VIDEO/ Spektakël, gola dhe karton i kuq, Bylisi dhe Partizani ndahen në “paqe”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 23:55

VIDEO/ Spektakël, gola dhe karton i kuq, Bylisi dhe Partizani ndahen në “paqe”

Bylisi dhe Partizani janë ndarë në barazim në duelin e javës së 32-të të kampionatit, ku pak u ka vlejtur të dyja ekipeve pika që ndanë dje në “Adush Muça”. Gjithsesi, edhe kësaj radhe u vërtetua konstatimi se ballshiotët mbeten “mace e zezë” për “demat”, të cilët në katër përballjet e këtij edicioni nuk kanë arritur në asnjë rast që të fitojnë. Madje, fitorja e fundit ndaj Bylisit daton më 9 mars 2016. Me barazimin e djeshëm bilanci i katër sfidave sezonale mes dy ekipeve shkon në një fitore për Bylisin dhe tri barazime. Takimi i djeshëm pati dy tablo, ku në të parën janë vendësit ata që dominojnë, ku në minutën e 18-të e gjejnë golin me Ndrecën. Ndërsa në pjesën e dytë vendësit janë më të plogësht, mbase edhe nga lodhja e ndeshjes së Kupës që e fituan në mesjavën e shkuar ndaj Tiranës.

bylis partizani

Partizani tregoi ngjyra më të theksuara në të dytën, ku arriti të barazonte në minutën e 71-të me Braunin, si dhe shpërdoroi disa mundësi goli, ku vetëm Tedi Cara pati dy raste “të arta”. Me pikën që ndanë të dyja ekipet nuk arritën të bënin hapa para për objektivat e mbetur. Bylisi ka dy pikë më shumë se Vllaznia e vendit të tetë që të dërgon në “play out”, ndërsa Partizani ka 5 pikë më pak se Teuta për të kapur zonën “europiane”.

NDESHJA

Të dyja ekipet vinin në këtë takim me probleme, ku kishin lojtarë të dëmtuar dhe të pezulluar. Bylisi e nisi pa Goxhën, i cili ishte pezulluar nga klubi për rastin e penalltisë së humbur ndaj Tiranës në Kupë, si dhe disa lojtarë si Barjamaj, Mozone dhe Hadroi që ishin me probleme dëmtimesh. Partizani vinte pa Belicën dhe Boldorin, pasi ishin të dëmtuar, kështu që u adaptua Hakaj si qendërmbrojtës pranë Bitrit, ndërsa Solomon ishte i pezulluar nga kartonët. Bylisi, ndonëse me ndryshime në fazën sulmuese, dukej më i freskët dhe merr iniciativën, ku në 6 minutat e para pati tri raste për shënim. Partizani duket i plogësht në çdo aspekt duke rënë pre e presionit lart të vendësve. Kjo gjë konkretizohet me gol nga ballshiotët në minutën e 18-të, kur Edison Ndreca realizon nga një goditje dënimi, duke përfituar edhe nga pakujdesia e portierit Alban Hoxha në momentin e fundit. Në minutën e 34-t miqtë bëjnë një zëvendësim të detyruar, ku Llanaj i dëmtuar ia lë vendin Braunit.bandicam 2020-07-06 19-34-54-127

Partizani jep shenja jete vetëm në minutën e 36-të, por edhe në këtë rast fati është me vendësit, pasi shtylla pingule e portës ndal topin e gjuajtur nga Çinari. Pjesa e parë mbyllet me një rast të Malçit, por Hoxha reagon në kohë. Të dyja ekipet e nisin fraksionin dytë pa ndryshime, por të kuqtë duken të tjetërsuar, pasi luajnë më mirë dhe krijojnë më shumë raste dhe janë më dominues se vendësit. Partizani vihet në kërkim të golit, por pa rezultat. Në minutën e 55-të vjen ndërrimi i parë te Bylisi, ku Sallaku me probleme ia lë vendin Qardakut. Në minutën e 68-të Sormani freskon sulmin, ku Bardhi ia lë vendin Carës.

