VIDEO/ Spektakël në Shkodër, Kukësi përmbys Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2020 | 0:00

VIDEO/ Spektakël në Shkodër, Kukësi përmbys Vllazninë

Gjashtë gola të shënuar, gabime në të dyja ekipet, përmbysje rezultati, shpirt gare, ndeshje me ritëm nga minuta e parë deri në të 95-ën, si dhe dëshira për fitore i nxori skuadrat nga skemat; ishte rezymeja e asaj që ndodhi dje në “Loro Boriçi”. Kukësi mori një fitore me përmbysje, 2-4, ndaj Vllaznisë, e cila pësoi humbjen e parë sezonale dhe tani nuk është më e vetme në krye, madje e dyta pas Partizanit që ka golavarazh më të mirë. Me këtë sukses Kukësi, edhe pse pa trajnerin Gega që ndodhet për kurim në Turqi, ka arritur të gjejë trajektoren e kthesës. Goli i parë u shënua në minutën e katërt me Dungën, më pas vjen dygolëshi i Ibraimit për Kukësin, në minutën 14 dhe me penallti në të ’22-ën. 

128340636_2432632676882065_720455259082197816_n

Eze shënon golin e tretë për verilindorët në të ’75-ën. Ardit Hoxhaj me golin që shënoi në minutën e 85-të i dha shpresë Vllaznisë, por ajo shuhet në limite, ku në minutën e 95-të Limaj vulos fitoren e Kukësit në shifrat 2-4. Kukësi me këtë sukses ka kapur “ashensorin” në ngjitje, mbetet për t’u parë sesi do të reagojnë shkodranët pas disfatës së parë sezonale, Kupë dhe kampionat.

PJESA E PARË – Me Isaevskin e pezulluar dhe Da Silvën e dëmtuar trajneri i Vllaznisë, Brdariç, e nisi takimin me ndryshime pozicionesh në formacion. Ndërsa trajneri Hallaçi i besoi grupit fitues me Laçin. Takimi nis i vrullshëm dhe janë vendasit që e gjejnë golin që në minutën e katërt, ku Dunga shfrytëzoi gabimin e Lulajt. Kukësi nuk stepet nga goli, por gjen forca për të reaguar dhe pas 10 minutash barazojnë shifrat me Ibraimin. Loja nis e bëhet edhe më e bukur, pasi të dyja ekipet janë në manovër sulmuese. Në minutën e 21-të ka penallti për miqtë, pasi topin e harkuar nga Gashi në të majtë, Gurishta gjatë kërcimit në ajër ka dorën e hapur që prek edhe topin. Vendasit pretendojnë që prekja ishte jashtë zonës, por gjyqtari Meta është i bindur për penallti. Një minutë më pas është Ibraimi që tregohet i saktë nga pika e bardhë, duke përmbysur avantazhin e vendasve. Loja nuk e humb ritmin. Në minutën e 25- të Dunga humbet një mundësi të pastër për të barazuar, por portieri Tafa bllokon gjuajtjen. Përpos ritmit dhe dëshirës për të zhvilluar një lojë dhe futboll të bukur, 45 minutat e para u mbyllën në shifrat 1-2 për Kukësin.
128208323_2432632740215392_6887942073158232106_n

PJESA E DYTË – Vllaznia e nis pjesën e dytë në kërkim të golit të barazimit, por verilindorët janë të kujdesshëm në lojën e tyre. Ndeshja vijon të ketë ritëm. Ndërrimi i parë vjen në minutën 59-të, ku Gashi i lë vendin Kotobellit. 4 minuta më pas Kukësi bën një zëvendësim të detyruar. Kapiteni Ibraimi, i dëmtuar, ia lë bendin Ymerit. Duke parë që goli nuk po vinte, në minutën e 68-të trajneri Brdariç hedh në fushë sulmuesin Ardit Hoxhaj në vend Jonuzit. Në të ’74-ën Dunga i dëmtuar del nga fusha dhe në vend të tij hyn Çoba. Kur pritej goli i barazimit, Kukësi shënon golin e tretë me Eze në minutën e 75-të, që përfiton pas gabimit në dalje i portierit Zogoviç. Loja është e bukur dhe dëshira për të shënuar bën që të dy ekipet të dalin nga skemat dhe ekipet janë sa në sulm dhe në mbrojtje. Në minutën e 83-të Eze i dëmtuar ia lë vendin Domit, ndërsa te Vllaznia Ramadani dhe Kalaja hyjnë në vend të Imerit e Krymit. Menjëherë vjen goli i Ardit Hoxhajt në 85-ën, që i jep zemër shkodranëve që hidhen të gjithë në sulm, madje në një rast edhe portieri Zogoviç. Por me një kundërsulm, në minutën e 95-të Limaj shënon golin e katërt që vulos fitoren e verilindorëve në shifrat 2-4.

