VIDEO/ Tirana me “5 yje”, shpartallon Besëlidhjen në ndeshjen e parë të Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2020 | 23:52

VIDEO/ Tirana me “5 yje”, shpartallon Besëlidhjen në ndeshjen e parë të Kupës

Tirana merr me shupla ka çdo skuadër që i del përpara. Një gjë të tillë bëri dje me Besëlidhjen, që edhe pse shënoi e para, veçse zgjoi nga gjumi “gjigantin” bardheblu, që me përmbysje fiton 5-1 ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, duke hipotekuar kualifikimin në gjysmëfinale. Batha, Kale, Torasa me shokë nuk e kanë të vështirë që për 90 minuta të përmbysin golin e Hoxhës. Dhe jo vetëm kaq, por të shënojnë pesë herë në portën e Besëlidhjes. Ishte “manita” e dytë brenda katër ditësh pas Luftëtarit. Për këdo, tani Tirana nuk është çudi. Është kthyer skuadra e frikshme, sepse 10 gola në 180 minutat e fundit tregojnë se bardheblutë nuk janë rastësisht në krye të Kategorisë Superiore, por një makineri vrastare kundërshtarësh.

Tirana goli

FOTOT: F.HAZISLLARI

PJESA E PARË – Ndeshja nis me një surprizë te bardheblutë. Edhe pse ishte projektuar Gentian Muça titullar, në fushë del Kristi Vangjeli. Pjesa tjetër janë titullarët e zakonshëm. Ama iniciativën e para e merr Besëlidhja. Hajdari kroson në zonën e Tiranës, topi shkon te Xhorxheviç, që gjuan menjëherë diagonal me portën, por Lika nuk shqetësohet me aq. Në minutën e 11-të Kobina pretendon për një penallti, pas prekjes me dorë të topit nga ana e Dibrës. Nuk është i këtij mendimi gjyqtari Kuka. Pas dy minutash, Tirana që e kishte marrë me qetësi ndeshjen, e sheh veten në disavantazh, sepse Hoxha kalon në epërsi Besëlidhjen. Hajdari kroson nga e majta, Fetaj nga krahu tjetër çon topin në zonë, Lika grushton sferën që në hyrje të zonës rreket nga Hoxha që kalon një bardheblu, godet dhe 0-1 në “Selman Stërmasi”.

Egbo menjëherë ngrihet në këmbë dhe kërkon nga Vangjeli të shkundë skuadrën. Në minutën e 19- të, Batha ekzekuton një goditje dënimi nga 20 metra në të djathtë të portës, grushton Vukasinoviç. Gjithsesi, Besëlidhja pranë golit të dytë me Hajdarin. Mesfushori rrotullohet në zonë, godet, por topi shkon ngjitur me shtyllën e majtë të Likës. Në minutën e 26-të, ndryshon loja e Tiranës.

Batha ekzekuton një goditje dënimi, Vukasinoviç nuk pret me të parën, ndërsa në momentin e dytë, pengon Hoxhallarin dhe për gjyqtarin penallti. 11-metërshi kthehet në gol nga Idriz Batha që nuk gabon në penalltinë e radhës. Ndeshja kontrollohet plotësisht nga Tirana, ndërsa Kobina provon të bëjë qendërsulmuesin, godet me kokë, por pret portieri serb i Besëlidhjes. Ka momente lavdie edhe për Fetajn, që godet nga jashtë zone. Asgjë për Lika. Gjashtë minuta nga fundi i pjesës së parë, kombinim Kale, Ngo Torasa. Braziliani futet në zonë, godet menjëherë dhe 2- 1 përmbysje e bardhebluve.

Beselidhja goli

PJESA E DYTË – Nuk ka ndryshime në formacione, por është sërish Besëlidhja me Rustemajn që provon të shënojë golin e barazimit me një gjuajtje diagonale, ama Lika është në pozicion. Në minutën e 56-të, Kobina godet në drejtkëndëshin e lezhjanëve, është Dibra që largon rrezikun nga zona. Në vazhdim të goditjes së këndit, Kale gjuan fluturimthi, por grushton portieri i lezhjanëve. Minuta e 61-të, Tirana çon në tre numrin e golave me anë të Torasës. Kobina merr një top nga Torasa futet në zonë dhe nxjerr blof portierin mik, duke i dhënë një asist argjentinasit që me portën bosh tund rrjetën.

