VIDEO/ Skënderbeu katastrofë, Kukësi i Josës e nis me “poker”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2021 | 0:00

VIDEO/ Skënderbeu katastrofë, Kukësi i Josës e nis me “poker”

Skënderbeu turpërohet në shtëpi përballë Kukësit me një humbje të thellë që i kushton vendin e punës trajnerit Julian Ahmataj. Një tjetër paraqitje për t’u harruar kjo e skuadrës korçare, e cila ishte thuajse inekzistente në fushën e lojës, duke pësuar 3 gola në pjesën e parë, 2 prej të cilëve në harkun kohor të 2 minutave. Një fotokopje e ngjashme me takimin e disa javëve më parë ndaj Partizanit, pasi edhe këtë herë korçarët e humbën ndeshjen që në 8 minutat e para të lojës dhe më pas u dorëzuan pa reaguar në asnjë moment.

Skenderbeu-Kukesi555

Në fushën e lojës dukej se kishte vetëm një skuadër dhe ata ishin verilindorët e Mirel Josës, i cili debutoi me “poker” golash, dhe që nuk e vunë në asnjë moment në diskutim fitoren. Kjo ishte e treta radhazi në kampionat për skuadrën kuksiane, ndërkohë që Skënderbeu fitoren e fundit e ka regjistruar në 30 dhjetor 2020 përballë Bylisit.

NDESHJA – Nuk ka pasur asnjëherë histori ky takim, teksa edhe në fushë dukej sikur luante vetëm një ekip, ai i Mirel Josës, i cili filloi të siguronte fitoren që në minutat e para të takimit. Gjithçka nisi më së miri për verilindorët të cilët krijojnë rastet e para që në startin e sfidës. Pa u mbyllur pesë minuta lojë, kuksianët kalojnë në epërsi me Ibrahimin.

Kapiteni i Kukësit është lënë i lirë nga mbrojtësit korçarë dhe nuk e ka të vështirë që me të majtën të mposhtë Dajsinanin. Skënderbeu shokohet që në start dhe nuk reagon dot, ndërsa Kukësi bën çfarë të dojë në prapavijë. Në minutën e shtatë të takimit është Limaj që përfiton nga mbrojtja inekzistente e Skënderbeut dhe dyfishon shifrat.

Kukësi nuk ndalet edhe pas avantazhit të dyfishtë, teksa fillimisht Ibraimi dhe më pas Limaj kanë raste për ta thelluar rezultatin, por nuk janë treguar të saktë. Për të parë rastin e parë e të vetëm të Skënderbeut duhet të presim 30 minuta, kur Mensah nuk arrin dot të godasë saktësisht portën e Xhikës. Atë që nuk e bën Skënderbeu, e bën Kukësi.

Në minutën e 32-të të besuarit e Josës shënojnë sërish, këtë herë me Leirën, që goditi nga brenda zonës pas një pasimi të saktë të Dragoshit. Ahmataj dorëzohet dhe në vend të reagojë, kërkon të provojë elementët e rinj të ardhur së fundi në ekip. Kukësi duket sikur e mëshiron Skënderbeun e katandisur keq dhe heq këmbën nga gazi duke u munduar të qarkullojë topin dhe të shtyjë minutat.

Me Skënderbeun e pafuqishëm, verilindorët shënojnë edhe golin e katërt me autor Limajn këtë herë me Leirën asistues. Pas këtij goli nuk ka më asgjë. Korçarët dalin kokulur pa treguar aspak grintë dhe dëshirë për të bërë qoftë një paraqitje pozitive.

FT: SKËNDERBEU-KUKËSI 0-4

Ibraimi 5′, Limaj 7′, 62′, Leira 32′

KOMENTI LIVE:

Përfundon takimi!

90′ Akordohen 3 minuta shtesë. 

86′ Zëvendësim te Kukësi, largohet Tapi vendin e tij e merr Ersil Ymeri.

82′ Ndëshkohet me karton të verdhë edhe Mara për ndërhyrje të gabuar ndaj Taipit.

81′ Zëvendësim te Kukësi, largohet nga loja Ibraimi, në vendin e tij Zenel Gavazaj.

80′ Kuper ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në sulm ndaj Douanës.

73′ Zëvendësim te Kukësi largohet nga fusha e lojë Peposhi, në vend të tij sulmuesi Kuper.

