VIDEO / Vllaznia ka harruar si fitohet, Egnatia i merr pikë pretendentëve në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 19:30

VIDEO / Vllaznia ka harruar si fitohet, Egnatia i merr pikë pretendentëve në Shkodër

Vllaznia nuk di më të fitojë. Skuadra shkodrane ka regjistruar sot barazimin e katërt radhazi në kampionat, duke u ndalur këtë radhë nga Egnatia, në një sfidë ku shfaqi përsëri problemet e dueleve të mëparshme.

vllaznia egnatia

Shkodranët krijuan shumë volum loje, si dhe raste për shënim, por përsëri shpërdoruan në mënyrë të pabesueshme mundësi të mira shënimi para portës. Aralica dhe Gjurgjeviç shpërdoruan në pjesën e parë të takimit, ndërsa mbrojtja kishte hutimin e zakonshëm duke pësuar një gol në kundërsulm nga Ademi i cili bëri 50 metra me topin në këmbë para se të mposhte Zogoviç.

Egnatia luajti në mbrojtje në fraksionin e dytë të lojës, duke i lëshuar territor Vllaznisë e cila krijoi dhe ia doli të shënonte golin e barazimit me Krymin. Por ata nuk ai dolën të çonin në rrjetë përsëri sferën në minutat e mbetura dhe kështu, u ndalën në barazimin e katërt radhazi, duke humbur mundësinë për të ngushtuar diferencën me kreun.

Nëse keni vështirësi për të parë videot duke u futur nga Facebook, ju lutem lexoni lajmet duke u futur nga faqja e web KËTU ose aplikacioni i Panorama Sport.

VLLAZNIA-EGNATIA 1-1
71′ Krymi / 40′ Ademi

MINUTË PAS MINUTE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me barazimin 1-1.

90’+5’ Shyti hyn në fushën e lojës në vend të Isenit.

90’+3’ Shkodranët pretendojnë për penallti pas një tërheqje të Kacbufit ndaj Çobës, gjyqtari lejon vazhdimin e lojës ndërsa nuk ndërhyn as VAR-i.

90’+1’ Kacbufi hyn në fushë në vend të Ymeralilajt të dëmtuar.

90’ Jepen 6 minuta shtesë.

88’ Tjetër rast i humbur nga shkodranët, këtë herë është Adili i cili gjuan brenda zonës, por sfera devijohet pak mbi traversë.

84’ Krymi ndëshkohet me karton të verdhë duke shkaktuar një goditje dënimi në të djathtë të sulmit të Egnatias. Harkimi në zonë nga Iseni gjen Krasniqin, por ky i fundit çon sferën me kokë mbi traversë.

82’ Magani i lë vendin në fushën e lojës Shtubinës në radhët e Egantias.

80’ Aralica vazhdon të shpërdorojë mundësi të mira shënimi. Sulmuesi merr një pasim diagonal të shkëlqyer nga Mustedanagiç, por nuk godet me forcë dhe sfera përfundon në duart e Pujës.

76’ Shkodranët humbasin mundësinë e artë për të shënuar golin e avantazhit. Pas një goditje dënimi nga e majta, topi harkohet në shtyllën e dytë ku Dianje gjuan me kokë pak hapa larg katërkëndorit, por çuditërisht dërgon sferën jashtë.

75’ Edhe Krasniqi i shtohet listës së të ndëshkuarve me karton të verdhë në radhët e Egnatias.

71’ GOOOL Vllaznia, barazohen shifrat. Pas një rivënie anësore, Mustedanagiç harkon në zonë ku Krymi me shpejtësi godet me kokë dhe mposht Pujën.

68’ Zogoviç shpëton Vllazninë nga goli i dytë. Një tjetër kundërzbritje e Egnatias gjen të papërgatitur mbrojtjen e vendasve me Xhekson i cili niset drejt portës. Por portieri del dhe me këmbë largon rrezikun.

