VIDEO/ Tirana fiton pa mëshirë ndaj Luftëtarit me 5 gola, bardheblutë “pa frena” drejt titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2020 | 20:00

VIDEO/ Tirana fiton pa mëshirë ndaj Luftëtarit me 5 gola, bardheblutë “pa frena” drejt titullit

Asgjë nuk e ndal Tiranën. Me fitore tenistike, 0-5 ndaj Luftëtarit, bardheblutë tani janë 15 pikë larg të qenit matematikisht kampion. Ekipi i Emanuel Egbosë shkëlqen në Gjirokastër, vret ndeshjen që në minutën e tretë, ka kohë për të shpërdoruar edhe dy penallti dhe në fund shënon pesë gola në portën e Luftëtarit. Një triumf i merituar i Tiranës që marshon qetë dhe rëndë drejt titullit, ndonëse këtë javë me humbjen që u shkaktoi gjirokastritëve, e degdisi Luftëtarin në Kategorinë e Parë, pas katër sezonesh.tIRANA GOLI 

Pjesa e parë – Nën masa të rrepta sigurie nis loja, por Tirana shënon që nga tuneli, pasi në minutën e 3-të, Vangjeli kalon në avantazh ekipin e tij. Goditje dënimi e ekzekutuar nga Batha, ndërsa Vangjeli i harruar në zonë, godet me kokë dhe shënon golin e avantazhit. Bardheblutë marrin nën kontroll lojën, ndonëse Luftëtari bën të pamundurën të shkojë te porta. Batha, Ngo tentojnë me aksione individuale, ndërsa në minutën e 19-të, Kobina çon në dy shifrat për bardheblutë.

Kale çan përpara, pason te Batha, i cili menjëherë pason te Kobina në të djathtë. Ganezi me të parën, gjuan me hark, duke përdorur të brendshmen dhe 0-2. Gjirokastritët duan një penallti të paqenë, por gjuajtjen e parë në portë e shënojnë në minutën e 31-të. Nga minuta 31 deri në 37-ën, nis një dialogim i gjatë mes Hasanit e Ngosë, por të dy gabojnë para portës, falë ndërhyrjeve të Dushkajt e Shalës. Në minutën e 38-të, penallti për Tiranën. Stiven Puci pengon Kalenë në zonë, për gjyqtarin nuk ka dyshime, është penallti.TIRANA LUFTETARI

Ngo, paçka urdhrave të Egbosë, vendos të gjuajë me kokën e tij penalltinë, por ekzekutimi i tij grushtohet nga portieri Shala. Egbo ngre në nxemje Dungën. Tri minuta nga fundi, Doka kroson nga e djathta për te Ngoja, anglezi me kokë e çon topin në qendër e aty Hasani zhytet dhe çon topin në rrjetë, duke shënuar golin e tretë të takimit. Ndeshja mbyllet me një pritje të Shalës që i mohon sërish golin shkodranit të Tiranës.

Pjesa e dytë – Pjesa e dytë kthehet në një garë për golin me bardheblutë që nuk ndalen. Si fillim Ngo ulet në stol, ndërsa rasti i parë është i Hasanit, por është Shala që i thotë “jo”:. Në minutën e 57-të, Kristi Vangjeli lë mbrojtjen, del në sulm dhe pas një kombinimi gjuan, por Shala bllokon topin. Mbrojtësi mund të kishte pasuar te Dunga i vetëm me portën bosh. Dunga mundohet të bëjë golin e ish-it, por nuk ia del, pasi portieri Shala grushton topin.