70′ Skënderbeu provon të shënojë golin e nderit me Mensah, gjuajtja e sulmuesit shkoi mbi kuadrat.

70′ Zëvendësim te Skënderbeu largohet nga fusha Elvi Berisha, vendin e tij e merr Shabani.

69′ Kurdiç ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Mensah.

68′ Tjetër goditje e rrezikshme e Limajt, gjuajtja shkon ngjitur me shtyllën, pranë golit të tretë personal mesfushori.

62′ GOOOOL KUKËSI 0-4/ Tjetër gol i verilindorëve. Ishte sërish  Limaj, që realizon kështu dopietë personale. Pas asistit të Leirës, mesfushori Limaj godet mjaft bukur fluturimthi brenda zonës duke tundur rrjetën. 

60′ Më i kujdsshëm Kukësi në këtë pjesë të dytë që kërkon menaxhimin e rezultatit, duke qarkulluar topin më së shumti në mesfushë.

58′ Skënderbeu kryen një tjetër zëvendësim, largohet nga fusha Bajrami, vendin e tij e merr Vitia.

53′ Rrezikon sërish Kukësi me Gjelbërim Taipin, por gjuajtja e tij shkon mbi kuadratin e Dajsinanit.

52′ Meksi nuk arrin të devijojë drejt portës një top të harkuar nga Pusi. Pranë golit korçarët.

46′ Skënderbeu kryen menjëherë 2 zëvendësime, largohet Taipi dhe Zhan Viktor, në vend të tyre Pusi dhe mbrojtësi Fallu Nxhie i afruar në formë huazimi nga Xhenoa.

Mbyllet pjesa e parë! 

45+1′ E pabesueshme çfarë shpërdoron Peposhi brenda zonës. Talenti kuksian fal korçarët brenda zonës.

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

38′ Dominim i Kukësit, skuadra korçare e ka mjaft të vështirë të shtyjë përpara në zonën e Xhikës.

32′ GOOOOL KUKËSI 0-3/ Realizon sërish skuadra e Mirel Josës kësaj here me brazilianin Leira, i cili pas asistit të Dragoshit nga e majta, goditi saktë brenda zonës, duke e dërguar topin në rrjetë. 

27′ Tjetër tentativë e Kukësit me brazilianin Leira, por gjuajtje e tij ishte qendrore dhe përfundoi drejt e në duart e portierit Dajsinani.

24′ Taipi ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të ashpër nga mbrapa ndaj mbrojtësit Dragoshi.

23′ Provon Ibraimi me një tjetër goditje të rrezikshme, por ndalet nga Bajrami.

13′ Shpëton mrekullisht kësaj here porta e Skënderbeut. Gjuajtja e Ibraimit brenda zonës u ndal në shtyllën e majtë pingule.

7′ GOOOOOL KUKËSI 0-2/ Verilindorët dyfishojnë shifrat me mesfushorin Limaj! Futbollisti përfiton nga pasimi i gabuar i futbollistit Zhan Viktor, teksa me një gjuajtje të saktë brenda zonës mposht për herë të dytë Dajsinanin. 

5′ GOOOOL KUKËSI 0-1/ Zhbllokohet sfida! Agim Ibraimi kalon në avantazh verilindorët. Kapiteni i Kukësit përfiton nga hapësira e bollshme e lënë nga mbrojtësit e skuadrës korçare, gjuan saktë duke e dërguar topin në cepin e portës. 

5′ Provon edhe Skënderbeu me Dounan, por gjuajtja e tij ishte  e gabuar.

3′ Shans i artë për Kukësin me Ibraimin, gjuajtja e kapitenit shkon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule, por ngrihet edhe flamuri i asistenit që sinjalizon pozicion jashtë loje.

1′ Ka nisur sfida!

FORMACIONET ZYRTARE:

Skënderbeu: Dajsinani, Meksi, Bajrami, Sadriu, Zguro, Taipi, Douna, Zhan Viktor, Mara, Berisha, Mensah. Trajner: Julian Ahmataj

Kukësi: Xhika, Dragoshi, Kurdiç, Lulaj, Kotobelli, Demiri, Taipi, Limaj, Ibraimi, Peposhi, Leiria. Trajner: Rraman Hallaçi

Skenderbeu-Kukesi4

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"