65’ Zëvendësim i trefishtë te Vllaznia. Kruja, Bulatoviç dhe Gjurgjeviç lënë fushën e lojës për Vllazninë me Çobën, Hakajn e Mustedanagiç që zënë vendin e tyre.

60’ Rast i jashtëzakonshëm për shkodranët me Jonuzin i cili nga e djathta harkon për Da Silvën. Ky i fundit, pak hapa larg portës, fluturon topin mbi traversë.

59’ Da Silva fiton një goditje dënimi në pozicion ballor me portën dhe ekzekuton po vetë. Braziliani kalon topin mbi murin mbrojtës, por i jep më shumë forcë se duhet dhe sfera kalon mbi traversë.

54’ Kundërzbritje e shpejtë e Egnatias me Maganin në të majtë. Pasimi i tij gjen Allmuçën por ky i fundit nuk merr mirë topin në zonë dhe humb mundësinë për të tentuar portën.

50’ Harkimi i radhës në zonën e Egnatias gjen Gjurgjeviç, por ky i fundit nuk godet si duhet me kokë, edhe pse pak hapa larg portës.

50’ Gjuajtje e fortë e Krymit në hyrje të zonës, Puja grushton dhe largon rrezikun.

46’ Rifillon takimi pa ndryshime në radhët e dy ekipeve.

45’+3’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Egnatias.

45’+2’ Protesta të shkodranëve për një kontakt të Aralica në zonë. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

45’+1’ Aralica pason në zonë për Gurishtën i cili nuk gjen kohën për të goditur drejt portës nga një pozicion i favorshëm në qendër.

45’ Jepen 3 minuta shtesë.

40’ GOOOL Egnatia. Gabim i mbrojtjes shkodranë që lejon Ademin të bëjë 50 metra me topin në këmbë duke u shfaqur para Zogoviç e mposhtur lehtësisht këtë të fundit.

37’ Zbritje e Ademit në krahun e majtë, Iseni merr topin dhe gjuan nga 25 metra, por sfera fluturon shumë lart mbi traversë.

34’ Përsëri është Jonuzi ai që provon nga jashtë zonës, por shënjestra mbetet edhe një herë jo ajo e duhura.

28’ Pas zhvillimit të një goditje dënimi, Jonuzi tenton portën nga jashtë zonës, por gjuajtja e tij nuk gjen katërkëndorin e Pujës.

27’ Agbekpornu është i ndëshkuari i radhës me karton të verdhë pas një ndërhyrje kundër Da Silva.

18’ Magani niset drejt portës shkodrane por ndalet në momentin e fundit nga Adili. Sulmuesi pretendon për penallti, por ndëshkohet nga gjyqtari për simulim.

14’ E pabesueshme se çfarë humbet Vllaznia. Da Silva bën gjithçka mirë, hyn në zonë dhe i jep një top të artë Aralica, por këtij të fundit i heqin topin nga këmbët. Pastaj Gjurgjeviç gjuan por sheh sferën të ndalet në vijën fatale nga një mbrojtës i Egnatias.

9’ Harkim interesant i Krujës i cili nis topin për Da Silvan, por ky i fundit nuk arrin të devijojë sferën e më pas përplaset me portierin Puja.

5’ Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, topi shkon te Allmuça i cili tenton nga jashtë zonës, përgjigjen e mbrojtjes.

3Shpërthim i Ademit në krahun e djathtë të sulmit, krosimi i tij drejt qendrës devijohet jashtë nga Bulatoviç i cili eviton një moment të rrezikshëm në portën shkodrane.

1’ Nis ndeshja në Shkodër.

FORMACIONET ZYRTARE:

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Dianje, Bulatoviç, Krymi, Jonuzi, Kruja, Da Silva, Gjurgjeviç, Aralica
Trajner: Tomas Brdariç

EGNATIA: Puja, Imeralilaj, Krasniqi, Krivanjeva, Allmuça, Majkëll, Iseni, Levendi, Ademi, Xhekson, Magani
Trajner: Zekirija Ramadani

WhatsApp Image 2022-01-21 at 4.47.55 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"