Në minutën e 70-të Braun humbet një mundësi shënimi, por një minutë më pas xhamajkani finalizon me sukses asistin e dhënë nga Trashi duke barazuar shifrat në 1-1. Tri minuta më pas Dovedan aktivizon Peçin në vend të Malçit dhe në të 77-ën Sormani i përgjigjet me Koten në vend të Melos. Në 10 minutat e fundit Partizani lufton për gjithçka dhe ka disa mundësi shënimi, ku dy herë Cara dhe në një rast Braun nuk arrijnë të shënojnë golin e suksesit. Në minutën e 87-të Bylisi ngelet me 10 vetë, pasi Mëllugja merr kartonin e dytë të verdhë. Minuta 93 mund të prodhonte fitues në të dyja kahet. Fillimisht është Hoxha që ndal predhën e Ndrecës dhe me kundërsulmin final, Tedi Cara shpërdoron në finalizim.

FT| Bylis-Partizani 1-1

Ndreca 18’/ Braun 70′

KOMENTI LIVE:

Mbyllet takimi!
93′ Çfarë ka humbur Cara, i cili i vetëm me portierin nuk ia del të shënojë!

92′ Pranë golit Bylisi, me Ndrecën që gjuan bukur, por Hoxha bën heroin me nje superpritje.

86’ Bylisi ngel me 10 lojtarë! Mëllugja ndalon Carën në një kundërsulm, por gjyqtari akordon goditje dënimi dhe e ndëshkon me karton të verdhë i cili është i dyti për të.

85’ Tjetër mundësi e artë shënimi për ekipin e Sormanit, Braun gjuan bukur në zonë, por Hidi bën heroin.

81’ Vazhdon të kërkojë me ngul golin e dytë Partizani. E pabesueshme çfarë ka humbur Caran ë zonë, pas një krosimi perfekt të marrë nga Idrizaj.

78′ Raste të mira për miqtë në këto momente! Çinari lëviz bukur në të majtë, por gabon në fund me pasimin e tij.

76’ Tjetër lëvizje te Partizani, Sormani largon Uilliam Kordeiro dhe inkuadron Kristi Koten në vendin e tij.

75’ Pranë golit të dytë Partizani. Çinari nuk ia del të shfrytëzojë një top perfekt në zonën e rreptësisë të marrë nga Braun.

70’ GOOOOOOOOOL 1-1 Partizani! Fantastik Braun, i cili pasi merr një krosim perfekt nga Trashi në krahu i majtë ia del të mposhtë Hidin dhe ta dërgojë topin në rrjetë.

68’ Tjetër zëvendësim te Partizani, largohet nga fusha e lojës Jurgen Bardhi, për t’i lënë vendin Tedi Carës.

62’ Pranë golit të dytë Bylisi! Është përsëri Ndreca që kërcënon me një gjuajtje të fortë pranë zonës, por topi shkon jashtë.

60’ Lëviz bukur Braun brenda zone, por në momentin e fundit mbyll gjithçka Shkalla i cili largon topin në rivënie anësore.

55’ Provon me një gjuajtje të fortë me të majtën Çinari, pret Hidi.

54’ Dëmtohet Sallaku dhe nuk mund të vazhdojë dot lojën. Futet në fushë Qardaku.

50’ Pranë golit Partizani! Çinari jep një pasim shumë të bukur në zonë, tenton Melo por Hidi i vëmendshëm ndal gjithçka.

45′ Starton pjesa e dytë, kryeqytetasit menjëherë në sulm në kërkim të golit.

Mbyllet pjesa e parë!

45’ Gjyqtari akordon dy minuta shtesë

44’Goditje dënimi për Partizanin pranë zonës. Tek topi shkon Telushi, i cili provon me një skemë duke dërguar topin te Braun, por ky i fundit gabon.

