VIDEO / Xhixha mjafton ndaj Dinamos, Tirana vazhdon dominimin në derbi dhe kryesim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2022 | 23:59

VIDEO / Xhixha mjafton ndaj Dinamos, Tirana vazhdon dominimin në derbi dhe kryesim

Tirana ka fituar një tjetër derbi të kryeqytetit, teksa ka mundur me shifrat 1-0 Dinamon në ”Air Albania”. Ekipi I Shehit ka marrë tre pikë shumë të rëndësishme në luftën për titull, pasi vazhdon të ruajë distancën prej 6 pikësh nga ndjekësit më të afërt në klasifikim.

bandicam 2022-01-24 19-44-53-567

Pjesa e parë e sfidës dhuroi pak raste për t’u shënuar, me skuadrat që menduan më shumë që të evitonin rreziqet para portave të tyre. Në pjesën e dytë ritmi u rrit, me më shumë raste e emocione, ndërsa diferencën e bëri vetëm goli i Xhixhës, i cili u shfaq para SImonit dhe ndëshkoi për herë të parë djaloshin që mbron katërkëndorin e bluve në këtë kampionat.

Dinamo u mundua të barazonte rezultatin, por nuk ia doli, duke iu kthyer përsëri humbjeve në kampionat dhe duke ndjerë përsëri trysninë e skuadrave që e ndjekin.

Nëse keni vështirësi për të parë videot duke u futur nga Facebook, ju lutem lexoni lajmet duke u futur nga faqja e web KËTU ose aplikacioni i Panorama Sport.

DINAMO-TIRANA 0-1
69′ Xhixha

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Tiranës.

90’+4’ Harkime të njëpasnjëshme të bluve, Denison provon përsëri por Bekaj është në pozicion.

90’+1’ Denison provon roveshatën pas një topi të gjatë, sfera përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën në të majtë të Bekajt.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

87’ Xhixha nuk mund të vazhdojë më dhe zëvendësohet nga Zhivanaj.

84’ Eni Imami del në ndihmë të sulmit dhe provon nga jashtë zonës, por nuk gjen katërkëndorin duke fluturuar sferën në tribunë.

80’ Mundësi e mirë për të dyfishuar e Tiranës me Gjumsin i cili merr topin në zonë, por pastaj Simoni del dhe në dy kohë kontrollon sferën para sulmuesit.

78’ Totre del nga fusha e lojës duke i bërë vend Hotit te Tirana.

75’ Edhe Mihana në fushë për blutë, me Demirin i cili i lë vendin.

71’ Përgjoni dhe Gjumsi janë alternativat e para të Tiranës, duke marrë vendin e Ismajlgecit dhe Devid. Kurse Shkëmbi zëvendëson Lilajn, duke aktivizuar Siljanovskin.

69’ GOOOL Tirana, Xhixha kalon në avantazh bardheblutë. Sulmuesi shfaqet para Simonit pas pasimit perfekt të Seferit dhe mposht portierin me një devijim të saktë.

66’ Top nga thellësia për Xhixhën i cili me një prekje të lehtë largon Simonin, por shtyn sferën në fundore dhe nuk ka kohën që të gjuajë drejt portës.

63’ Shkëmbi bën lëvizjen e parë duke larguar Bardhin, për të aktivizuar Rexhinaldon.

61’ Toshevski ndëshkohet me karton të verdhë për faull ndaj Denison.

59’ Goditje dënimi spektakolare e Hoxhallarit, sfera ndalet në shtyllën e portës së Simonit.

58’ Bardhi dërgon sferën në rrjetë duke kaluar Bekajn, por më pas goli anulohet me VAR për prekje të topit me dorë të futbollistit të Dinamos.

55’ Xhixha provon me një gjuajtje të fortë pranë zonës, tentativa e tij pritet nga Simoni në pozicion.

46’ Rifillon ndeshja pa ndryshime në radhët e dy ekipeve.

45’+3’Pjesa e parë mbyllet pa gola.

45’+1’ Top nga thellësia për Xhixhën, Simoni del jashtë zonës dhe rrëzon sulmuesin, sferën e merr Seferi i cili gjuan në portën e boshatisur, por mbrojtësit e Dinamos e largojnë topin para se të kalonte vijën fatale. Protesta bardheblu, pasi kërkohet i kuq për portierin, por Hamiti i jep të verdhë duke shpjeguar se nuk ishte lojtari i fundit.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

42’ Seferi merr topin nga e djathta dhe pasi gjen hapësirë në qendër, lëshon një gjuajtje drejt portës. Simoni është përsëri në pozicion dhe kontrollon me qetësi.

39’ Denison duket rreziku kryesor për skuadrën e Tiranës me driblimet dhe pasimet e tij, duke detyruar bardheblutë që ta ndalin vazhdimisht me faulle në mesfushë.

31’ Ndëshkohet edhe Maliqi me karton të verdhë në radhët e Dinamos.

28’ Aksion i Limajt i cili mundohet të gjejë hapësirë në hyrje të zonës për të gjuajtur, por më pas jep topin në të djathtë për Devid. Ky i fundit harkon në qendër dhe gjen të gatshëm aty SImonin i cili kontrollon topin.

26’ Karton i verdhë për Tolin e Hoxhallarin për faullet në të njëjtin aksionin në krahun e djathtë të Dinamos. Bardhi po nisej drejt zonës dhe kapiteni i bardhebluve u detyrua ta ndalte në mënyrë të parregullt.

19’ Ibraimi merr mirë topin në zonë, por më pas mbrojtësit bardheblu largojnë rrezikun duke çuar topin në këndore.

18’ Xhixha gjuan në portë pas një devijimi të gabuar mbrapa të Sofranac. Por goditja e tij është shumë e lehtë për të shqetësuar Simonin.

17’ Seferi kombinon me Xhixhën, duke nxjerrë këtë të fundit para portës, por Imami me devijimin e tij largon rrezikun.

12’ Manovër e ngadaltë në minutat e para me lojën që ndalet disa herë nga faullet e të dy skuadrave.

7’ Bardhi shpërthen në krahun e djathtë dhe hyn në zonë, por Hoxhallari ndërhyn në momentin e duhur dhe bllokon gjuajtjen e tij.

5’ Shkëndija e parë është me një kombinim mes Seferit dhe Devid në krahun e djathtë, me mbrojtjen e Dinamos që largon topin pas pasimit në qendër të brazilianit.

1’ Nis dueli në “Air Albania”.

FORMACIONET ZYRTARE

DINAMO: Simoni, Maliqi, Sofranac, Imami, Samake, Sidibe, Lilaj, Demiri, Bardhi, Ibraimi, Denison.
Trajner: B. Shkëmbi

TIRANA: Bekaj, Toshevski, Najdovski, Hoxhallari, Ismajlgeci, Toli, Totre, Limaj, Xhixha, Seferi, De Silva.
Trajner: O. Shehi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"