VIDEO/ Spektakël i Kukësit, i jep leksion Tiranës dhe rihap kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 23:57

VIDEO/ Spektakël i Kukësit, i jep leksion Tiranës dhe rihap kampionatin

 

Tirana humbet në shtë pi me Kukësin dhe vë në rrezik titullin e 25- të që ishte tre gola larg. Orges Shehi dhe Kukësi i tij u japin një leksion të mirë bardhebluve të Emanuel Egbosë, që dje rrezikuan turpërimin, pikërisht në ditën që donin të festonin. Po të mos ishte për gabimet e Kukësit, sot do të flisnim për një rezultat të thellë, ndërkohë që Tirana ishte e shpërfytyruar në fushë. Jo vetëm kaq, por tani skuadra bardheblu duhet të kalojë nga ferri i derbit dhe një rrëshqitje këmbe nuk sjell gjë tjetër veçse kompromentimin e një sezoni, që deri para sfidës me Kukësin ishte perfekt.bandicam 2020-07-06 19-02-13-939

NDESHJA – Pa Bathën dhe Dokën, Tirana paraqitet kundër Kukësit po me mungesa, sepse Obanor e Shkurtaj bënin poza në tribunë. Gjithsesi, kuksianët e nisin më të vendosur lojën. Para zonës Abazaj rrotullohet, godet, topi shkon ngjitur me shtyllën e Likës. Një minutë më vonë pikërisht në të 16-ën, Tirana kërkon penallti, pas një prekjeje të topit me dorë të Krasniqit. Për gjyqtarët nuk është 11-metërsh. Minuta e 20-të, Rroca gjendet i vetëm në zonë, gjuan, por është Hoxhallari që në vijën fatale shmang golin. Çfarë rasti! Kukësi vazhdon të ushtrojë presion dhe në minutën e 35- të, Valon Ethemi në ecje e sipër godet, por Lika pret i qetë, duke i mohuar golin Kukësit. Ofensiva kuksiane e pjesës së parë mbyllet në të 39-ën me Rrocën që i jep një supertop Ethemit, i cili del vetëm me Likën, por humb një gol të sigurt.

Rastin e fundit të 45- minutëshit të parë e ka Tirana me Kobinën që në vend të gjuajë në portën e Kukësit, pason te Kaleja, ndërsa braziliani me portën bosh nuk çon dot topin në rrjetë. Pjesa e dytë nuk sjell ndryshime në rreshtim, por nis me një rast të madh për Tiranën që nuk konkretizohet në gol. Kombinim Kale-Torasa, ndërsa argjentinasi nxjerr vetëm Ngonë që i ka të gjitha mundësitë për të shënuar, por vetëm pason te Xhika. Askush nuk u beson syve në stadium. Në minutën e 52-të, pas i Kotobellit për Kuperin, që godet, por Lika e Muça shpëtojnë portën. Afrikani, më i fortë, fiton duelet me Muçën e Hoxhallarin, aq sa në minutën e 59-të vjen goli i avantazhit. Ethemi gjuan nga 20 metra, grushton Lika, sulmuesi i Kukësit që harrohet nga Muça në pozicion të rregullt, përfiton nga sfera e lënë në zonë dhe e çon topin në rrjetë. 0-1 për miqtë, ndërsa pakënaqësia e bardhebluve në stadium është e madhe.bandicam 2020-07-06 17-52-13-356

Tirana nga ana e saj, në vend të hidhet në sulm, humbet fillin, logjikën e kthjelltësinë. Një gjuajtje me kokë e Muçës është shumë pak, sepse më pas vjen breshëria e kuksianëve që nga minuta e 84-t deri në të 94-tën mund të kishin shënuar pesë gola. Si fillim, supergol i Ethemit. Hasani tenton të largojë topin e pasuar keq nga Hoxhallari, sfera shkon pas tek Ethemi që me një parabolë çon topin në cepin e sipërm të portës së Likës. 0-2 e Tirana shkalafitet. Dy minuta më vonë, tjetër mundësi shënimi për Kukësin, por shtylla i mohon golin e tretë Kristal Abazajt, pas një kundërsulmi vrastar. Shpëton për mrekulli porta bardheblu, pasi Gavazaj pas shtyllës gjuan jashtë. Në minutën e 90-të, tjetër shtyllë për ekipin e Kukësit, kësaj here ishte Vesel Limaj ai që “flirtoi” me golin, teksa godet shtyllën.

