VIDEO/ Shqipërisë nuk i del gjumi, dështon eksperimenti me Estoninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2022 | 0:04

VIDEO/ Shqipërisë nuk i del gjumi, dështon eksperimenti me Estoninë

Shqipëria ka mbyllur me barazim 0-0 ndeshjen miqësore ndaj Estonisë. Një sfidë që shihej si një eksperiment që do të shërbente për të zgjuar Shqipërinë pas disa paraqitjeve që linin për të dëshiruar, por që nuk ka funksionuar.

bandicam 2022-06-13 17-55-54-239

Kombëtarja ku aktivizoheshin shumë lojtarë të rinj apo që nuk kishin pasur minuta në ndeshjet zyrtare, ka lënë shumë për të dëshiruar me lojën e saj, duke treguar se kur bëhet fjalë për të krijuar aksione të rrezikshëm ka vështirësi shumë të mëdha.

Të vetmet gjuajtje në kuadrat të Shqipërisë në këtë ndeshje ishin dy goditje dënimi të Çekiçit, ndërsa Vrioni në pjesën e parë dhe Uzuni në të dytën kishin secili nga një mundësi për të çuar topin në rrjetë, pa gjetur kuadratin. Shumë pak për një skuadër e cila pretendohet se ka një potencial të jashtëzakonshëm sidomos në repartin e avancuar dhe një tregues i qartë se diçka nuk po funksionon siç pritet nga ky grup i talentuar futbollistësh.

SHQIPËRI-ESTONI 0-0

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me barazimin 0-0.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

86’ Luhet vetëm në gjysmëfushën e Estonisë në këto minuta, por kuqezinjtë nuk ia dalin që të krijojnë gjuajtje në kuadrat.

83’ Harkim perfekt i Hysajt nga e djathta për Uzunin i cili nuk gjuan topin siç duhet për ta çuar drejt portës me sferën që përfundon jashtë, ndërsa i heq mundësinë Hoxhallarit pas shpinës së tij që të tentonte rrjetën nga një pozicion më i favorshëm.

80’ Uzuni nga e djathta nis një kundërsulm, por pasimi i tij në qendër ndalohet nga mbrojtja e Estonisë që largon topin në këndore.

76’ Rrezikon ekipi mik pas një goditje dënimi nga e majta e sulmit të Estonisë. Petson mbërrin të gjuajë me kokë në shtyllën e dytë por nuk ia del të çojë sferën në kuadrat.

74’ I sapofuturi Muçolli harkon në zonë një goditje dënimi me Brojën i cili gjuan me kokë, por çon topin lehtësisht në duart e portierit të Estonisë.

72’ Uzuni tenton një gol spektakolar me një kthesë të befasishme në zonë me të jashtmen por nuk ia del ta devijojë topin drejt portës.

71’ Në fushën e lojës edhe Muçolli, i cili merr vendin e Çekiçit.

64’ Kirsa ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Bajramit.

63’ Reja hedh në fushë Abrashin në vend të Çokajt, ndërsa Mersinaj aktivizohet në vend të Vrionit.

60’ Harkim i rrezikshëm nga e majta e sulmit të Estonisë, Pum ka mundësinë të gjuajë në kuadrat me kokë, por nuk ka shënjestrën e duhur për të çuar topin në rrjetë.

53’ Çekiçi ekzekuton goditjen e dënimit ballore në kufijtë e zonës, por gjen përsëri të gatshëm Igonen i cili grushton.

52’ Somets ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Çekiçit.

49’ Uzuni kombinon me Çekiçin në krahun e majtë dhe tenton direkt portën nga jashtë zonës, gardiani i miqve reagon mirë dhe largon sferën.

47’ Goditje dënimi ballore e ekzekutuar nga Çekiçi direkt në portë, portieri i miqve grushton sferën.

46’ Pjesa e dytë e ndeshjes nis me Brojën dhe Uzunin në fushën e lojës në vend të Seferit dhe Veselit. Gjithashtu Kastrati merr vendin e Selmanit në portë.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë në barazim pa gola.

45’ Jepet 1 minutë shtesë në fund të pjesës së parë.

39’ Një top i gjatë pa pretendime i estonezëve krijon probleme pasi Sorga shfaqet rrezikshëm pata zonës së Selmanit. Por në fund Veseli largon topin duke ndalur këtë kundërzbritje.

34’ Dy tentativa radhazi të estonezëve me një goditje këndi e me një rivënie anësore, të dyja të ekzekutuara me skema që çojnë lojtarë në pozicion gjuajtje. Por për fat në të dy rastet nuk gjejnë katërkëndorin e Selmanit.

33’ Çokaj ndëshkohet me karton të verdhë për një faull në mesfushë.

32’ Aksion thuajse perfekt i kuqezinjve në krahun e djathtë me Çekiçin i cili harkon në qendër për Vrionin. Sulmuesi gjuan me kokë por kalon topin mbi traversë.

28’ Seferi bën gjithçka vetë në krahun e majtë me një shpërthim në zonë, por diagonalja e tij e fortë devijohet jashtë katërkëndorit.

23’ Harkim nga e majta i Hoxhallarit në zonë për Vrionin, sulmuesi godet me kokë por nuk gjen katërkëndorin.

20’ Minutat e para të ndeshjes mbyllen pa asnjë shkëndijë drejt portës si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Estonia e cila është e gjitha e përqendruar në mbrojtje.

18’ Tentativë e kuqezinjve për të dalë në krahun e majtë me Hoxhallarin, harkimi i tij ndalet nga Kuri i cili bllokon sferën.

14’ Një harkim në zonë pas një goditje dënimi krijon pak panik te kuqezinjtë, por Selmani del dhe grushton larg katërkëndorit.

9’ Aksionet kuqezi janë përqendruar në krahun e djathtë, me shpërthimet e Hysajt që shfaqet shpesh para. Por mbrojtësi i kuqezinjve nuk gjen hapësirën për të krosuar në zonë, i mbuluar gjithmonë mirë nga mbrojtësit kundërshtarë.

5’ Qarkullim i gjatë i topit për kuqezinjtë, por të cilët për momentin nuk kanë gjetur hapësirën për të goditur portën kundërshtare.

2’ Hoxhallari jep një pasim të gjatë nga e majta për Vrionin, por sulmuesi nuk arrin këtë top në thellësi.

1’ Nis dueli me topin nga qendra të luajtur nga lojtarët e Estonisë.

FORMACIONET ZYRTARE

SHQIPËRIA: Selmani, Veseli, Mihaj, Bajrami, Hysaj, Hoxhallari, Çokaj, Ramadani, Çekiçi, Seferi, Vrioni.
Trajner: E. Reja

ESTONIA: Igonen, Kusk, Paskotsi, Luka, Pum, Sumets, Petson, Miller, Pari, Sorga, Zenjov.
Trajner: T. Haberli

shqip est

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"