VIDEO/ Triumfon Partizani në derbi, goli i Çinarit nxjerr Tiranën jashtë loje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2021 | 23:59

VIDEO/ Triumfon Partizani në derbi, goli i Çinarit nxjerr Tiranën jashtë loje

 

Derbi i dytë i këtij se zoni në Superiore, vishet i kuq… Një sfidë shumë e komplikuar, që u vendos nga rikthimi i magjishëm i Eraldo Çinarit. Shkodrani, që kishte gjashtë muaj jashtë fushave të blerta, vulosi sfidën me golin e tij në minutën e 83- të, ku kishte vetëm 5 minuta që kishte ardhur nga stoli. Një takim që i pa të gjitha, golin e shënuar, plot 7 kartonë të verdhë dhe 2 të kuq. Një ndeshje ku dhe gjyqtari Enea Jorgji, u bë protagonist me vendimet e tij. Në fund festuan “demat”, me trajnerin Daja që mori fitoren e parë në derbi, ndërsa Tirana, u thye pas 11 ndeshjeve radhazi pa humbje në kampionat. Derbi me “vulën” e FIFA-s Partizani është fituesi i derbit të 160-të të kryeqytetit. Në rezultatin e takimit ishte edhe “vula” nga FIFA. Së pari, takimi u gjykua nga arbitri me stemën e FIFA-s, Enea Jorgji, i cili me vendimet e marra pati ndikim në paraqitjen e skuadrave, për vetë kartonët e kuq të dyshimtë që dha. Së dyti, fitorja për Partizanin erdhi si “dhuratë” nga FIFA, që dy ditë para sfidës dha lejen që Eraldo Çinari të luante dhe menjëherë shkodrani kthehet heroi i derbit.

Cinari5556

PJESA E PARË

Ndeshja derbi nisi ashtu siç pritej, me ritëm të lartë dhe me duele të ashpra. Ishte ekipi i Tiranës që e nisi ndeshjen më mirë, duke rrezikuar që në sekondat e para. Taulant Seferi tentoi të ndëshkojë Partizanin me një gjuajtje pas 20 sekondash lojë, por Hoxha e ndali dhe topi shkoi në këndore. Me kalimin e minutave, Partizani u zgjua dhe arriti të reagojë. Dy raste të mira patën Jasir Asani dhe Kordeiro Melo, që tentuan nga distanca të ndëshkonin gardianin Bekaj, por pa sukses. Më pas, filloi të ndihet dhe presioni në fushë dhe tensioni mes lojtarëve nuk mungoi. Plot 5 kartonë të verdhë u akorduan në pjesën e parë nga gjyqtari Jorgji, tre për Partizanin dhe dy për Tiranën. Në minutën e 36-të, Seferi humb një shans të artë për Tiranën. I vetëm përballë Hoxhës, sulmuesi arrin ta driblojë, por nga një pozicion i prirët, e çon topin jashtë. Pak sekonda më vonë, Partizani kundërpërgjigjet me Melon. Braziliani u gjend i vetëm përballë gardianit Bekaj, por parabola e tij, shkon jashtë. Pjesa e parë u mbyll me dy kartonë të verdhë të Solomon dhe Hoxhallarit, që i ndërhynë njëri-tjetrit në dy duele të njëpasnjëshme.

Cinari Partizani

PJESA E DYTË

Fraksioni i dytë i lojës nisi me një episod të diskutuar. Asani merr një ndërhyrje nga Batha, i cili rrezikon shumë ndëshkimin me kartonin e dytë të verdhë, por Jorgji akordon vetëm faull. Në minutën e 52-të, do të vinte dhe kartoni i parë i kuq. Bardhi, teksa largohet nga zona e Tiranës, ka një përplasje me portierin Bekaj. Jorgji e konsideron faull dhe e ndëshkon me kartonin e dytë të verdhë mesfushorin. Katër minuta më vonë, numri i futbollistëve në fushë do të barazohej, pasi edhe kapiteni i Tiranës, Idriz Batha, ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, pas një faulli në mesfushë ndaj Asanit. Me të dyja ekipet që kishin nga 10 futbollistë në fushë, hapësirat ishin më të mëdha dhe lodhja filloi të ndihej me kalimin e minutave. Të dy trajnerët bëjnë ndërrimet e tyre, me Dajën që aktivizoi dhe Eraldo Çinarin. Mesfushori nuk luante prej më shumë se 6 muajsh dhe kur kishte vetëm 5 minuta në lojë, arriti të shënojë dhe të vulosë fatet e sfidës. Murataj është ai që gjuan nga jashtë zone dhe devijimi i Çinarit, përfundon në rrjetë. Partizani e mbrojti me fanatizëm rezultatin deri në fund dhe u rikthye te fitorja në derbi pas katër sfidash, ndërsa Tirana, thyhet pas 11 ndeshjesh radhazi pa humbje.

PARTIZANI-TIRANA 1-0

Çinari 83′

KOMENTI LIVE: 

Përfundon takimi!

bandicam 2021-01-21 19-59-40-217

90′ Akordohen 5 minuta shtesë.

90′ Provon Tirana me Muçin, por gjuajtja e sulmuesit bardheblu ndalet nga Alban Hoxha.

