VIDEO/ “Shpikja” e Partizanit, ja si po stërvitet për të shmangur Koronavirusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2020 | 0:15

VIDEO/ “Shpikja” e Partizanit, ja si po stërvitet për të shmangur Koronavirusin

Topi i futbollit në Shqipëri zyrtarisht nuk rrotullohet që nga data 12 mars, kur u mor vendimi për pezullimin e të gjithave aktiviteteve sportive. Që nga ajo ditë, futbollistët e Partizanit stërviten në mënyrë individuale, sipas kushteve të shtëpisë ku banojnë, ku ndjekin edhe një program “online” të përpiluar nga stafi i skuadrës.

telushi

Në këtë mes ka edhe futbollistë me fat, pasi duke jetuar në shtëpi private apo në zona ku Koronavirusi ka qenë më i butë, ka bërë që ata të marrin ngarkesë maksimale. Ndër fatlumët e Partizanit ka qenë dyshja vlonjate, Bruno Telushi dhe Hektor Idrizaj, që janë stërvitur çdo ditë me ngarkesë dhe me trajner.

Besi Shabani, një ish-futbollist vlonjat, i cili më herët ka luajtur me Flamurtarin, Bylisin dhe Luftëtarin në Superiore dhe pjesë e ekipit Shpresa, drejton akademinë e tij “Academy Junior Vlore”, dhe në këtë kohë po u vjen në ndihmë disa lojtarëve.

Telushi dhe Idrizaj janë stërvitur që në ditët e para me ngarkesë të plotë nga trajneri Shabani, por së fundmi janë shtuar radhët e “demave” në Vlorë. Duke përfituar nga klima dhe rreziku i ulët nga Koronavirusi në Vlorë, Telushit dhe Idrizajt u janë bashkuar edhe Eneo Bitri me Erald Çinarin. Duke pasur shtëpi private dhe të bollshme, Bruno Telushi e ka strehuar në banesën e tij dyshen Bitri-Çinari, kështu që ata në këtë periudhë po marrin ngarkesë.

Trajneri Shabani – Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Shabani tregon punën që është bërë gjatë kësaj periudhe me lojtarët e Partizanit dhe të tjerët që ka pasur nën patronazh gjatë kësaj kohe, si dhe masat që ka zbatuar prej pandemisë “COVID-19”. “Prej kohësh drejtoj një akademi futbolli në Vlorë me 120 fëmijë dhe me një staf prej 4 trajnerësh. Në këtë periudhë të vështirë kam punuar edhe me disa futbollistë të njohur, të cilët karantinën po e kalojnë në qytetin e Vlorës, që aktualisht bën pjesë në zonën e gjelbër dhe të ofron mundësi për stërvitje të sigurta.

besi shabani

Sa i përket programit që kam ndjekur me futbollistët e Partizanit, për të cilët jeni të interesuar, mund të them se kemi punuar kryesisht me plan individual. Kemi punuar si në aspektin teknik dhe fizik. Pjesën e përgatitjes fizike e zhvillojmë anës detit, ndërsa planin teknik kryesisht në kalçeto. Sigurisht që kemi zbatuar një protokoll sigurie në këto seanca për shkak të situatës së krijuar nga Koronavirusi. Gjithçka ka qenë sipas rregullave të caktuara, si mbajtja e distancës në stërvitje, përgatitje me një grup jo më shumë se tre sportistë, plus përdorimin e dezinfektantëve në ambientin sportiv dhe materialeve që kemi përdorur. Ndërsa unë si trajner gjatë përgatitjeve me këta futbollistë kam mbajtur maskë dhe doreza.

Shpresoj që kjo stërvitje që kanë bërë çunat do t’u vijë në ndihmë që, kur të nisë programi normal, ata ta kapin shpejt ritmin”, u shpreh trajneri Shabani për “Panorama Sport”. Nga videot e shpërndara gjatë përgatitjes që këta lojtarë kanë zhvilluar me trajnerin vlonjat ngarkesa ka qenë e lartë dhe e përditshme.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"