Video, udhëtime, takime… Sekretet e goditjeve të Igli Tares në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2017 | 23:12

Video, udhëtime, takime… Sekretet e goditjeve të Igli Tares në merkato

Vera e vitit 2008. Klaudio Lotito duhet të zgjedhë drejtorin e ri sportiv për skuadrën e Lacios. Valter Sabatini u largua dhe presidenti shikon përreth për të zgjedhur pasardhësin e tij. Sheh shumë pista të ndryshme, por më pas bindet që zgjedhja e duhur është ajo që ndodhej më afër: Igli Tare.

Sapo i kishte dhënë fund futbollit të luajtur, ishte gati për të nisur një aventurë të re. Shqiptari, asokohe 35-vjeçar, vinte pas tre sezonesh me fanellën bardhekaltër, ku shënoi katër gola në 54 ndeshje në Serinë A. Në Itali kishte ardhur në vitin 2001 duke qenë pjesë e Breshias dhe Bolonjës.

Tare - Lotito

Nga jashtë nuk kuptohej ndonjë raport i fortë mes tij dhe Lotitos, por realisht kishte diçka që i mbante të lidhur fort këto dy figura të rëndësishme për Lacion. Intuita e presidentit lacial vendosi që postin e rëndësishëm për ekipin t’ia besonte një ish-futbollisti. Në vitin 2009, Igli Tare bëhet koordinator i klubit kryeqytetas, ndërkohë që nisi kursin për të marrë patentën dhe certifikatën për t’u bërë drejtor sportiv. Shumë shpejt, pasi plotësoi dokumentacionin, ai u bë njeriu i merkatos për Lacion.

Lotito u befasua menjëherë nga njohjet dhe nga lidhjet e shumta që ai kishte me futbollin ndërkombëtar. Kishte luajtur pesë sezone në Gjermani, aty ku njohu edhe bashkëshorten e tij, Sandra. Igli Tare flet gjashtë gjuhë të huaja dhe ka kontakte të shkëlqyera me shumë agjentë futbolli dhe ish-shokë skuadre.

Igli Tare shqiponja Lacio

Ish-bomberi i Kombëtares shqiptare ka një metodë pune jashtë asaj normales. Ai del jashtë barrierave dhe mënyrës së përditshme me të cilën punojnë homologët dhe kolegët e tij drejtorë sportivë. 43-vjeçari nuk bazohet vetëm tek agjentët e terrenit që ka Lacio për të ndjekur futbollistët, sepse më shumë se gjithçka tjetër u beson syve të vet.

Kalon orë të tëra për të studiuar ndeshje, lojtarë, lëvizjet e tyre dhe detajet e ndryshme për të kuptuar nëse një futbollist do të integrohet në ekipin e tij. Nëse bindet nga videot, më pas e ndien si detyrim që ta shikojë futbollistin nga afër në një ndeshje drejtpërdrejtë dhe, nëse e kalon klasën, Tare nis me hapin e radhës. Ai flet me lojtarin, familjet e tyre dhe kupton se çfarë mund të marrë nga ai. Diçka që nuk bëhet për një apo dy orë, është një punë që kërkon kohë të madhe.

Kur njeh gjithçka dhe është i bindur, ai i thotë presidentit të Lacios: ky është i duhuri për ne. Dhe ky i fundit i beson verbërisht Tares, duke i lënë dorë të lirë në merkaton e skuadrës së tij. Disa thonë që ai punon si drejtorët sportivë të një herë e një kohe dhe këto fjalë Tare i merr si kompliment.

Goditjet e Tares

GODITJET

Në vitin 2011 arriti të transferonte te Lacio një nga sulmuesit më të mirë të historisë së futbollit: Miroslav Klose. Një goditje merkatoje edhe në planin e imazhit. Të dy bashkë kishin luajtur te Kaiserslauterni dhe bashkëshortet e tyre ishin mikesha.

Para se të transferonte Klosen, Tare kishte arritur t’i jepte Lacios një tjetër lojtar të madh: Hernanes. Ai e quan një nga goditjet më të mëdha që ka bërë në karrierë. Në arkën e klubit të San Paolos shkuan 9.5 milionë euro, por ai u shit 20 tek Interi.

Tare - Klose

Në 2011-n nuk pati asnjë dyshim për të transferuar Luliçin, një nga lojtarët më kryesorë të ekipit bardhekaltër. Kushtoi vetëm 3 milionë euro dhe ishte heroi i Kupës së Italisë në vitin 2013.

Në verën e po atij viti shkoi në Brazil për një tjetër “peshk” të shijshëm në pjatë. Bëhej fjalë për Felipe Anderson dhe Tare qëndroi afro dhjetë ditë për ta bindur fantazistin e Santosit. Kartoni i tij ishte 10 milionë euro, ndërsa tani vlera e tij është shumëfishuar.

Vazhdojmë me emrat. De Vrij u pagua vetëm 7 milionë euro dhe tani është një mbrojtës i kërkuar në Europë.

Një tjetër goditje e merkatos është mesfushori Sergej Milinkoviç-Saviç. Potent, me të ardhme dhe me nuhatje goli, një nga liderët e kësaj Lacioje. Pavarësisht se u kërkua nga shumë skuadra të ndryshme, agjenti i tij Matija Kezhman i kishte dhënë fjalën Tares dhe nuk do ta “tradhtonte”. Përpara disa ditësh, ai foli qartë se Sergej do të rinovojë kontratën deri në fundin e vitit 2022.

Gjeniale ishte goditja që Tare bëri me sulmuesin Keita Balde. I rritur në akademinë e Barcelonës, drejtori sportiv i Lacios e bleu për vetëm 350 mijë euro.

Të mos harrojmë Strakoshën, të cilin ia sugjeroi miku i tij Foto dhe që tani është shndërruar në titullar të padiskutueshëm në skuadër.

Hëd gjithashtu u mor nga Alkmari si një lojtar me kontratë të përfunduar.

tare - Imobile

Në listën e merkatos së tij ka edhe lojtarë si Luis Alberto dhe Morrison, të cilët nuk kanë shkëlqyer. Igli Tare nuk mund t’i bëjë llogari të gjitha lëvizjet e tij, por e sigurt është që bilanci i Lacios është pozitiv edhe për shkak të blerjeve të zgjuara dhe goditjeve që ka bërë ai. Nëse ekipi është në finalen e Kupës, meritë ka edhe shqiptari…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"