VIDEO/ Shtylla ndihmon Vllazninë në shtesë, kuqeblutë mundin Tiranën në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2022 | 0:03

VIDEO/ Shtylla ndihmon Vllazninë në shtesë, kuqeblutë mundin Tiranën në kryeqytet

Vllaznia ka marrë një fitore shumë të rëndësishme me shifrat 2-1 ndaj Tiranës kampione në fuqi, duke e mundur këtë të fundit në fushën e saj, për t’u konfirmuar mes pretendenteve për titullin në Superiore.

Tirana Vllaznia

Bardheblutë ishin ata që e nisën ndeshjen më mirë, duke sulmuar në kërkim të golit, por ai do të vinte në portën e tyre, pas një penalltie të shkaktuar nga Zhivanaj i cili la ekipin me 10 lojtarë. Marku shënoi nga pika e bardhe dhe kjo tronditi jo pak bardheblutë të cilët shumë shpejt pësuan edhe golin e dytë me anë të Kaina.

Ata më pas u zgjuan dhe tentuan të ndryshonin fatin e ndeshjes, teksa shënuan me anë të Xhixhës, ndërsa më pas ishte Marku ai i cili u ndëshkua me karton të kuq duke barazuar numrin e lojtarëve në fushë për të dy skuadrat. Por tentativat e njëpasnjëshme të bardhebluve nuk sollën gol dhe Vllaznia u ndihmua fillimisht nga traversa e në shtesë edhe nga shtylla e cila ndali gjuajtjen e Patrik, duke i dorëzuar tri pikët kuqebluve.

TIRANA-VLLAZNIA 1-2

Xhixha 47′ / Marku 21′, Kaina 29′

MINUTË PAS MINUTE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Vllaznisë.

90’+6’ Gjuajtje e fortë e Patrik në hyrje të zonës, topi ndalet në shtyllën e portës së shkodranëve.

90’+5’ Kundërsulm i Vllaznisë në epërsi numerike, Gurishta merr topin nga e djathta dhe lëshon një gjuajtje diagonale, pa gjetur katërkëndorin.

90’+4’ Çoba i futur pak minuta më parë, i lë vendin Alivodës.

90’+3’ Gjumsi harkon nga e djathta, Hasani e pason sferën për Ismajlgecin dhe ky i fundit gjuan fluturimthi por nuk gjen rrjetën.

90’+6’ Jepen 6 minuta shtesë.

90’ Shumë ndërprerje dhe faulle, me lojën që vonohet dhe praktikisht nuk ka futboll në minutat e fundit të duelit.

87’ Gjumsi ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrje ndaj Çobës.

85’ Hoxhaj dhe Kruja marrin vendin e Kaina dhe Malës në minutat e fundit.

84’ Pas një goditje këndi, Berisha nga e djathta kthen topin në qendër ku gjuan me kokë Patritk, por sfera shkon lart mbi traversë.

83’ Berisha shpërthen në krahun e majtë të sulmit, Gurishta e ndal me faull dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

78’ Mbrojtja e Vllaznisë nuk ia del të largojë topin dhe Patrik provon një roveshatë, teksa kalon sferën mbi traversë me tentativën e tij.

74’ Hyn në fushë Gjumsi në vend të Toshevskit.

73’ Top vertikal për Berishën i cili hyn në zonë nga e majta, gjuajtja e tij devijohet nga Zogoviç dhe pastaj prek traversën dhe shkon jashtë.

72’ Toshevski depërton nga e djathta deri në zonën e vogël, gjuan por gjen përgjigjen e Zogoviç i cili mbërthen sferën.

71’ Tirana i afrohet përsëri barazimit me Hasanin. Aksioni nis nga Deliu, i cili gjen Ismajlgecin në të majtë, harkimi i tij është perfekt për Hasanin por gjuajtja e këtij të fundit me kokë çon sferën jashtë.

70’ Xhixha lë fushën e lojës i pakënaqur, për t’i bërë vend Patrik në minutat e mbetura.

67’ Aksion i gjatë i Tiranës, sfera kalon nga e majta në të djathtën ku Hasani tenton portën, por dërgon topin jashtë.

64’ Gurishta depërton në zonën kundërshtare dhe gjuan nga e djathta, Bekaj e ndal me saktësi.

