VIDEO/ Teuta e nis si kampione falë një gafe, Partizanin nuk e shpëton as… VAR-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 0:25

VIDEO/ Teuta e nis si kampione falë një gafe, Partizanin nuk e shpëton as… VAR-i

Takimi mes Teutës dhe Partizanit ishte premiera e Kategorisë Superiore për sezonin e ri 2021-’22 dhe nisi me fitoren e durrsakëve. Në “Elbasan Arena” ishin blutë ata që triumfuan falë një goli të sulmuesit Gjeorgiev. Bomberi 26-vjeçar përfitoi nga një “dhuratë” e kapitenit Alban Hoxha, që nuk largoi siç duhet një top dhe ia përplasi në trup sulmuesit, me sferën më pas që përfundoi në rrjetë.

Teuta festa e golit te Gjiorgev

PJESA E PARË – Sfida nisi shumë e luftuar në mesfushë dhe të dyja skuadrat dukshëm kishin presion dhe tension në këtë sfidë të parë të sezonit. Shkëndijën e parë do ta jepte Partizani. Emiljano Vila gabon në mesfushë dhe “demat” nisen në kundërsulm me Carën që udhëheq topin.

Megjithatë, lojtari i Partizanit nuk zgjedh dot pasimin e duhur dhe shansi i artë digjet. Me goditjen nga këndi të këtij aksioni Marku është shumë pranë golit. Mesfushori i Partizanit kërcen më lart se të gjithë në minutën e 17-të dhe gjuan bukur me kokë, por grushton portieri Qirko. Pas këtij momenti Teuta niset në kundërsulm. Kallaku pason mirë për Gjeorgievin, i cili është pak i spostuar në të majtë.

Teuta-Partizani

Sulmuesi provon të godasë me të majtën, por është i pafat, pasi topi përplaset në shtyllë. Topin e kthyer e zotëron mbrojtja e Partizanit, me Gligorovin që pason te Belica. Qendërmbrojtësi pason më pas tek Alban Hoxha, i cili vonon në largimin e sferës dhe Gjeorgiev përfiton duke shënuar golin e vetëm të sfidës. Partizani u mundua të reagojë në pjesën e parë, por ishte i paqartë. Rrapaj në të 39-ën tentoi të shënojë nga distanca, por tentativa e tij shkoi larg kuadratit. Minutat kaluan dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0.

PJESA E DYTË – Partizani e nisi si skuadër më agresive pjesën e dytë, çka e tregoi edhe kartoni i verdhë i Stenio Zhuniorit që në minutën e 48-të. Daja e shtyu më lart ekipin dhe shanset po shtoheshin. Në të 55-ën erdhi edhe momenti kulminant. Cara gjuan fort nga jashtë zone dhe Ivanoviçi e bllokon. Fillimisht u duk se topi u përplas në trup dhe gjyqtari Xhaja vazhdoi ndeshjen, por nga dhoma e VAR-it Kridens Meta i kërkoi gjyqtarit kryesor ta shikojë me përsëritje këtë moment.

Pas disa sekondash duke e parë rastin, Xhaja më pas akordon penallti dhe karton të verdhë për mbrojtësin Ivanoviç, pasi e kishte ndaluar topin me dorë. Stenio Zhunior merr përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe vendos të godasë si futbollisti i njohur Zhorzhinjo, por e çon sferën jashtë kuadratit.

Në minutat e tjera, Partizani tentoi shumë ta barazojë sfidën, por Teuta e mbrojti me fanatizëm avantazhin dhe rrjedhimisht edhe fitoren. Pas 96 minutave lojë, janë durrsakët ata që largohen nga Elbasani me tri pikë të plota, ndërsa Partizani e nis sërish sezonin me humbje.

FT: TEUTA-PARTIZANI 1-0

Gjiorgev 18′ 

KOMENTI LIVE:

Mbyllet supersfida! 

90+2′ “Demat” mbeten në sulm dhe provojnë me Kaçen, por tentativa e korçarit devijohet shumë pranë vijës fatale.

90+1′ Mundësi e mirë për Partizanin, por Filipoviç nuk e kthen topin në momentin e duhur, goditje këndi për Partizanin.

90′ Akordohen 6 minuta shtesë.

90′ Zëvendësim te Teuta, largohet Todorovski, vendin e tij e merr mesfushori Akuah.

85′ Daja kryen dy zëvendësimet e fundit, largohen Tedi Cara dhe Damçevski në vendin e kroati Filipoviç dhe afrikani Maguete. “Demat e Kuq” kërkojnë me ngulm golin e barazimit.

84′ Xhekson Ferreira është i ndëshkuari i radhës me karton të verdhë.

77′ Partizani kërkon një tjetër penallti, pas rrëzimit të Carës, por gjyqtari Xhaja vijon lojën.

76′ Musta harkon një top të rrezikshëm në zonë nga e majta, por kontrollon gjithçka portieri Qirko.

71′ Zëvendësim edhe te Teuta, Gjiorgev i lë vendin Ildi Grudës.

