VIDEO/ Teuta eviton më të keqen, mund Egnatian dhe i shpëton play-out

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2022 | 18:37

VIDEO/ Teuta eviton më të keqen, mund Egnatian dhe i shpëton play-out

Teuta ka mundur sot me shifrat 3-1 Egnatian dhe ka siguruar që nuk do të ketë për të pjesëmarrje në play-out. Durrsakët kanë diferencën e pikëve dhe sigurinë e ndeshjeve direkte që nuk do të luajnë ndeshjen shtesë sido që të shkojnë sfidat e mbetura në kampionat e tashmë edhe mund të shohin më lart, drejt zonës së Europës.

teuta - egnatia

Gjithçka ishte meritë e një fillimi të rrufeshëm të durrsakëve të cilët brenda pak minutash shënuan dy herë me anë të Beqjes dhe Dacit, ndërsa shpërdoruan edhe një penallti me Hebajn. Kjo ishte një goditje e rëndë për Egnatian e cila nuk hyri thuajse kurrë në lojë dhe ua bëri të thjeshtë durrsakëve që të administronin ndeshjen.

Në pjesën e dytë Peposhi vulosi fitoren me golin e tretë ndërsa në shtesë, goli i Maganit shërbeu vetëm për statistikë për rrogozhinasit, të cilët tashmë duhet të mendojnë për sfidën e play-out për të mos rënë nga kategoria.

TEUTA-EGNATIA 3-1
10′ Beqja, 13′ Daci, 60′ Peposhi . 90’+1′ Magani

MINUTË PAS MINUTE

90’+2’ Mbyllet ndeshja me fitoren 3-1 të Teutës.

90’+1’ GOOOL Egnatia! Pas një goditje dënimi të Imerit, Qirko nuk grushton si duhet topin dhe Magani e shtyn atë në rrjetë.

90’ Jepet 1 minutë shtesë.

83’ Krivanjeva provon edhe ai nga jashtë zonës të gjejë rrjetën, sfera fluturon mbi traversë.

79’ Daka zëvendëson Xhekson në radhët e ekipit të Egnatias.

76’ Plaku dhe Kapllani marrin vendin e Hebajt dhe E. Vilës në fushën e lojës.

76’ Traversë për Egnatian. Pas një goditje nga këndi, Xhekson nga jashtë zonës lëshon një gjuajtje të fortë, por sfera prek pjesën e sipërme të traversës dhe sfera del jashtë.

73’ Kacbufi merr vendin e Agbekpornu në radhët e Egnatias.

63’ Arapi bën lëvizjet e para duke larguar nga fusha Dacin e Peposhin, për të aktivizuar Grudën dhe L. Vilën.

60’ GOOOL Teuta! Vjen goli i tretë i durrsakëve me Peposhin i cili pasi merr një pasim nga Hebaj, shmang një mbrojtës dhe mposht Pujën.

53’ Ymeralilaj harkon nga e djathta për Maganin në shtyllën e parë, Qirko del dhe grushton sferën.

52’ Beqja sheh hapësirë para tij dhe lëshon një gjuajtje të fortë nga distanca, sfera fluturon shumë lart mbi traversë.

48’ Goditje dënimi e Kotobellit nga e djathta, Hebaj me kokë nuk gjen katërkëndorin.

46’ Pjesa e dytë nis me një zëvendësim në radhët e rrogozhinasve, pasi Magani merr vendin e Pedro Augustos.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes me rezultatin 2-0 për Teutën.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

42’ Karton i verdhë për Aleksin i cili shkelmoi topin që kishte dalë jashtë vijave të fushës.

38’ Skuadrat janë shumë të zgjatura në fushën e lojës dhe ka sulme e kundërsulme që mbërrijnë deri pranë zonës, por pa u konkretizuar me gjuajtje nga të dy palët.

31’ Delarzh tund rrjetën e portës së durrsakëve pas një kundërsulmi të shpejtë, por sinjalizohet në pozicion jashtë loje.

25’ Ramadani nuk pret më dhe bën lëvizjet e para. Ademi dhe Imeri marrin vendin e Lilës dhe Shytit.

23’ Xhekson mundohet të vërë në rrezik Qirkon me një gjuajtje në kufijtë e zonës, por dërgon sferën direkt në duart e portierit.

13’ GOOOL Teuta! Shënojnë përsëri durrsakët, këtë herë me Dacin i cili shfrytëzon një kundërsulm për të dërguar topin mbi portierin dhe në rrjetë.  

12’ Mundësi e shkëlqyer e Teutës për të dyfishuar shifrat pasi durrsakët fitojnë penallti. Por Hebaj gabon nga pika e bardhë, me gjuajtjen e tij të ndalur nga Puja.

10’ GOOOL Teuta! Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, topi harkohet nga Kotobelli te Beqja i cili e dërgon në rrjetë me një gjuajtje me kokë.

8’ Provon edhe Hebaj të gjejë rrjetën me një gjuajtje nga jashtë zonës, sfera devijohet në këndore.

4’ Pas zhvillimit të një goditje dënimi, Teuta provon katër herë radhazi duke harkuar topin në zonë, por duke gjetur gjithmonë të vëmendshme mbrojtjen e skuadrës mike. Në fund Peposhi gjuan në hyrje të zonës, por nuk gjen katërkëndorin me sferën që shkon jashtë.

1’ Nis dueli me shkelmimin nga qendra të skuadrës rrogozhinase.

FORMACIONET ZYRTARE:

TEUTA: Qirko, Aleksi, Hebaj, Ivanoviç, Kotobelli, Daci, Beqja, Jazxhi, Idrizaj, Peposhi, E. Vila.

Trajner: Renato Arapi

EGNATA: Puja, Ymerlilaj, Krasniqi, Xhekson, Majkëll, Krivanjeva, Shyti, Delarxhe, Allmuça, Lila, Pedro Augusto.

Trajner: Zekerija Ramadani

WhatsApp Image 2022-05-09 at 4.19.13 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"