskutimi jo vetëm në rrethin e sportdashësve, por edhe të institucioneve shtetërore. Andi Lila dhe Armando Sadiku, së bashku me hoxhën Ahmed Kalaja u përfshinë në një videoskandal të shfaqur në rrjetet sociale, duke tallur priftërinjtë.

andi lila ahmed kalaja gold ag

Gold AG, Ahmed Kalaja, Andi Lila

Në lidhje me përmbajtjen e këtij filmimi, Kalaja mund të përballet me masa të Komunitetit Mysliman. Nëse dy futbollistët ia hodhën “paq”, qeveria ka shprehur shqetësim për mesazhet e përcjella në video nga imami Ahmed Kalaja. Burime të besueshme për “BalkanWeb” nga Komuniteti Mysliman kanë bërë me dije se dy ditë më parë Komiteti Shtetëror për Kultet i ka kërkuar këtij institucioni zyrtarisht me anë të një letre që të mos përsëriten më të tilla qëndrime.

“Duke e vlerësuar këtë mesazh të dëmshëm për harmoninë fetare në vend, këtë vlerë të vyer dhe të trashëguar ndër breza të kombit tonë, kërkojmë nga ana e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë bashkëpunim të plotë me qëllim që shfaqje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”, thuhet në letrën e Komitetit Shtetëror të Kulteve, drejtuar KMSH-së.

Kujtojmë se pas publikimit të videos dhe debatit që ajo shkaktoi në opinionin publik, imami Ahmed Kalaja me anë të një postimi në “Facebook” kërkoi ndjesë për gjithçka ka ndodhur. Ai theksoi se nuk do t’i lejonte kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e tij për klerikët apo pjesëtarë të komuniteteve të tjera fetare të ishin në kundërshtim me mësimet e Islamit. Por duket se as ndjesa publike nuk u ka mjaftuar autoriteteve shtetërore që të kërkojnë nga Komuniteti Mysliman penalizimin e tij.

Komuniteti Mysliman: E dënojmë, nuk do lejojmë të përsëritet

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dënuar videon e dy futbollistëve shqiptarë, Andi Lila dhe Armando Sadiku, të cilët denigronin një prift ortodoks dhe flisnin me përçmim dhe tallje ndaj riteve të krishtere, në të cilën shfaqet edhe imami Ahmed Kalaja.

REAGIMI

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, si një institucion i promovimit të vlerave të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, ka ndjekur me shqetësim publikimin e ndodhur disa ditë më parë, ku gjatë një bashkëbisedimi jo të kujdesshëm të shfaqur në mediat sociale midis dy futbollistëve të kombëtares dhe një imami, u la vend për keqkuptim dhe lëndim të ndjenjave dhe besimeve të tjera fetare.

Rastin në fjalë e dënojmë dhe do trajtohet me seriozitetin maksimal nga Kryesia e Komunitetit Mysliman me synim që raste të tilla të mos përsëriten. Duke vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm dhe korrekt me Komitetin Shtetëror të Kulteve, sqarojmë opinionin publik se bashkëndajmë shqetësimin e këtij institucioni, shprehur edhe me shkresën e fundit, në lidhje me ruajtjen dhe moscenimin e traditës së shquar të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, vlerë e vyer kjo e trashëguar ndër vite”.

Tashmë, pritet që të verifikohet kërkesa nga Komiteti Shtetëror për Kultet dhe vetë institucioni i Komunitetit Mysliman të vendosë për hoxhën në lidhje me shfaqjen e tij në atë video, e cila solli edhe reagimet e klerit ortodoks.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"