VIDEO/ Vllaznia e zgjidh që në pjesën e parë, mund Kukësin dhe e sheh veten në vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2023 | 0:02

VIDEO/ Vllaznia e zgjidh që në pjesën e parë, mund Kukësin dhe e sheh veten në vendin e dytë

Vllaznia ka mundur Kukësin në ndeshjen e javës së 20 të Superiores me shifrat 2-0, duke siguruar një fitore shumë të rëndësishme për renditjen.

bandicam 2023-02-07 16-46-34-168

Kuqeblutë kanë dominuar plotësisht ndaj verilindorëve, duke dhuruar një lojë shumë të mirë ofensive, sidomos në pjesën e parë ku ia dolën edhe të finalizonin dy herë. Nëse goli i parë ishte një kryevepër falë aftësive personale të Herald Markut, te i dyti i erdhi një ndihmë nga portieri Halimi i cili nuk kontrolloi gjuajtjen e Jonuzit.

Në pjesën e dytë, shkodranët menduan të administronin lojën dhe forcat, duke u siguruar që të ruanin portën të paprekur. Shifrat nuk ndryshuan dhe kjo i dha Vllaznisë 3 pikë që e ngjitin në vendin e dytë, teksa lënë Kukësin përsëri në zonën e rrezikshme të klasifikimit.

VLLAZNIA-KUKËSI 2-0
19′ H. Marku, 45′ Jonuzi

NGJARJET KRYESORE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Vllaznisë.

90’+2’ Xhonson shfaqet në anën tjetër dhe provon me një goditje të fortë, sfera fluturon mbi traversë pa shqetësuar Zogoviç.

90’+1’ Latifi nis një kundërsulm të shpejtë dhe shkon deri në zonë, por pastaj Kruja merr sferën dhe humb kontrollin e saj, pa arritur të gjuajë në portë.

90’ Jepen 3 minuta shtesë në fundin e sfidës.

86’ Latifi hyn në fushën e lojës, duke marrë vendin e Jonuzit. Largohet edhe Mala për t’i bërë vend Çobës.

85’ Gj. Taipi harkon në zonë një tjetër goditje dënimi, por përsëri është mbrojtja shkodrane e cila kontrollon gjithçka.

82’ Mala rrëzohet në zonë pas një kontakti me Bytyçin. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë dhe VAR konfirmon vendimin e tij se nuk ka penallti.

81’ Balaj lë fushën e lojës, duke i bërë vend Kaina në radhët e kuqebluve.

79’ Peposhi nis një top nga e djathta dhe Xhonson godet në shtyllën e parë, pa gjetur portën e Zogoviç.

77’ Basha i lë vendin Peposhit te ekipi verilindor.

75’ Martinez provon të gjejë golin me një gjuajtje ballore nga jashtë zonës, sfera bllokohet nga mbrojtësit e Vllaznisë.

73’ Lamçe ndëshkohet me karton të verdhë për faullin ndaj Malës.

71’ Mbarak i lë vendin Berishës në radhët e Kukësit.

71’ Balaj merr një pasim të mirë në krahun e djathtë dhe gjuan me shpejtësi. Bytyçi ndërhyn dhe largon sferën në këndore.

67’ Heriç dhe Kruja marrin vendin e Hoxhajt dhe H. Markut.

64’ Qarkullim i gjatë i topit nga Kukësi, me sferën që shkon sa në njërin krah, në tjetrin. Por askush nuk arrin të gjejë pasimin e duhur apo një harkim të saktë në zonë, duke i lejuar Vllaznisë të kontrollojë qetësisht çdo ofensivë të miqve.

58’ Shehi ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj të sapofuturit Martinez.

57’ Martinez merr vendin e Delimexhac në radhët e Kukësit.

54’ Gj. Taipi provon të harkojë një top në zonë në një goditje dënimi. Askush nga lojtarët e verilindorëve nuk kupton sugjerimin dhe sfera shkon në fundore.

50’ Një aksion i shpejtë i Vllaznisë finalizohet me një gjuajtje në ecje e sipër të Malës, por sfera fluturon shumë lart mbi traversën e portës mike.

49’ Kukësi ka zotërimin në minuat e parë të pjesës së dytë, por nuk ia del të gjejë një hapësirë për të rrezikuar portën shkodrane.

46’ Asnjë ndryshim në fillimin e pjesës së dytë, rifillon sfida.

45’+3’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 2-0 të Vllaznisë.

45’ Jepen 3 minuta shtesë.

45’ GOOOL VLLAZNIA. Fjoart Jonuzi shënon me një gjuajtje nga jashtë zonës, me Halimin i cili nuk kontrollon sferën dhe e sheh të përfundojë pas krahëve të tij.

44’ Gj. Taipi harkon në zonë një goditje këndi, por Zogoviç kontrollon.

41’ Balaj nga e djathta nis një top në qendër por Jonuzi nuk koordinohet për të gjuajtur menjëherë në katërkëndorin e portës së miqve.

35’ Xhonson është përsëri protagonist me driblimin e tij nga e majta, teksa nevojitet ndërhyrja e Alivodës për t’i hequr topin në zonën shkodrane.

33’ Një top i kthyer gabimisht mbrapa kthehet në asist për Xhonson, por Zogoviç del dhe i heq topin nga këmbët sulmuesit, duke shmangur një moment të vështirë.

29’ Delimexhac nis sferën për Xhonson por ky i fundit rrëzohet në zonë dhe pretendon për 11-metërsh. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

25’-27’ Vllaznia qarkullon topin pranë zonës së Kukësit duke tentuar me disa goditje nga jashtë që bllokohen nga mbrojtësit.

24’ Balaj kombinon me Malën dhe pasi merr një pasim nga mesfushori, tenton portën nga e majta, duke gjetur një devijim i cili çon sferën jashtë.

18’ GOOOL VLLAZNIA! Marku merr topin në krahun e djathtë dhe me një goditje të kalibruar çon sferën poshtë kryqëzimit të shtyllave në anën tjetër.

17’ Sh. Taipi është i pari që ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Balajt.

15’ Pas një goditje dënimi sfera shkon te Mala në pozicion ballor, por tentativa e tij fluturimthi kalon mbi traversën e portës kuksiane.

12’ Hakaj nis një harkim interesant në zonë për Balajn, Ebert largon sferën para se të mbërrijë te sulmuesi.

10’ Vjen shkëndija e parë e shkodranëve me Balajn i cili nga e majta tenton direkt portën ,por gjen vetëm rrjetën e jashtme.

4’ Ndreca nga e majta nis një pasim të shpejtë në shtyllën e dytë, por Zogoviç del dhe kontrollon sferën para Bashës.

2’ Xhonson shfaqet menjëherë pranë portës shkodrane me një aksion në krahun e majtë, gjuajtja e tij devijohet në këndore.

1’ Nis dueli në “Loro Boriçi”.

FORMACIONET ZYRTARE

VLLAZNIA: Zogoviç; Smajli, Shehi, Gurishta, Hakaj; Jonuzi, Alivoda, H.Marku; Mala, Balaj, A.Hoxhaj.
Trajner: Mirel Josa

KUKËSI: Halimi; Lamçe, Bytyçi, Ebert, Ndreca; Sh.Taipi, Mbarak, Delimexhaç; Basha, Gj.Taipi, Xhonson
Trajner: Rrahman Hallaçi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"