FT| VLLAZNIA-KUKËSI 2-4
Dunga 4′ , Hoxhaj 86′ / Ibraimi 14′, 22′ (p), Eze 76′ , Limaj 90’+4 

MINUTAT:

95′ Kundërsulm i kuksianëve. Demiri shërben për Limajn që marshon drejt portës. Gjuajtjen e parë e ndal Zogoviç, por topi sërish shkon te Limaj që e dërgon në rrjetë. 2-4 për Kukësin

85’Imami nga e majta shërben në zonë, Ardit Hoxhaj me kokë shënon një gol të bukur. Rezultati shkon në shifrat 2-3.

84′ Dy zëvendësime te Vllaznia. Ramadani dhe Kalaja futen në lojë, dalin Krymi dhe Imeri.

82′ Eze çalon dhe lë ndeshjen në mes. Trajneri i Kukësit Hallaçi hedh në fushë Domin.

80′ Karton i dytë i verdhë te Vllaznia. Mevlan Adili ndëshkohet për frenimin e gabuar të sulmuesit të Kukësit Patrik Eze.

75′ Taipi nga këndi shërben te shtylla e dytë e portës. Zogoviç gabon në dalje dhe Eze me kokë e dërgon topin në rrjetë. 1-3 për Kukësin.

53′ Imeri nga këndi shërben për Jonuzin, i cili e dërgon topin në drejtim të portës, por që përfundon në duart e portierit Tafa.

43′ Imeri nga këndi shërben në zonë, Dilaver me kokë shërben për Dungën, por portieri Tafa është më i shpejtë dhe “rrëmben” topin.

25′ Dunga ka një mundësi, por në fund është portieri Tafa që ndal gjuajtjen e sulmuesit që gabon në finalizim.

22′  Ibraimi gjuan nga pika e bardhë dhe shënon, 1-2 për Kukësin.

21′ Gashi top në zonë, Gurishta gjatë kërcimit e prek topin me dorë dhe gjyqtari akordon penallti.

 14′ Leiria ul topin me kokë për Eze, i cili pas një manovre me trup, gjuan, topi grushtohet nga portieri Zogoviç, por përfundon te Ibraimi, që nga e djathta e dërgon “sferën” në rrjetë. Rezultati barazohet në shifrat 1-1.

4′ Kruja lëshon top në zonë, Lulaj në tentativë për ta larguar “sferën” gabon, pasi me kokë e ul për Dungën që nuk e ka të vështirë të shënojë. 1-0 për Vllazninë.

FORMACIONET ZYRTARE:

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Imeri (Kalaja 84′), Krymi (Ramadani 84′), Jonuzi (A. Hoxhaj 68′), Marku, Kruja, Dunga (Çoba 74′), Dilaver. (Në dispozicion: Qarri, Isufi, Lekaj, N.Hoxhaj, Shehi, Hoxha, A.Hoxhaj). Trajner: Tomas Brdariç.

KUKËSI: Tafa, Dragoshi, Bytyçi, Lulaj, Demiri, Limaj, Taipi, Ibraimi (Ymeri 63′), Leiria, Gashi (Kotobelli 59′), Eze (Domi 83′). (Në dispozicion: Xhika, Elezaj, Hasdedaj, Gavazaj, Zijaij, Karaj, Peposhi). Trajner: Rraman Hallaçi.

KARTONË TË VERDHË: Imeri 70′, Imami 74′, Adili 79′ / Demiri 43′, Dragoshi 90+4′

DELEGAT: Alban Tafaj (Tiranë)

VËZHGUES: Arjan Mali (Patos)

GJYQTARËT: K. Meta, N. Bregasi, M. Llukmani (Tiranë)/ pas porte: B. Ziri (Fushë- Krujë), K. Bajramaj (Tiranë)

128541861_407459900297474_3413148247036941385_n

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"