42’ Depërton bukur Malçi nga e djathta, i cili tenton të pasojë në zonë, por ndalon Alban Hoxha.

37’ Pranë golit të barazimit Partizani! Çinari lëviz bukur në zonë lëshon një gjuajtje me të majtën, por topi ndalet në shtyllë.

32’ Probleme për Llanaj i cili mbetet i dëmtuar në fushë. Stafi mjekësor futet në fushë për të dhënë ndihmën e parë. Nuk mund të vazhdojë më tej ndeshjen, Sormani e zëvendëson me Braun.

28’ Ndërhyrje e ashpër e Silvester Shkallës ndaj Bardhit në mesin e fushës, gjyqtari nuk fal dhe e ndëshkon me karton të verdhë, i cili është kartoni i parë për ndeshjen e sotme.

26’ Aksion model i Bylisit, me lojtarët ballshiotë që kombinojnë bukur në mesfushë dhe nisin Ndrecën, por ky i fundit është pozicion jashtë loje.

23’ Mundësi e mirë për Partizanin, me Trashin që fiton goditje dënimi pranë zonës së Bylisit, pikërisht mbrojtësi i majtë kroson, por topi shkon larg zonës së rreptësisë.

18’ GOOOOOOOOL 1-0 Bylis! Fantastik Edison Ndreca i cili lëshon një predhë nga goditja e dënimit dhe ia del të shënojë, me Hoxhën që mundohet ta largojë, por topi e ka kaluar vijën e portës.

13’ E pabesueshme çfarë humb Çinari! Sulmuesi shkodran shfaqet i vetëm me portierin Hidi, por gjuan shumë keq dhe ndalet goditja e tij.

10’ Bardhi provon të përfitojë nga një gabim i mbrojtjes së Bylisit gjatë kthimit të topit pas, por Hidi i vëmendshëm largon menjëherë.

8’ Ndeshje shumë e bukur në Ballsh! Rrezikon Partizani me Trashin që shkëputet nga krahu i majtë dhe jep një krosim për Bardhin në zonë, por Hidi del me shpejtësi dhe largon topin.

5’ Rrezikon përsëri Bylisi, këtë herë me Valentino Murataj, i cili gjuan bukur nga jashtë zone, por pret përsëri Hoxha, duke dërguar në goditje tjetër nga këndi.

3’ Rrezikon Bylisi me Edison Ndrecën i cili lëshon një predhë nga jashtë zone me të majtën, por Hoxha largon në vështirësi në goditje nga këndi.

1’ Menjëherë në sulm Partizanit, me Bardhin që shpërthen në krahun e djathtë, por mbyllet në limitet e zonës nga ballshiotët.

Starton takimi në “Adush Muça”!

 

FORMACIONET
BYLIS: Hidi, Ntepe, Shkalla, Janku, Peposhi, Mëllugja, Ujka, Ndreca, Murataj, Sallaku (Qardaku 55’), Malçi (Peçi 74’). (Në dispozicion: Beqaj, Barjamaj, Hadroi, Mozone, Kosti, Vrenozi). Trajner: Veljko Dovedan
PARTIZANI: Hoxha, Idrizaj, Bitri, Hakaj, Trashi, Telushi, Melo (Kote 77’), Broja, Llanaj (Braun 34’), Çinari, Bardhi (Cara 68’). (Në dispozicion: Teqja, Malaj, Hasa, Dajçi, Kodra, Kote, Hasa). Trajner: Adolfo Sormani
Kartonë të verdhë: Shkalla 29’, Mëllugja 74’, 87’/ Maxela 86’ (zv.trajner) /
Karton i kuq: Mëllugja 87’ (2kv)
Delegat: Bujar Pregja (Tiranë) / Vëzhgues: Astrit Dervishi (Shkodër)
GJYQTARET
K.Kola (Tiranë), O.Grabova (Fier), R.Malaj (Vlorë)

105884923_268833697757168_8554888722892092867_n

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"