Video / Taku dhe Hoxhallari i japin Tiranës finalen e Kupës. Europa nuk është utopi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2017 | 18:03

Video / Taku dhe Hoxhallari i japin Tiranës finalen e Kupës. Europa nuk është utopi

Sezoni i Tiranës që nga dita e sotme merr një kuptim krejtësisht tjetër. Bardheblutë, pavarësisht vuajtjeve në kampionat, kanë një shans të artë për të luajtur në Ligën e Europës, pasi kanë siguruar pjesëmarrjen në finalen e Kupës përballë Skënderbeut me fitoren 2-0.

Ekipi i drejtuar nga Mirel Josa kishte siguruar një barazim 1-1 në fushën kundërshtare dy javë më parë, ndërsa ka mbyllur sot çdo diskutim të kualifikimit në 45 minutat e para të sfidës. Një penallti e kontestuar nga lezhjanët kaloi në avantazh ekipin kryeqytetas falë saktësisë së Takut nga pika e bardhë.

Para fundit të pjesës së parë, Hoxhallari dyfishoi shifrat me një gjuajtje me kokë, duke shuar shpresat e lezhjanëve për një finale historike dhe kjo u pa qartësisht në pjesën e dytë kur ekipi i Brukës rrezikoi rrallëherë portën e Tiranës.

tirana beselidhja

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja në “Selman Stërmasi” me kualifikimin e bardhebluve pas suksesit 2-0.

90’ Jepen tre minuta shtesë.

86’ Edeh mban topin mes tre kundërshtarësh dhe pason për Karabecin i cili provoi me një gjuajtje nga distanca. Demi shfaqet në lartësinë e duhur duke pritur topin në pozicion.

73’ Hoxhallari tenton portën me një goditje të fortë diagonale nga rreth 20 metra, topi devijohet nga Demi i cili shpëton katërkëndorin e tij.

66′ Ritëm shumë më i ngadaltë i ndeshjes në pjesën e dytë. Besëlidhja duket se nuk beson më se ka forcën për të përmbysur rezultatin.

58’ Ndërrim tjetër te lezhjanët, Përgjoni zë vendin e Ajazit.

57’ Besëlidhja fiton një goditje dënimi në krahun e djathtë të sulmit, pranë vijës fundore. Karakaçi vë në provë Likën me një gjuajtje-pasim të fortë ndërsa më pas topi përfundon te Dibra i cili gjuan por sfera përfundon në rrjetën e jashtme.

54′ Taku largohet nga fusha e lojës për t’i bërë vend Halilit.

49’ Luan më e qetë Tirana në këto minuta të para të pjesës së dytë, duke preferuar të krijojë aksionet me shumë pasime për të shfrytëzuar në maksimum avantazhin e dyfishtë.

46′ Bruka lëviz menjëherë për të ndryshuar lojën e skuadrës së tij, duke aktivizuar Kastratin në vend të Seminës.

45’+3′ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e dyfishtë të Tiranës.

45′ Tre minuta shtesë për shkak të ndërprerjes së ndeshjes për rregullimin e flamurit të këndit.

43’ Sidibe provon me një tjetër gjuajtje nga distanca, këtë radhë pa shqetësuar shumë Likën pasi topi kalon shumë lart mbi traversë.

40’ Goditje dënimi perfekte nga e djathta e Karabecit, Hoxhallari devijon me kokë dhe topi ndalet në rrjetën e portës së skuadrës lezhjane. 2-0 dhe kualifikim thuajse i hipotekuar për Tiranën.

36′ Ndërpritet për 3 minuta ndeshja për shkak të rregullimit të njërit prej flamujve të këndit në gjysmëfushën e Tiranës.

31’ Situata zhvendoset menjëherë në portën tjetër, pas një kundërzbritje të shpejtë të Edeh, i cili shpërdoron para Demit duke mos arritur të kalojë topin mbi portierin edhe pse i vetëm para tij.

30’ Në goditjen nga këndi vijuese, Besëlidhja pretendon për penallti pas një prekje të dukshme të topit me dorë të Dokës. Alla e cilëson të pavullnetshme dhe bën shenjë për një tjetër goditje këndore.

30’ Karakaçi ekzekuton në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi, Lika përgjigjet me një grushtim të shkëlqyer duke kaluar topin mbi traversë.

24’ Penallti në favor të Tiranës. Kontakt në zonë mes Sidibe dhe Merveil, ndërsa gjyqtari Alla, pas konsultimit me vijërojtësin akordon 11-metërsh mes protestave të futbollistëve lezhjanë. Taku nuk gabon nga pika e bardhë dhe realizon golin e avantazhit për ekipin e tij.

19’ Në minutat e parë ka qenë Besëlidhja që është shfaqur më kërkuese dhe agresive në kërkim të një goli, për të kthyer fatin e kualifikimit në favor të saj. Ndërsa Tirana u beson më shumë kundërzbritjeve të shpejta, ndonëse mbrojtja lezhjane nuk ia ka dhënë mundësinë të rrezikojë portën e Demit në këtë mënyrë.

11’ Edhe Tirana regjistron një rast për të shënuar me anë të Karabecit pas një goditje dënimi të fituar në krahun e majtë. Kapiteni provon direkt me një diagonale të fortë por Demi shoqëron me sy topin që përfundon jashtë.

9′ Provon edhe Sidibe me një gjuajtje nga distanca, topi kalon pak mbi traversën e Likës. Në vështirësi në këto momente Tirana.

6’ Ngulmim i gjatë i futbollistëve të Besëlidhjes në krahun e majtë të sulmit ku disa lojtarë me radhë provojnë të godasin drejt kuadratit të bardhebluve. Në fund, Karakaçi gjuan drejt portës por nuk gjen kuadratin dhe sfera përfundon jashtë ngjitur me shtyllën në të djathtë të Likës.

3’ Hoxhallari provon të arrijë fundoren me një nga shpërthimet e zakonshme të tij në të majtën, Smajli kontrollon situatën duke larguar topin.

1′ Fillon ndeshja në Tiranë.

Tirana-Besëlidhja 2-0
24′ (p) Taku, 40′ Hoxhallari

Tirana: Lika, Doka, Teqja (64′ Cake), Turtulli, Hoxhallari, Karabeci, Akuah, Merveill, Taku (54′ Halili), Moise (78′ Daja), Edeh

Trajner: Mirel Josa

Besëlidhja: Demi, Smajli, Semina (46′ Kastrati), Dibra, Ndreca, Hepaj, Sidibe, Karakaçi (74′ O. Kamara), S. Kamara, Marashi, Ajazi (56′ Përgjoni)

Trajner: Alban Bruka

KV: Teqja / Sidibe, Dibra

Gjyqtar: Laver Alla

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"