63’ Ismajlgeci shfaqet në të majtën në zonë dhe lëshon një diagonale, por topi nuk gjen katërkëndorin e shkodranëve.

57’ Të dy skuadrat luajnë me vetëm një futbollist në vijën e parë të sulmit.

55’ Top në thellësi për Kaina, sulmuesi nuk ia del të devijojë sferën dhe Bekaj largon rrezikun.

54’ Çoba merr vendin e Heriç në rreshtimin e Vllaznisë.

52’ Xhixha ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrje ndaj Gurishtës.

50’ Një ndërhyje e Markut ndaj Deliut i kushton shtrenjtë kuqebluve, pasi mesfushori ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe del nga fusha e lojës me të kuq. Barazohen numrat e lojtarëve në fushë.

47’ GOOOL TIRANA! Harkim nga e i djathta i Hasanit i cili gjen Xhixhën, ky i fundit nuk gabon me gjuajtjen me kokë duke çuar sferën në rrjetë e rihapur ndeshjen.

46’ Pjesa e dytë nis me zëvendësim të dyfishtë te Tirana pasi Berisha dhe Deliu marrin vendin e Limajt dhe Përgjonit.

FOTO: F. Hazisllari

FOTO: F. Hazisllari

45’ Mbyllet pjesa e parë pa asnjë minutë shtesë.

42’ Harkim nga e majta e sulmit të Tiranës, Hasani me kokë godet me shpejtësi por çon sferën shumë pak mbi traversën e Zogoviç.

41’ Mala nga e djathta harkon në zonën e bardhebluve, Bekaj grushton e pastaj Najdovski ia kthen përsëri me kokë portierit.

35’ Tirana mundohet të organizohet por tashmë Vllaznia është e pozicionuar duke luajtur me qetësi për të administruar avantazhin e dyfishtë dhe bardheblutë nuk kanë hapësira për të çarë drejt sulmit.

30′ Marku ndëshkohet me karton të verdhë.

29′ GOOOL VLLAZNIA! Pas një goditje këndi, Kaina me kokë i vetëm në zonë nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë.

27’ Tirana niset në sulm dhe kërkon karton të kuq për Bulatoviç pasi ky i fundit duke u rrëzuar ndal topin me dorë, teksa Xhixha ishte nisur drejt portës. Jorgji jep të verdhë mes protestave bardheblu.

22’ GOOOL VLLAZNIA! Zhivanaj mban me duar në zonë Kainën, që del i vetëm me portierin dhe rrëzohet. Arbitri Jorgji jep penallti për Vllazninë dhe karton të kuq për mbrojtësin e Tiranës. Nga pika e bardhë godet saktë me të majtën Herald Marku dhe 0-1.

16′ Tirana vazhdon ofensivën në kërkim të golit.

14′ Xhixha provon për Tiranën me një depërtim të bukur në zonë, goditja e tij ndalet nga Zogoviç.

10′ Përgjoni ndëshkohet me kartonin e parë të verdhë të sfidës pas një ndërhyrje të gabuar.

6’ Dy skuadrat kontrollojnë njëra-tjetrën në këto minuta teksa nuk lejojnë hapësira para zonave të  tyre.

2’ Xhixha sheh hapësirë para dhe shpërthen në krahun e majtë, topi shkon te Kallaku e pastaj te Aleksi, por gjuajtja e këtij të fundit në hyrje të zonës është e gabuar.

1’ Nis dueli në “Selman Stërmasi” me shkelmimin nga qendra të shkodraneve.

-15:45 Pamjet përpara startit të ndeshjes me skuadrat që po kryejnë përgatitjet e fundit.


FORMACIONET ZYRTARE:

TIRANA: Bekaj, Toshevski, Najdovski, Zhivanaj, Përgjoni, Aleksi, Limaj, Kallaku, Ismajlgeci, Hasani, Xhixha.

Trajner: Orges Shehi.

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Smajli, Boshnjaku, Jonuzi, H.Marku, Heriç, Mala, Kaina.

Trajner: Mirel Josa.

GJYQTARË: E.Jorgji, D.Rexha, R.Çokaj

VAR: F.Lata; AVAR: N.Bregasi

212313

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"