Video+Foto/ Ka një bahçe para shtëpisë, Peposhi i Bylisit: Kur u mbyll liqeni…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 24, 2020 | 13:30

Bylis FB Lajmi i fundit LAJMI KRYESOR Video

Video+Foto/ Ka një bahçe para shtëpisë, Peposhi i Bylisit: Kur u mbyll liqeni…

Ardit Peposhi është një nga titullarët e Bylisit, duke qenë lojtar stabël i formacionit në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ky është sezoni i dytë që luan me ballshiotët në Superiore, por i treti në total me Bylisin, pasi një vit ka qenë pjesë e ekipit në Kategorinë e Parë.

Peposhi556

Ndryshe nga lojtarët e tjerë, në këto ditë izolimi Peposhi ka një përparësi pas ndërprerjes së garës. Ai ka një hapësirë të bollshme para shtëpisë, më saktë një bahçe që të krijon idenë e një fushë të mirëfilltë fuutbollin. Peposhi ka edhe vëllain futbollist, pikërisht Ergysin, i cili luan me Elbasanin. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Ardit Peposhi flet per ditët pa futboll, stërvitjen, por jo vetëm.

Ardit, si është kjo periudhë për ju?

Të them të drejtën shumë e vështirë, sepse nuk na rrihet pa u stërvitur dhe pa luajtur. Nëse në verë apo janar mund të bëjmë ndonjë kalçeto në ditët e pushimit, tani është shumë më keq, pasi s’mund të dalësh dot.

Si ja keni bërë pas largimit nga Ballshi?

Po fillimisht vrapime nga Liqeni Artificial, bashkë edhe me vëllanë, që është 19 vjeç dhe luan me Elbasanin. Por, na u mbyll edhe liqeni dhe realisht nuk e menduam se do shkonte kaq gjatë. Unë kam 15-16 vite që luaj futboll dhe kjo është situate më e pazakontë.

Po me shokët e skuadrës keni folur?

Po, me te gjithë, sepse e veçanta jonë në Ballsh është se jemi bashkë prej vitesh dhe shkojmë shumë mirë. Por, edhe të huajt që janë aty i mbajmë afër edhe ata e ndiejnë ngrohtësinë tonë.

Çfarë bën i izoluar në shtëpi, a keni kushte për t’u stërvitur sadopak?

Po, unë kam fat që babai na ka krijuar kushtet. E merrnim si me shaka qe kur ishim të vegjël, sepse na thoshte që këtë pjesë të shtëpisë do të luani futboll. Ai është pasionant dhe na kërkon shumë, si mua dhe vëllait. Por, ja si vjen koha. Bashkë me vëllanë stërvitem përpara shtëpisë në bahçen që tashmë e kemi kthyer si kalçeto. Aty bëjmë vrap, xhonglime apo xhiro me biçikletë sa të mbajmë trupin në formë.

shtepia peposhit logo

Kush stërvitet më shumë, ju apo vëllai?

Unë jam më i madh, duke qenë se kam më shumë eksperiencë jam edhe si trajner për Ergysin. Gjithsesi, vëllai është një lojtar me shumë të ardhme. Ai ma kalon vetëm për faktin sepse bën më shumë xhonglime të topit se unë.

Do të ndikojë kjo periudhë në formën e lojtarëve?

Po, normalisht do të ndikojë. Mendoj se mua dhe vëllait s’na mungon asgjë, përvecc stërvitjes në grup, sepse ushtrimet jemi duke i vijuar me program. Ky është fat shumë i madh.

Keni një mesazh pas kësaj situate të pazakontë…?

Të ruhemi sa më shumë në këtë periudhë. Ta bëjmë këtë sakrificë edhe disa ditë në të mirën tonë. Forca Bylisi!

 

ERJON SALIU




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com