Edhe Domi shkon afër golit, ashtu si Rroca. Ndeshja mbyllet me rrjetën e Tiranës që në minutën e 94-t shkurton rezultatin me anë të Ngosë. Çelhaka lëshon një parashutë në zonë, përfiton anglezi që këtë herë nuk gabon dhe shënon golin e parë të ndeshjes për bardheblutë. I pavlerë ky gol për skuadrën 24 herë kampione, sepse disa sekonda më pas Bajramaj mbyll takimin. Fiton Kukësi që çon diferencën në gjashtë pikë, ndërsa bardheblutë zhvillojnë ndeshjen më të dobët, pas Bylisit. Tani Tirana duhet të mos humbasë në derbi, sepse një humbje me të kuqtë do të thoshte vetëm tri pikë avantazh ndaj vendit të dytë. Dhe Kukësi është aty me laps në dorë për të përfituar nga gabimet e Tiranës. Më shumë se kurrë te Kukësi kanë një shpresë për vendin e parë, ashtu si Tirana për titullin. Gjithsesi, çdo rrugë të çon në një vend, Partizani…

FT: TIRANA-KUKËSI 1-2

Ngo 90+4′ / Kuper 58′, Ethemi 84′

KOMENTI LIVE:

90+4′ GOOOOOL TIRANA 1-2/ Majkëll Ngo gjen rrugën e rrjetës në sekondat e fundit të lojës, duke mos falur brenda zonës. Por koha nuk mjafton. 

90+2′ Edhe një tjetër rast për skuadrën e Kukësit. Kësaj here ishte talenti Domi, gjuajtja e tij shkoi ngjitur me shtyllën e majtë pingule.

90′ Akordohen 4 minuta shtesë!

90′ Tjetër shtyllë për ekipin e Kukësit, kësaj here ishte Vesel Limaj ai që “flirtoi” me golin.

89′ Zëvendësim edhe te Tirana, largohet Vangjeli, në lojë Sidibe.

89′ Kukësi kryen 2 zëvendësime, largohet Abazaj dhe Musolli, vendin e tyre e zënë, Domi dhe Teqja.

88′ Edon Hasani ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Xhikës.

86′ Tjetër mundësi shënimi për Kukësin, shtylla i mohon golin e tretë Kristal Abazajt, pas një kundërsulmi vrastar. Shpëton për mrekulli porta bardheblu.

84′ GOOOOOOL KUKËSI 0-2/ Valon Ethemi realizon një supergol me parabol, duke dyfishuar shifrat. Shpërthen festa në kampion verilindor. 

81′ Zëvendësim te Tirana, largohet Kale, vendin e tij e merr Ernest Muçi.

78′ Abazaj shpërthen bukur nga krahu i majtë, por verilindorët hasin vështirësi në finalizim.

73′ Zëvendësim te Kukësi, largohet Kuper, vendin e tij e merr Enis Gavazaj.

72′ Kombinim mjaft i bukur i futbollistëve të Kukësit, por Ethemi gabon në momentet e fundit teksa tentoi të shërbente për Gavazajn.

69′ Ndëshkohet me karton të verdhë Torasa për prekje të topit me dorë.

67′ Zëvendësim te Tirana, largohet Karabeci, vendin e tij e zë Hasani.

65′ Rroca provon me një gjuajtje të rrezikshme nga distanca, por kontrollon gjithçka Lika.

63′ Lulaj ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Kobina.

62′ Gentian Muça provon me kokë, por gjuatja e tij ishte qëndore dhe kontrollohet lehtësisht nga portieri Xhika.

58′ GOOOOOL KUKËSI 0-1/ Zhbllokohet sfida, Kuper i harruar brenda zonës mposht portierin Lika, duke kaluar në avantazh verilindorët! 

56′ Ethemi provon me kokë pas harkimit nga e majta e Maliqit, por tentativa e futbollistit të skuadrës verilindore, shkon jashtë kuadratit.

52′ Kundërpërgjigjet Kukësi me Kuper, i cili nuk shtyn drejt rrjetës një harkim mjaft të bukur të Kotobellit nga e majta.

