VIDEO/ Shtëpia si fushë, Murataj i Bylisit: Më ka marrë malli për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 23, 2020 | 13:48


VIDEO/ Shtëpia si fushë, Murataj i Bylisit: Më ka marrë malli për…

Valentino Murataj është padyshim një zbulim te Bylisi i këtij sezoni. Për mesfushorin 23-vjeçar ky është kampionati që i parë që luan në Superiore, teksa deri më tani është aktivizuar në 24 ndeshje dhe ka arritur të shënojë tri gola. Është i vetmi mallakastriot në radhët e Bylisit dhe kjo ia shton edhe më tepër krenarinë.

Murataj

Pas ndërprerjes së kampionatit, Murataj është pranë familjes në këto ditë pa futboll, por shumë të vështira për këdo. Ai është në kontakt të vazhdueshëm me stafin dhe shokët te Bylisi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Murataj tregon se si po i përballon këto ditë karantine…

Murataj, e vështirë pa futbollin e luajtur?

Shumë e vështirë. Këtë situatë nuk e kishte menduar askush. Për ne lojtarët që jemi mësuar me regjim ndryshe është shumë më e vështirë…

Si po e kaloni këtë periudhë, duke qenë se edhe stërvitja në fushë apo palestra është e ndaluar?

Më shumë në shtëpi afër familjes. Kryesisht bëj ushtrime aerobike që të mbajmë trupin në formë. Si çdo klub edhe ne kemi një program specifik dhe e zbatojmë. Kam folur edhe me stafin dhe shokët e ekipit, teksa jemi munduar të bëjmë të njëjtën gjë. Për ne lojtarët, duke qenë se jemi gjithë kohës larg familjes, e vetmja gjë pozitive në këtë moment është se qëndrojmë më shumë me familjarët.

 

Sa ndikon kjo pauzë për një sportist?

Shiko, kjo ndërprerje po ndodh kur skuadrat janë në kulmin e tyre. Nuk ndodhi në fillim të garës apo pa nisur pjesa e dytë e sezonit. Normalisht që skuadrat nuk do të jenë njësoj kur të rifillojë gara. Do të ndikojë shumë kjo periudhë ndërprerje. Uroj që të jetë sa më e afërt dita që të rifillojmë kampionatin.

Sa kohë i duhet një ekipi apo sportisti që të jetë gati?

Në çdo vend të Botës skuadra duhet që të punoje 45 ditë që të përballojë fazën. Une mendoj se me një periudhë dyjavore do të jemi gati.

Në Ballsh si është përjetuar kjo situatë e paprecedentë?

Shumë keq, ashtu si edhe në çdo qytet tjetër, sepse është diçka e panjohur. Nëse te ne lojtarët ndikon shumë fizikisht, në opinion ndikon edhe shumë psikologjikisht… Ta kalojmë këtë situatë duke pasur sa më mirë miqtë shokët e të afërmit.

Si ju duket moda e fundit me nominimit në rrjetet sociale. Duket sikur po e bëni stërvitjen në “Instagram” dhe “Facebook”…

(Qesh) Mirë që janë dhe ato sepse kujtojmë njëri-tjetrin dhe është një mënyrë stërvitje edhe ajo. Në skuadrën tonë ka frymë kolektive dhe ne shkojmë shumë mirë me njëri-tjetërin.

Një mesazh nga Murataj për tifozët e Bylisit dhe jo vetëm?

Të qëndrojmë në shtëpi, të ruajmë veten, miqtë e shokët. Ta kalojmë paq këtë situatë. Më ka marrë malli shumë për shokët e skuadrës dhe trajnerin Dovedan. Iu uroj gjithë të mirat, që nga presidenti dhe deri tek puntori i fushës, “Mato”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com