87′ Zëvendësim te Tirana, largohet nga fusha e lojës Hoxhallari, vendin e tij e merr Sasraku.

83’ GOOOOOL PARTIZANI 1-0/ Rikthim ëndrrash për Eraldo Çinarin, i cili ka kaluar të kuqtë në avantazh, duke përfituar nga një përgjumje e mbrojtjes së Tiranës, që pas gjuajtjes të Muratajt nuk e bllokojnë sulmuesin, i cili devijon me të majtën dhe e dërgon në fundin e rrjetës.

82′ Zëvendësim te Tirana, largohet Torasa në vendin e tij Jurgen Bardhi.

78′ Tjetër zëvendësim te Partizani, largohet Asani, vendin e tij e merr Eraldo Çinari.

69′ Zëvendësim i dytë edhe te Tirana, largohet nga fusha Halili, vendin e tij e merr i riu Kuka.

68′ Edhe Partizani kryen 2 zëvendësime, largohen nga fusha Solomon dhe Melo, vendet e tyre i marrin Stenio Zhunior dhe Cara.

68′ Zëvendësim te Tirana, largohet nga fusha Seferi, vendin e tij e merr Danso.

60′ Melo humb një shans ideal, pas asistit të Asanit, braziliani, nuk godet drejt portës, teksa vonohet dhe kthehet mbrapa duke sfumuar një mundësi të artë.

56′ Ndëshkohet edhe Idi Batha me kartonin e dytë të verdhë, pas faullit në mesfushë ndaj Asanit.

54′ Toshevski provon me një predhë nga distanca, por ndalet nga Alban Hoxha.

52′ Partizani me 10 lojtarë, Bardhi ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë për faull ndaj portierit Bekaj.

47’ Solomon shpërdoron një shans të artë. Sulmuesi i Partizanit nuk arrin të shtyjë drejt rrjetës një top shumë pranë vijës fatale. Nuk i besojnë syve të kuqtë.

46′ Seferi sërish rrezikshëm, sulmuesi depërton bukur brenda zonës, por tregohet egoist, teksa as pason as nuk gjuan, duke humbur topin.

46′ Starton pjesa e dytë.

Mbyllet pjesa e parë! 

bandicam 2021-01-21 18-50-38-760

45′ Akordohen 2 minuta shtesë.

44′ Tentativë e Solomonit me kokë brenda zonës, kontrollon lehtësisht Bekaj.

41′ Goditje dënimi për Tiranën, provon Hoxhallari, gjuajtja e tij ndalet nga muri mbrojtës.

37’ Pretendojnë për penallti te Partizani! Melo shfaqet i vetëm me portierin Bekaj, gjuan menjëherë topin, që shkon mbi traun e portës, por të kuqtë duan penallti për ndërhyrjen e portierin ndaj brazilianit.

36′ E pabesueshme çfarë shpërdoron Seferi. Sulmuesi shmang bukur portierin Hoxha, por gjuajtja e tij shkon jashtë kuadratit.

35′ Melo është i ndëshkuari i radhës me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në mesfushë.

34′ Murataj lëshon një gjuajtje nga distanca, por tentativa e tij ndalet lehtësisht nga Bekaj.

29′ Bardhi ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Bathës. Ndëshkohet me karton të verdhë edhe kapiteni i Tiranës.

27’ Goditje nga këndi për Partizanin, Asani harkon në shtyllën e dytë për Brojën, por gjuajtja e tij me kokë është e lehtë dhe Bekaj kontrollon pa probleme.

20′ Tension në fushën e lojës mes lojtarëve, por gjithçka shuhet me menjëherë.

19′ Sërish Partizani rrezikshëm, provon Melo me një gjuajtje të rrezikshme, por ndalet nga portieri Bekaj.

18′ Shans i artë për Partizanin, Jasir Asani provon me një tentativë të rrezikshme me të majtën brenda zonës, topi shkon ngjitur me shtyllën.

10′ Bie disi tempi i minutave të para, Partizani mundohet të qarkullojë topin, për të zbehur vrullin e bardhebluve.

3′ Presing asfiksues i Tiranës në këto minuta të para, bardheblutë ushtrojnë presion të vazhdueshëm në portën e Hoxhës. Po vuan Partizani!

1′ 29 sekonda për të parë kërcënimin e parë, ishte Taulant Seferi që lëshoi një predhë brenda zonës, por gjuajtja e tij u ndal nga Alban Hoxha. Goditje këndi për Tiranën.

1′ Ka startuar derbi numër 160 në “Elbasan Arena”.

FORMACIONET ZYRTARE:

PARTIZANI: Hoxha, Belica, Bitri, Hakaj, Mala, Murataj, Broja, Melo, Bardhi, Asani, Solomon, Trajner: Ilir Daja.

bandicam 2021-01-21 17-17-35-865

TIRANA: Bekaj, Toshevski, Hoxhallari, Najdovski, Batha, Halili, Toli, Ismajlgeci, Torasa, Muçi, Seferi. Trajner: Nevil Dede.

bandicam 2021-01-21 17-19-05-177

GJYQTARË: Enea Jorgji, Dojando Myftari, Nertil Bregasi.

Mbrapa portave: Kridens Meta, Klajdi Kola.

Protokolli

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"