Keniani kthehet në njeriun asist, por Halili e Hasani nuk e çojnë topin në rrjetë. Në minutën e 64-t, penallti për Tiranën, sepse Kukaj prek në mënyrë të pakuptimtë topin. Nuk ka dyshime për 11-metërshin. Batha këtë herë ekzekuton mjeshtërisht penalltinë e fituar, duke çuar në katër golat për Tiranën. Humb rast për gol edhe Kobina. Në minutën e 73-të, Halili hyn në thellësi, del i vetëm para Shalës, godet, grushton portieri që më pas pengon sulmuesin bradheblu dhe penallti.TIRANAA LUFTETARI

Portieri prish ndeshjen e tij, por e bukura është që gjyqtari jep penalltinë e tretë brenda 50 minutave. Këtë herë në fushë nuk është as Ngoja e Batha, ndërsa ekzekutimin e merr përsipër Halili, por topi me parabolë ndalet nga traversa, ndërsa edhe në goditjen e dytë, sulmuesi nuk ia del të shënojë gol. Pas katër minutave vjen edhe goli i pestë dhe i fundit për Tiranën me Dungën, që shfrytëzon një asist të Hasanit. Minutat e fundit janë shou për Dungën, Hasanin dhe Haxhiun që kanë rastet për gol.

Gjithsesi, Tirana ia del të fitojë në Gjirokastër me rezultatin e thellë 0-5, duke qenë në krye me nëntë pikë avantazh ndaj Kukësit, ndërsa Luftëtari përfundimisht dhe matematikisht është në Kategorinë e Parë.LUFTETARI TIRANA

FORMACIONET

LUFTËTARI
: Shala, Puci (Brahilika 54′), Duka, Lala, Dushkaj, Kukaj, E. Çelaj (Alinani 73′), Hyseni, J. Çela (Ahmetaj 62′), Lika (Haxhiu 54′), Mehmetllari (Oshafi 80′). (Në dispozicion: Qyrani, Karabina, Zeneli, Ziaj Tahiraga). Trajner: Neritan Novi

TIRANA: Lika, Doka, Muça, Vangjeli, Ismajlgeci, Batha (Stafa 68′), Çelhaka (Karabeci 67′), Hasani, Kobina (Morina 78′), Kale (Halili 46′), Ngo (Dunga 46′). (Në dispozicion: Bakaj, Osmani, Kraja, Sidibe). Trajner: Emanuel Egbo

GJYQTARET: Klodian Shahini, Ilir Tartari, Herald Lisaku, Andi Koçi

KARTONË TË VERDHË: Hyseni 49′, Kukaj 65′

VËZHGUES: Sokol Çekaj;

DELEGAT: Uvil Zajmi

FT: LUFTËTARI-TIRANA 0-5
Vangjeli 3′, Kobinah 19′, Hasani 44′, Batha 65′, Dunga 78′

Komenti live:

77′-Hasani jep një top për Dungën, i cili hyn në zonë dhe me një gjuajtje të lehtë arrin të shënojë golin e pestë.

76′ Penallti e tretë! Halili gjuan, por topi ndalet nga traversa. Dështon dhe në përpjekjen e dytë.

 

65′ Tjetër penallti për Tiranën. Batha e dërgon topin në trekëndësh. Goli i dhjetë sezonal për mesfushorin.

46′ Fillon pjesa e dytë

45′ Mbyllet pjesa e parë.
44 ‘ Tirana nuk ndalet. Edon Hasani lë shenjën e tij në takim.


36′ Tirana fiton penallti, por Ngo nuk tregohet i saktë. E pret portieri Shala.

 

33′ Tirana pranë golit të tretë, Ngo del para portierit Shala, por nuk ia del ta dërgojë topin në rrjetë.

31′ Vjen goditja e parë për Luftëtarin , por Lika e kontrollon pa probleme.


27′ Luftëtari pretendon për penallti. Arbitri vazhdon lojën.

19′ Gol! Batha asiston Kobinah dhe afrikani realizon lehtësisht.

17′ Ngo provon ta zgjidhë vetë takimin, gjuan jashtë zone, por i mungon shënjestra.

3′ – Goool! Vangjeli shfrytëzon saktë krosimin dhe kalon Tiranën në avantazh. 

1′ Fillon ndeshja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"