Nisin edhe zëvendësimet e shumta, ndërsa Ngo vetëm me portierin gjuan jashtë porte edhe pse Hasani i dha një top që veç ta shtynte në rrjetë. Doka që po luan çdo ndeshje titullar, galopon në krahun e djathtë, kroson në qendër, topi grushtohet nga portieri i Besëlidhjes, shkon te Kaleja që me portën bosh çon në katër golat e shënuar. Nuk ka mbaruar, sepse në minutën e 81-të, Stafa pason te Sidibe, që vetëm me portierin arrin të shënojë gol, ndaj ish-skuadrës së tij. Ndeshja mbyllet 5-1 për Tiranën, që mund Besëlidhjen dhe një ndeshje para hipotekon kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

FT: TIRANA-BESËLIDHJA 5-1

Batha 27′, Kale 39′, 68′, Torasa 62′, Sidibe 80′   / Hoxha 12′

KOMENTI LIVE: 

3′-Hajdari kroson në zonën e Tiranës, topi shkon te Xhorxheviç, që gjuan menjëherë diagonal me portën. Pret i qetë Ilion Lika.

12′-Gabim në mbrojtje i Tiranës. Hoxha kalon në avantazh Besëlidhjen. Hajdari kroson nga e majta, Fetaj nga krahu tjetër çon topin në zonë, Lika grushton sferën që në hyrje të zonës rreket nga Hoxha që kalon një bardheblu, godet dhe 0-1 në “Selman Stërmasi”.

19′-Batha ekzekuton një goditje dënimi nga 20 metra në të djathtë të portës, grushton Vukasinoviç.

23′-Besëlidhja pranë golit të dytë me Hajdarin. Mesfushori rrotullohet në zonë, godet, por topi shkon ngjitur me shtyllën e majtë të Likës.

26-27′-Batha ekzekuton një goditje dënimi, Vukasinoviç nuk pret me të parën, ndërsa në momentin e dytë, pengon Hoxhallarin dhe për gjyqtarin penallti. 11-metërshi kthehet në gol nga Idriz Batha që nuk gabon në penalltinë e radhës.

30′-Kobina provon të bëjë qendërsulmuesin, godet me kokë, por pret portieri serb i Besëlidhjes. 38′-Fetaj godet nga jashtë zone, por i vëmendshëm Ilion Lika.

39′-Kombinim Kale-Ngo-Kale. Braziliani futet në zonë, godet menjëherë dhe 2-1.

61′-Tirana çon në tre numrin e golave me anë të Torasës. Kobina merr një top nga Torasa, futet në zonë dhe nxjerr blof portierin mik, duke i dhënë një asist argjentinasit, që me portën bosh tund rrjetën.

67′-Hasani tregohet altruist, duke pasuar te Ngoja që vetëm me portierin gjuan jashtë porte.

69′-Doka kalon në krahun e djathtë, kroson në qendër, topi grushtohet nga portieri i Besëlidhjes, shkon te Kaleja që me portën bosh çon në katër golat e shënuar.

81′-Stafa pason te Sidibe, që vetëm me portierin arrin të shënojë gol, ndaj ish-skuadrës së tij.

Përfundon takimi! 

FORMACIONET ZYRTARE: 

Tirana: Lika, Doka, Vangjeli, Hoxhallari, Ismailgeci, Çelhaka, Batha, Kobinah, Torasa, Kale, Ngo. Trajner: Egbo

Besëlidhja: Vukasinovic, Pergjoni, Dibra, Moqi, Fetaj, Rrustja, Hajdari, Hoxha, Hepaj, Çokiç, Djordeviç. Trajner: Plori

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"