69′ Tre zëvendësime te Partizani, Kaçe, Marku dhe Mala në fushën e lojës.  Largohen Murataj, Gligorov dhe Rrapaj. “Demat” në kërkim të barazimit.

66′ Protesta në radhët e Teutës, futbollistët kërkojnë ndëshkimin me karton të dytë të verdhë të brazilianit Stenio Zhunior, por nuk mendon kështu gjyqtari Xhaja.

64′ Zëvendësim te Teuta, largohet Sebino Plaku vendin e tij e merr Koubemba.

59′ Gjuan Stenio Zhunior, topi ka shkuar jashtë kuadratit. Gabon sulmuesi brazilian. Nuk i besojnë syve të kuqtë. Me një veprim “alla Zhorzhinjo”, braziliani i Partizanit nuk është treguar i saktë duke gabuar nga 11-metra. Aleksi ndëshkohet me karton të verdhë për protesta.

55′ Rast i artë për Partizanin me anë të Tedi Carës, vendimtare ndërhyrja e Ivanoviç, por pas kontrollit me sistemin VAR, gjyqtari Xhaja akordon penallti për prekje të topit me dorë nga mbrojtësi i Teutës.

53′ Rritëm i kënaqshëm në këtë pjesë të dytë, me skuadrat që kërkojnë të shënojnë sërish.

48′ Stenio Zhunior ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në mesfushë ndaj mbrojtësit Ivanoviç.

46′ Starton pjesa e dytë. Nuk ka ndryshime në formacion.

Prononcimet në fundin e pjesës së parë: 

EGZON BELICA, FUTBOLLIST I PARTIZANIT: Albani është portieri më i mirë i kampionatit për mendimin tim, por këto gabime ndodhin. Ndodhin në këto pjesë të lojës. Mendoj se përveç 10 minutave të para që i nisëm më avash, në pjesën tjetër ishim më lart se Teuta. Kemi minuta për të rikuperuar dhe ka shpresë për të kthyer rezultatin.

EMILIANO VILA, FUTBOLLIST I TEUTËS: Dihen vlerat e Partizanit! Ndeshjet me Partizanin janë gjithmonë të bukura dhe të luftuara. Kemi qenë më të saktë para portës. Më vjen keq për Albanin, por çdo portieri gabon, nuk duhet ta kthejë kokën mbrapa.

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohen 2 minuta shtesë!

44′ Asion Daja është i ndëshkuari i radhës me karton të verdhë!

39′ Rrapaj provon të befasojë me një predhë nga distanca, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit.

35′ Aksion i rrjedhshëm te Partizani, por krosimi i Stenio Zhunior, devijohet dhe shkon drejt e në duart e portierit Qirko.

33′ Protestojnë futbollistët e Partizanit, të cilët prentendojnë se portieri Qirko e kapi topin me dorë jashtë zonës, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari.

30′ Partizani kërkon të organizohet duke marrë frenat e lojës në dorë, por mbrohen mirë durrsakët, që nuk lejojnë hapësira në prapavijë.

22′ Provon të kundërpërgjigjet  me anë të Tedi Carës nga krahu i djathtë i sulmit, por kavajasi nuk përfiton duke dalë me gjithë top jashtë.

18′ GOOOOL TEUTA 1-0/ Gafë e rëndë e Alban Hoxhës, durrsakët gjejnë golin e avantazh me sulmuesi Gjiorgev. Gardiani i kuq, provon të largojë topin nga zona, por për fat të keq të Partizanit, sfera përplaset te sulmuesi i Teutës dhe përfundon në rrjetë. Futbollisti ndëshkohet me karton të verdhë për ngritje të fanellës. 

17′ Tronditet porta e Alban Hoxhës, Gjiorgev provon me një gjuajtje të rrezikshme që ndalet nga shtylla.

15′ Pranë golit Partizani me Herald Markun, i cili pas harkimit të Rrapajt nga këndi, provoi me kokë, por tentativa e tij u ndal nga Qirko.

5′ Partizani shfaqet më kërkues në këto minuta të para, gjithsesi skuadrat tregojnë kujdes, duke studiuar njëra-tjetrën. Mungojnë rastet e rrezikshme në portat respektive.

1′ Starton supersfida në “Elbasan Arena”.

Ish-kapiteni i Teutës, Renato Arapi, ka shkelmuar topin nga qendra, duke i dhënë “bekimin” e kampionit këtij sezoni të ri futbollistik. 


FORMACIONET ZYRTARE:

TEUTA: Qirko, Todorvoski, Selmani, Ivanoviç, Xhekson, Aleksi, Daja, E.Vila, Kallaku, Plaku, Gjorgiev. Trajner: Edi Martini

PARTIZANI: Hoxha, Gligorov, Belica, Damçevski, Musta, Rrapaj, Murataj, H.Marku, Cara, Kardozo, Stenio Zhunior. Trajner: Ilir Daja.

teuta partizani

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"