VIDEO/ Vuan Reali, Asensio i shpëton nderin në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2018 | 9:11

VIDEO/ Vuan Reali, Asensio i shpëton nderin në fund

Kur skuadra nuk ar rin që të bindë dhe madje të arrijë te rezultatet pozitive me fenomenë si Kristiano Ronaldo, Karim Benzema, Garet Bejl, Marselo e Serxho Ramos, apo edhe Luka Modriç e Toni Kros, nuk është se pritet shumë nga “Reali B” që trajneri Zinedin Zidan kishte vendosur që të hidhte dje në fushën e lojës, por në fund, të paktën atë që nuk kanë bërë në këto javë të fundit yjet e mësipërm, arriti që ta bënte një skuadër e mbushur me të rinj, e cila u dha fitoren madrilenëve, në çerekfinalen e vajtjes, ndaj Leganesit.

Real

Rezultati minimal 1-0 nuk është se ishte gjithashtu i merituar, sepse, përjashtuar një goditje të Kovaçiçit në pjesën e parë, e cila përkëdheli shtyllën e djathtë të vendësve, në të dytën, Realit të Madridit i nevojitej një super Kasija për të mbajtur portën të paprekur dhe për të shmangur humbjen, derisa në minutën e 90-të, një perlë e talentit Asensio zhbllokoi sfidën dhe u dha suksesin kryeqytetasve.

Gjithsesi, Leganesi del me kokën lart nga fusha, sepse arriti që të frikësojë realisht miqtë, ndonëse kjo ishte e kushtëzuar gjithashtu edhe nga mungesat e shumta. Trajneri Zidan vazhdoi me idetë e tija, që në Kupën e Mbretit të jetë skuadra e të rinjve ajo që të jetë protagoniste dhe, në fund, fati ka qenë me të.

Në pjesën e parë, ndeshja ishte shumë e vakët, sepse gabimet e Realit janë gati amatoreske, pasime të thjeshta pa destinacion dhe, për asnjë moment, një aksion i denjë për emrin e kësaj skuadre, edhe pse mund të justifikohet nga rrotacioni tepër i gjerë. Leganesi, nga ana e tij, tentoi të bënte diçka, por nxitimi dhe cinizmi i mundon ata që të dërgojnë në festë tifozët e tyre.

Gjithsesi, në pjesën e dytë, të zotët e shtëpisë kanë një ritëm tjetër, lëshohen me forca të shumta në sulm dhe trembin jo pak, fillimisht me Narranjon në të 56-ën, që detyron portierin Kasija në një mrekulli të parë, ashtu sikurse në të 74-ën, kur Beuve habitet nga reflekset e portieri madrilen.

I vetmi për Realin, që duket se ka dëshirë të luftojë për fitoren, është Asensio (edhe pse në lojë, në pjesën e dytë zbresin edhe Modriç e Isko), të cilit sapo i jepet rasti kërkon portën.

Asensio

Por, nëse shënjestra e tij nuk ishte e saktë në dy tentativa, në të tretën ai nuk do të gabojë, madje do të lërë pa frymë vendësit, sepse goli i tij ishte fenomenal: në të 89-ën, Teo Hernandez zbret në korsinë e majtë dhe kroson në gjysmëlartësi drejt zonës, top që Asensio as që ka ndër mend ta lërë të zbresë drejt tokës, por nga pozicion diagonal godet fluturimthi, nga një kënd gati i pamundur.

Një gol spektakolar, për një Real Madrid që çdo ndeshje që kalon duket se mbahet në jetë me vështirësi.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"