VIDEO/ Vllaznia në “koma”, Teuta e Edi Martinit bën ligjin në “Loro Boriçi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2020 | 18:53

VIDEO/ Vllaznia në “koma”, Teuta e Edi Martinit bën ligjin në “Loro Boriçi”

Teuta ka mposhtur Vllazninë me rezultatin 0-3 në sfidën e vlefshme për javën e 31-të të Kategorisë Superiore. Një përballje kjo e dominuar nga durrsakët e Edi Martinit, të cilët arritën të rrëmbenin 3 pikë të arta duke zhytur shkodranët në vendin e 8-të.
bandicam 2020-06-28 17-01-50-610

PJESA E PARË
Loja duket si “fotokopje” e ndeshjes së dytë çerekfinale: Vllaznia mbrohet dhe Teuta sulmon. As një minutë dhe miqtë hidhen në sulm, por ajo gjuajtje fluturimthi e L.Vilës kalon vetëm ngjitur me shtyllën. 120 sekonda më vonë Kuro harkon një top perfekt në zonë, por Sherri tregohet më i shpejtë se Kallaku. Shkodranët përgjigjen në të 9-ën, kur G.Lika kroson në zonë për Malotën, por goditja me kokë nuk ka shënjestër. Teuta është gjithnjë ajo që imponohet në fushë dhe në të 15-ën Hebaj fiton një penallti, pasi Krymi e tërheq prej fanella.

Teuta
Klajdi Kola nuk mendohet dy herë dhe tregon pikën e bardhë. E merr përsipër Kallaku dhe ndryshe nga e mërkura, këtë herë e mposht Alen Sherrin dhe i jep avantazhin ekipit të tij. Durrsakët janë më të qetë, e megjithatë në të 26-ën për pak sa nuk ndëshkohen. Zogaj vjedh një top në kufijtë e zonës dhe shmang disa mbrojtës, por në fund gjuajtja e tij neutralizohet nga Arapi. Një minutë para kohës së rregullt është sërish Zogaj që tenton të zërë në befasi Frashërin, por këtë herë diagonalja nuk ka forcën e duhur.

PJESA E DYTË
Hysen Dedja mundohet t’i japë më shumë shpejtësi ofensivës, ndaj nxjerr Likën dhe fut Zhuniorin. Megjithatë, organizimi u takon sërish durrsakëve. L.Vila është ai që bie në sy dhe sidomos pas atij sprinti fantastik në të 52-tën, kur la pas vetes Krujën. Gjuajtja ishte e mirë, por sfera kaloi ngjitur me shtyllën e dytë pingule. Gati 3 minuta më vonë Teuta fiton të drejtën e një goditjeje dënimi, që për pak centimetra do ta sillte golin e sigurisë. E majta e Hoxhës nga 22 metra është perfekte, por aq sa devijimi i Sherrit. Gjithsesi, L.Vila është i vëmendshëm dhe ndjek topin. Gjuan direkt, por Shtubina bën heroin dhe e largon pranë vijës fatale. Në minutat pasardhëse vendësit fitojnë terren dhe shfaqen më shpesh në gjysmëfushën e miqve, por më kot. Sapo kalon e 83-ta “rindizet” Teuta. Të sapofuturit Kapllani dhe Gruda kombinohen shkurt dhe shërbejnë te L.Vila, i cili, edhe pse përballë kishte tre mbrojtës, i shmangu plot klas dhe me të djathtën ishte i pagabueshëm.
bandicam 2020-06-28 18-44-05-033
Pa marrë ende veten nga ky gol, në të 85-tën ka penallti pas faullit që shkakton portieri i Vllaznisë ndaj Grudës. Është Aleksi që vihet përballë Alen Sherrit dhe nuk fal. 0-3 për “djemtë e detit”. Kjo ishte goditja finale për kuqeblutë, që nuk u mbetet tjetër veçse të presin vërshëllimën e trefishtë të Klajdi Kolës.

FT| Vllaznia-Teuta 0-3

Kallaku 15′ (p), Lorenco Vila 83′ , Aleksi 86′

VLLAZNIA: Sherri, Gligorov (Repaj 76’), Malota, Shehi, Shtubina, Kruja, Gurishta, Krymi (Marku 61’), Sidorenko (Lekaj 69’), Lika (Zhunior 46’), Zogaj; (Në dispozicion: Efremov, Cojocaru, Mali). Trajner: Hysen Dedja

TEUTA: Frasheri, Todorovski (F.Beqja 87’), Hoxha, Arapi, Kuro, Aleksi, Avdyli (L.Beqja 88’), E.Vila, L.Vila, Kallaku (Kapllani 78’), Hebaj (Hebaj 56’); (Në dispozicion: Celeski, Hreljiç, Jazxhi, Kalaja). Trajner: Edi Martini

Kartonë të verdhë: Sidorenko 35’, Krymi 47’/ Todorovski 56’

Delegat: Besnik Çela (Tiranë) / Vëzhgues: Plarent Kotherja (Tiranë)

Arbitra: K.Kola (Vlorë), N.Bregasi, A.Shkreta (Tiranë)

MINUTAT:
 85’-86’ Gruda futet në zonë dhe rrëzohet pasi Sherri i bën bllokadë. Ka penallti dhe është Aleksi që vihet përballë portierit të Vllaznisë e nuk fal, 0-3 për durrsakët

83′ Superaksion i Teutës. Të sapofuturit Kapllani dhe Gruda kombinohen shkurt dhe shërbejnë te L.Vila, i cili shmang bukur tre mbrojtës dhe me të djathtën ndëshkon Vllazninë dhe 0-2.

 

55′ Goditje dënimi për Teutën nga 22 metra. E majta e Hoxhës është perfekte, por aq sa devijimi i Sherrit. E megjithatë, L.Vila është i vëmendshëm dhe ndjek topin, gjuan mirë, por Shtubina bën heroin dhe e largon pranë vijës fatale.

 

26’ Zogaj vjedh një top në kufijtë e zonës dhe pasi shmang disa mbrojtës, gjuan, por ndërhyrja e Arapit me këmbë është shpëtimtare.

15’ Është Kallaku që e merr përsipër dhe me të djathtën nuk fal. 0-1 për Teutën.

14′ Gabim amatoresk në mbrojtjen e Vllaznisë, Krymi ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Hebajt, 11-metërsh për Teutën.

 

3’ Kuro stopon bukur topin dhe e hedh në qendër për Kallakun, por Sherri është më i shpejtë.

1’ Kuro harkon në zonë dhe Hebaj pason për spond me L.Vilën, anësori gjuan fluturimthi me të djathtën, por topi kalon ngjitur me shtyllën

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"