VIDEO/ Tirana fiton edhe mes ankthit pas një incidenti të rëndë, Egnatia mbetet me zero

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2022 | 0:04

VIDEO/ Tirana fiton edhe mes ankthit pas një incidenti të rëndë, Egnatia mbetet me zero

Tirana ka fituar me shifrat 2-0 ndeshjen e saj të javës së dytë të Superiores ndaj Egnatias. Bardheblutë kanë triumfuar në një sfidë të pazakontë, të ndalur për 10 minuta për shkak të një dëmtimi të rëndë të Qefaliajt.

egnatia-tirana

Një gol i Kallakut në pjesën e parë dhe një i Hasanit në të dytën u kanë mjaftuar bardhebluve përballë rrogozhinasve të cilët krijuan më shumë lojë dhe raste, por nuk ishin të saktë në momentet vendimtare para Bekajt.

Kështu, Tirana merr frymë e qetë i dhe i bashkohet përkohësisht kreut, ndërsa Egnatia mbetet pa pikë pas dy sfidave të para në kampionat.

EGNATIA-TIRANA 0-2
14′ Kallaku, 53′ Hasani

MINUTË PAS MINUTE

90’+4′ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Tiranës.  

90’+1’ Gjumsi hyn në fushë në vend të Toshevskit në minutat e fundi të sfidës.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

89′ Hila ndëshkohet me karton të verdhë.

87’ Vetëm tentativa nga jashtë zonës të rrogozhinasve, të cilët tashmë duken të dorëzuar sa i përket fatit të kësaj sfide.

83’ Dos Santos mundohet të gjejë golin me një gjuajtje nga distanca, topi përfundon në duart e Bekajt.

80’ Egnatia ka plotësisht kontrollin e lojës në këto minuta, teksa po mundohet që të gjejë një gol për të hapur ndeshjen, por tani Tirana është e tëra e kthyer në mbrojtje.

75’ Xhoel dhe Mëllugja hyjnë në fushën e lojës në vend të Xhekson dhe Fernando.

73’ Aksion i Xhekson nga krahu i djathtë, pasimi në qendër gjen Dos Santos por ky i fundit çon topin mbi traversë me tentativën e tij.

71′ Lila në fushë në radhët e Egnatias në vend të Fangajt.

66’ Zëvendësim i trefishtë te Tirana me Kallakun, Xhixhën dhe Ismajlgecin që kthehen në stol, për t’i bërë vend Patrik, Behiratçes dhe Hilës.

60’ Dy mundësi radhazi të të sapofuturve në fushë me Dos Santos dhe Delarzh të cilët gjejnë përgjigjet vendimtare të Bekajt, shpëtimtar i portës së tij duke evituar gola të sigurt.

57’ Ismajlgeci shfaqet në krahun e djathtë dhe mundohet të kalojë topin mbi Sherrin, sfera kalon pasqyrën e portës dhe përfundon jashtë.

56’ Dos Santos dhe Delarzh hyjnë në fushën e lojës në vend të Camajt dhe Mihanës.

53’ Gjest i bukur i futbollistit të Tiranës i cili shkon në pankinë dhe hap fanellën e Qefalijës, duke i kushtuar atij këtë gol.

53’ GOOOL TIRANA! Dyfishohen shifrat pas një aksioni individual nga e djathta të Hasanit i cili gjuan në shtyllën e dytë dhe mposht Sherrin.

50’ Bardheblutë po mundohen të administrojnë minutazhin në këtë pjesë të ndeshjes me qarkullim të gjatë të topit për të ulur ritmin e ndeshjes pas një fillimi të vrullshëm të pjesës së dytë të rrogozhinasve me disa tentativa të bllokuara drejt portës.

47’ Mihana shfaqet në të djathtën dhe tenton portën, Najdovski devijon në këndore.

46’ Fillon pjesa e dytë e ndeshjes pa zëvendësime të tjera në radhët e dy ekipeve.

45’+10’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin minimal 1-0 të Tiranës.

