VIDEO/ SuperXhixha i jep fitoren Tiranës dhe zgjat makthin e Partizanit. Kryeqyteti mbetet përsëri bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2022 | 23:58

VIDEO/ SuperXhixha i jep fitoren Tiranës dhe zgjat makthin e Partizanit. Kryeqyteti mbetet përsëri bardheblu

Dy gola të Redon Xhixhës i kanë siguruar fitoren 2-0 Tiranës në derbi ndaj Partizanit duke zgjatur në 6 numrin e serisë së ndeshjeve pa fitore të të kuqve në sfidat në kryeqytet.

Foto: F. Hazisllari

Foto: F. Hazisllari

Protagonisti kryesor i ndeshjes ishte Redon Xhixha, i cili në pjesën e parë humbi një penallti, por më pas shleu gabimin duke shënuar një gol me një kundërsulm model. Gjithçka teksa Tirana ishte në inferioritet numerik për shkak të kartonit të kuq të Lulajt.

Edhe më i bukur ishte goli i dytë, po me kundërsulm në pjesën e dytë të ndeshjes, kur mori topin para zonës së tij dhe shkoi në atë kundërshtare duke dyfishuar rezultatin. Më pas, ishte Partizani që u mundua më shumë të shënonte, për t’u kthyer në ndeshje, por me prapavijën e bardhebluve që nuk gaboi thuajse asgjë.

Kështu Tirana fiton derbin dhe ngjitet në vendin e dytë, duke dhënë një sinjal të qartë për të gjithë ata që dyshonin se bardheblutë nuk kishin më forcën e sezonit të kaluar dhe nuk do të ishin protagonistë në luftën për titull.

PARTIZANI-TIRANA 0-2
45’+1′, 68′ Xhixha

KOMENTI LIVE

90’+6’ Mbyllet derbi me fitoren e Tiranës 2-0.

90’+4’ Karton i kuq për Matondo, mesfushori ndalon Zhivanajn i cili po nisej drejt portës dhe gjyqtari nuk heziton t’i tregojë të kuqin duke barazuar numrin e lojtarëve.

90’+1’ Hedhja e sendeve në fushë detyron Xhajën të ndërpresë për herën e tretë sfidën.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

87’ Top nga e majta për Skukën në shtyllën e dytë dhe sulmuesi gjuan por Bekaj grushton.

85’ Partizani tenton me harkime të ndryshme nga jashtë zonës në qendër, por bardheblutë janë vendosur mirë në zonë. Mensah arrin të gjuajë një të tillë që vjen nga e djathta, por Bekaj është në pozicion.

82’ Telushi nuk mund të vazhdojë më për shkak të problemeve fizike dhe reziston vetëm 10 minuta në fushë, duke i lënë vendin Hodos. Mensah ndërkohë merr vendin e Buxhelajt.

81’ Përgjoni e Zhivanaj marrin vendin e Ismajlgecit dhe Xhixhës.

80’ Predhë nga Telushi në pozicion ballor, topi përfundon jashtë mbi traversë.

79’ Bekaj ndëshkohet me karton të verdhë për vonesa loje.

74’ Përsëri goditje ndaj Bekajt me sende që fluturojnë nga tribuna e ultrasve të Partizanit. Xhaja paralajmëron se do të ketë ndërprerje të ndeshjes nëse ndodh edhe një herë tjetër.

72’ Zëvendësim i trefishtë te Partizani me Hotin, Muratajn e Rrapajn të cilët i lënë vendin në fushë Telushit, Carës e Cvetanoskit.

68’ GOOOL TIRANA! Përsëri Xhixha i cili me një kundërsulm të rrufeshëm nga zona në zonë shënon edhe golin e dytë për bardheblutë.

63’ Harkim i rrezikshëm i Muratajt nga e djathta, topi kalon para portës së Bekajt dhe përfundon në fundore.

62’ Hila dhe Husein hyjnë në fushën e lojës në radhët e bardhebluve, me Hasanin dhe Toshevskin të cilët ulen në stol.

59’ Skuka i afrohet rrjetës me një gjuajtje të fortë nga e majta, topi përfundon jashtë katërkëndorit pasi kalon pasqyrën e portës.

54’ Goditje dënimi për Partizanin, Hoti harkon në zonë ku Da Silva gjuan por gjen përgjigjen e Bekajt. Pastaj gjuan Da Silva dhe topi kalon në vijën e portës, prek shtyllën e pastaj largohet nga mbrojtësit, por gjyqtari sinjalizon një pozicion jashtë loje.

