VIDEO/ Skandal në basketboll, Bruno Daliu masakron arbitrin. Ja çfarë rrezikon lojtari i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 12:00

VIDEO/ Skandal në basketboll, Bruno Daliu masakron arbitrin. Ja çfarë rrezikon lojtari i Tiranës

Skandaloze, e turpshme, në kufijtë e së frikshmes ajo që ndodhi mbrëmë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Skena dhune, të cilat janë të absurde t’i shohësh në rrugë e jo më në nivelin më të lartë të basketbollit shqiptar. Luhej perioda e katërt e takimit mes Teutës dhe Tiranës, kur lojtari i kryeqytetasve, Bruno Daliu, lëshohet në grushte ndaj gjyqtarit Jurgen Muho. Ky i fundit, me diferenca të ndjeshme fizike me lojtarin e Tiranës, përfundon i gjakosur dhe i shtrirë në tokë.

dhuna basket

U desh ndërhyrja e stafeve, lojtarëve të të dyja ekipeve, madje edhe e tifozëve për të ndalur këtë skenë të shëmtuar. Gjyqtarit Muho i vijnë në ndihmë menjëherë mjekët e ekipeve dhe e largojnë nga fusha. Ndërkohë irritohen keq të pranishmit e shumtë në shkallët e pallatit të sportit, të cilët shajnë në kor Bruno Daliun. Ky i fundit ulet për disa minuta në stolin e ekipit i rrethuar nga bashkëlojtarët që mundohen ta qetësojnë.

hddhdh

Më pas vijnë forcat e përforcuara të policisë, të cilat fillimisht nxjerrin gjithë ekipin e Tiranës nga ana e pasme e pallatit të sportit. Më pas mundohen të shoqërojnë Daliun për në furgon. Ky i fundit nuk bën rezistencë, por kërkon të ndërrohet. Pasi kjo ndodh, i shoqëruar nga policët Daliu dërgohet në Rajonin e Policisë së Durrësit. Çuditërisht, pavarësisht atyre skenave, pas më shumë se 30 minuta ndeshja rifillon aty ky u ndërpre. Të vetmit që mungonin ishin Daliu, gjyqtari Muho dhe shumica e publikut.


Në bisedat me policinë, në momentin që këta të fundit kërkonin shoqërimin e Daliut për në rajon, lojtarët dhe vetë Daliu pretendonin se ishin provokuar nga gjyqtari Muho. Por asgjë nuk e justifikon atë që ndodhi dhe shëmtia e dhunës preku edhe basketbollin.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, mjeku i Teutës, Elvin Shytaj, që u gjend i pari pranë gjyqtarit Muho, u shpreh së gjendja e tij është pa ndonjë rrezik serioz. Të gërvishtura, fryrje, por pa probleme të tjera. Sa i përket ndeshjes, Tirana ishte disi më mirë në dy periodat e para, por pa u shkëputur shumë. Pas pushimit Teuta merr lojën nën kontroll dhe deri në momentin e dhunës kryesonte 79-66. Minutat e mbetura, të zhvilluara nën shokun e asaj që ndodhi, u mbyllën 96-86.

DALIU RREZIKON DËNIM ME BURG

Dy muaj më parë u futën në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Penal për dhunën në sport. Neni 274/a “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv”, thotë: “Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”.

ROLAND GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"