49′ Pranë golit skuadra e Tiranës me Majkëll Ngo. Sulmuesi anglez ka shpërdoruar një penallti në lëvizje, duke e dërguar topin në duartit e portierit Xhika.

46′ Starton pjesa e dytë!

ERANDO KARABECI: “Duhet të kemi kujdes. Ndeshjen e kemi përgatitur që të sulmojmë dhe ta fitojmë. Në një ndeshje të fortë mes 2 ekipeve me kualitet, rastet janë të pranueshme”.

BESART MUSOLLI: “E rëndësishme është që i krijuam rastet. U rrezikuam nga gabimet tona. Duhet të jemi më të përgjegjshëm para portës. Po të kishim shënuar loja do të ishte ndryshe”.

Mbyllet pjesa e parë! Tirana 0 gjuajtje në portë, kundrejt 2 të Kukësit. 

45′ Akordohen 2 minuta shtesë.

43′ Mundësi e shkëlqyer për Tiranën, Kobina, nuk shërben siç duhet për Majkëll Ngo. Nuk i besojnë syve drejtuesit bardheblu.

39′ Mundësi e artë për verilindorët, e pabuesueshme çfarë humbet Ethemi, pas një skeme fantastike, futbollisti i skuadrës verilindore ka shpërdoruar një rast të artë.

37′ Kuper është i ndëshkuari i parë i sfidës për ndërhyrje të gabuar ndaj ndaj Hoxhallarit.

35′ Pranë golit Kukësi. Pas një inkursioni nga krahu i majtë, topi ka shkuar te Ethemi, i cili provon me një goditje, por ndal gjithçka portieri Ilion Lika.

32′ Bruno Lulaj ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Torasës, gjyqtari Bajramaj e fal.

29′ Hoxhallari ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Kuperit, goditje dënimi për verilindorët.

20′ Rast ideal për Kukësin, Hoxhallari bën heroin duke shpëtuar skuadrën nga një gol i sigurt, pas gjuajtjes së Rrocës, me fat kryeqytetasit.

16′ Tirana pretendon për 11-metërsh për prekje të topit me dorë brenda zonës nga ana e Krasniqit, por vazhdon lojën gjyqtari Bajramaj.

15′ Abazaj provon me një gjuajtje të rrezikshme në hyrje të zonës, por topi shkon ngjitur me shtyllën e majtë pingule.

13′ Kukësi provon të surprizojë me një skemë nga goditja e këndit, por harkimi i Maliqit është i gabuar.

10′ Tifozët e Tiranës të shumtë në numër jashtë stadiumit, duke mbështetur skuadrën me koret e tyre.

7′ Mungojnë rastet e rrezikshme në portat respektive, skuadrat qarkullojnë topin.

3′ Ngo përplaset me Maliqin gjatë një dueli në sulm, futbollistët e Kukësit kërkojnë ndëshkimin e anglezit, por nuk mendon kështu gjyqtari Bajramaj.

2′ Verilindorët e nisi në sulm ndeshjen, dhe provojnë të rrezikojnë nga e majta, por largon gjithçka Hoxhallari.

1′ Ka nisur supersfida në “Selman Stërmasi”.

 

FORMACIONET

TIRANA: Lika, Vangjeli (Sidibe 89′), Muça, Hoxhallari, Ismajlgeci, Torasa, Çelhaka, Karabeci (Hasani 67′), Kale (Muçi 82′), Kobina, Ngo. (Në dispozicion: Bakaj, Osmani, Kraja, Stafa, Morina, Halili, Dunga). Trajner: Emanuel Egbo

KUKËSI: Xhika, Kotobelli, Krasniqi, Lulaj, Limaj, Ethemi, Maliqi, Musolli (Teqja 89′), Rroca, Kuper (Gavazaj 73′), Abazaj (Domi 89′). (Në dispozicion: Avdyli, Basha, Hallaçi, Hida, Mateli, Musta, Çema). Trajner: Orges Shehi

KARTONË TË VERDHË: Torasa 70′, Hasani 88′ / Kuper 37′, Lulaj 63′

VËZHGUES: Plarent Kotherja

DELEGAT: Marjus Sulejmani

GJYQTARET: Kreshnik Bajramaj, Ridiger Çokaj, Dojando Myftari, Denis Rexha;

Gjyqtarë linje: Enea Jorgji, Juxhin Xhaja

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"