48’ Situata zhvendoset në portën tjetër ku Da Silva gjen grushtimin e Bekajt dhe më pas portieri pret goditjen në qendër të Skukës.

48’ Goditje dënimi e Limajt nga distanca, Rexhepi devijon me vështirësi duke ruajtur portën nga goli i dytë.

47’ Sota ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Deliut.

46’ Nis pjesa e dytë e ndeshjes pa zëvendësime të tjera në radhët e dy ekipeve.

45’+6’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin minimal të Tiranës.

45’+3’ Goditje dënimi nga e djathta e Partizanit, Da Silva harkon për Bitrin por gjuajtja e këtij të fundit përfundon jashtë pa gjetur portën.

45’+1’ GOOOL TIRANA! Shënon Xhixha pas një kundërsulmi perfekt dhe një dalje të gabuar të Rexhepit.

45’ Jepen 6 minuta shtesë.

43’ Harkim perfekt i Buxhelajt nga e majta për Skukën në anën tjetër por gjuajtja e tij fluturimthi përfundon jashtë.

42’ Largohet nga fusha e lojës Patrik për t’i bërë vend Limajt, pasi Aleksi do të kthehet në qendër të mbrojtjes në këto minuta.

37’ Karton i kuq për Lulajn. Mbrojtësi ndalon Skukën në kufijtë e zonës teksa po nisej drejt portës. Xhaja bën shenjë që loja të vazhdojë dhe vetëm pasi topi del jashtë, një minutë më vonë, shkon të shohë pamjet me VAR. Pas verifikimit të pamjeve, ai i nxjerr kartonin lojtarit të bardhebluve si i fundit në momentin e aksionit.

32’ Xhixha me një kombinim me Hasanin dhe Patrik mundohet që të hyjë në zonë, por ndalet në kufijtë e zonës së rreptësisë.

30’ Presing i lartë i Tiranës e cila po mundohet të mbajë Partizanin sa më larg katërkëndorit të Bekajt.

26’ Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, Deliu tenton me forcë nga jashtë zonës por nuk ka shënjestrën për të gjetur portën.

25’ Mrekulli e Rexhepit! Portieri i Partizanit pret penalltinë e gjuajtur nga Xhixha.

24’ Pas dy minutash verifikim, Xhaja akordon penallti për bardheblutë.

xhaja var

19’-22’ Patrik hyn në zonë dhe merr një pasim në qendër pro pastaj rrëzohet pas një kontakti me Matondo, Xhaja bën shenjë që loja të vazhdojë ndërsa më pas pret përgjigjen edhe nga VAR. Ai vendos që të shkojë të shohë vetë pamjet.

16’ Gjuajtje e fortë e Skukës nga e djathta, sfera përfundon jashtë katërkëndorit të bardhebluve duke mos shqetësuar Bekajn.

16’ Gjuajtje e fortë e Skukës nga e djathta, sfera përfundon jashtë katërkëndorit të bardhebluve duke mos shqetësuar Bekajn.

11’ Kërkojnë prekje topi me dorë të kuqtë pas një tentative në zonë por Xhaja bën shenjë që loja të vazhdojë.

10’ Kombinim i shpejtë mes Skukës dhe Da Silva, por tentativa e këtij të fundit për të Hyrë në zonë ndalet nga mbrojtja e bardhjebluve.

4’ Fillimisht Deliu nga e djathta e pastaj Patrik nga e majta tentojnë pasimet në qendër të zonës, por asnjëri nuk ia del që të gjejë një shok skuadre, i ndalur nga mbrojtja e kuqe.

2’ Menjëherë rrezikshëm Tirana me një gjuajtje nga e djathta të Kallakut, pro ky i fundit nuk ia del të shenjëstroje portën.

1’ Nis ndeshja në “Air Albania”

FOMRACIONET ZYRTARE

PARTIZANI: Rexhepi, Buxhelaj, Sota, Bitri, Hadroj, Rrapaj, Matondo, Murataj, Da Silva, Hoti, Skuka.
Trajner: Xh. Kolela

TIRANA: Bekaj, Toshevski, Behiratçe, Lulaj, Ismajlgeci, Aleksi, Deliu, Hasani, Kallaku, Xhixha, Patrik.
Trajner: O. Shehi

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"