45’+5’ Xhekson shmang dy lojtarë dhe jep një asist fantastik në të majtë për Mustën, ky i fundit gjuan në ecje e sipër por gjen vetëm rrjetën e jashtme të portës bardheblu.

45’+1’ Camaj gjuan, topi bllokohet e pastaj Mihana ka mundësinë të gjuajë në portë, por Bekaj ndalon tentativën e tij.

45’ Jepen 10 minuta shtesë.

45’ Limaj ka marrë vendin e Qefaliajt të dëmtuar.

43’ Rifillon sfida.

42’ Mbërrin lajmi nga spitali se Qefalija është përmendur dhe bardheblutë pranojnë të rifillojnë ndeshjen.

40’ Delegati dhe vëzhguesi zbresin në fushë për të bindur lojtarët që të rifillojnë ndeshjen. Rrogozhinasit janë dakord, ashtu si edhe disa nga drejtuesit bardheblu, por jo lojtarët që presin lajme për Qefaliajn.

38’ Ndeshja është e ndërprerë pasi futbollistët janë të tronditur për atë që kanë parë në fushën e lojës. Disa prej lojtarëve të Tiranës nuk përmbajnë dot lotët.

33’ Panik dhe ankth në fushë. Pas një përplasje kokë më kokë mes Qefalijes dhe Hamzat, lojtarët e dy skuadrave kërkojnë që të ndërhyje ambulanca pasi lojtari i bardhebluve ka mbetur në fushë i gjakosur. Ndërhyn ambulanca dhe transporton lojtarin, ndeshja e pezulluar.

29’ Gjuajtje e shkëlqyer e Zejnullait në hyrje të zonës nga e djathta, Bekaj devijon në këndore.

26’ Shtohen protestat kur pas një aksioni të Xhekson në krahun e majtë, topi harkohet në zonë dhe aty Toshevski devijon sferën që përfundon në duart e Bekajt, Vendasit pretendojnë për prekje topi me dorë, Alla bën shenjë që loja të vazhdojë.

23’ Nervozizëm në tribuna pas një kontakti mes Aleksit dhe Xhekson me këtë të fundit që përfundon në tokë. Gjyqtari Alla jep faull për Tiranën dhe nga tribunat nuk reshtin protestat.

17’ Camaj ka mundësinë e artë dy herë brenda pak sekondash për të barazuar rezultatin. Por fillimisht ai gjen përgjigjen e Bekajt me një gjuajtje tokazi e më pas, teksa merr një harkim nga e djathta e sulmit, dërgon sferën mbi traversë me tentativën me kokë.

14’ GOOOL TIRANA! Aksion i shpejtë i bardhebluve me Xhixhën i cili nga e majta harkon në zonë dhe aty Kallaku me kokë dërgon sferën në rrjetë.

13’ Mundësi e artë e Tiranës për të shënuar pasi Xhixha shfaqet në krahun e djathtë të sulmit. Topi i tij në qendër devijohet drejt portës nga Malota dhe Sherri me vështirësi arrin të largojë sferën në dy kohë.

9’ Toshevski merr fundoren në të djathtë dhe nis sferën në qendër, Malota mbyll korridorin duke larguar topin.

4’ Lojë në mesfushë në minutat e parë me të dy ekipet që nuk gjejnë hapësira për të dërguar topin në zonën kundërshtare.

1’ Nis dueli në stadiumin e qytetit të Rrogozhinës.

FORMACIONET ZYRTARE:

EGNATIA: Sherri, Ojediran, Mihana, Camaj, Xhekson, Da Silva, Malota, Zejnullai, Musta, Atanda, Fangaj.

Trajner: Edlir Tetova

TIRANA: Bekaj, Toshevski, Najdovski, Aleksi, Kallaku, Hasani, Ismajlgeci, Përgjoni, Xhixha, Qefalija, Zhivanaj.

Trajner: Orges Shehi

WhatsApp Image 2022-08-28 at 4.33.48 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"