VIDEO/ Sherr në fushë dhe festë në tunel, Duka takim “blic” me Kamolezen. Ja pikantet e ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 19:59

VIDEO/ Sherr në fushë dhe festë në tunel, Duka takim “blic” me Kamolezen. Ja pikantet e ndeshjes

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë është mbyllur me tension dhe festë në të njëjtën kohë apo edhe me një rezultat që nuk ndodhte në dekadën e fundit. “Panorama Sport” sjell momentet pikante:

Sherri

* Fusha ka nevojë për rregullime në çdo moment. Pas nxehmjes së lojtarëve para startit të ndeshjes, punonjësit e fushës bëjnë sistemimet e nevojshme të tapetit të blertë për ta kthyer në gjendje më të pranueshme. Kjo do të jetë përballja e fundit që luhet në të, pasi do të ketë një ndryshim të tapetit me bar hibrid.

* Iluzione goli që në minutën e dytë, teksa goditja e Cikalleshit shkon rrezikshëm ngjitur me shtyllën e djathtë të portierit mik.

* Në minutën e 13-të, Manaj tentoi të kthehej në zonë për të ndihmuar skuadrën, por Reja i kërkon diçka tjetër: “Mos e sill mbrojtësin e tyre në zonën tonë. Rri sa më larg zonës sonë…”.

* Në minutën e 20-të, Cikalleshi feston golin me shokët e ekipit dhe më pas dedikimi është për fizioterapistin e skuadrës. Një përqafim për të nga sulmuesi. Ndërsa nga tribuna pas portës së Berishës, lojtarët rezervë dinë të ndajnë edhe meritat: “Bravo Memolla”, dëgjohet prej tyre.

* “Studiuesi” Berisha. Portieri këshillon Dokën se kundërshtari që ka përballë kroson me të djathtën dhe duhet ta bllokonte atë këmbë të tij. Ashtu ndodh, lojtari bjellorus kroson me këmbën e djathtë, rrezikshëm, por fatmirësisht jashtë portës së Berishës.

* Në minutën e 48-të, ka një ballafaqim mes Gjasulës dhe Ebongut, ku mesfushori i kthehet shqip dhe e kërcënon.

* Në momentin e zëvendësimit, Cikalleshi merr fillimisht duartrokitjet e Manajt dhe më pas sapo i afrohet tribunës qendrore, ka edhe përgëzime nga presidenti i FSHF-së: “Bravo Cika…”.

* Manaj ndalon të përshëndesë zëvendësin e Rejës dhe vetë trajnerin kuqezi kur zëvendësohet. I vetmi nga të larguarit që përshëndet trajnerin në momentin e daljes nga loja.

* I pari që del nga skuadra për t’u larguar nga stadiumi është Berat Gjimshiti. Bashkë me dy nga ndihmësit e Rejës, qendërmbrojtësi u largua menjëherë pas ndeshjes për të udhëtuar direkt drejt Italisë.

* Përsëritet takimi me Kamolezen. Menjëherë sapo përfundon ndeshja, italiani i afrohet tribunës VIP për të përfituar dhe për të takuar menjëherë presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën. Njësoj si pas fitores me Kazakistanin, Kamoleze përshëndetet me numrin një të FSHF-së. Këtë herë edhe më të gëzuar, por një takim që zgjat fare pak, ndryshe nga hera e parë.

DUKAAA ME ITALIANIN

* Në minutën e 84-t të ndeshjes, Ebong e ekzagjeron duke gjuajtur me shpullë Laçin, i cili qëndron disa minuta i shtrirë në tokë. Arbitri vazhdon lojën dhe nuk akordon as faull.

* Në minutën 90+1 arbitri rumun kthehet mbrapa dhe pengohet, gjë që shkakton ilaritet në fushë.

* Ndeshja mbyllet me tension. Bjellorusët bëhen nervozë dhe nuk e kapërdijnë dot humbjen. Ka të verdhë për katër futbollistë, mes tyre Gjimshiti dhe Manaj për kuqezinjtë. Reja dhe të gjithë pjesëtarët e Shqipërisë futen në fushë për të qetësuar tensionin.

* Tri fitore radhazi për Rejën dhe Kombëtaren, duke thyer një tabu që nga viti 2010. Italiani përqafon të gjithë anëtarët e stafit të tij dhe lojtarët për të ndarë me ta gëzimin e këtij rezultati.

* Festa në dhomat e zhveshjes ndizet në momentin kur shkon presidenti i FSHF-së, pas takimeve me lojtarët, kanë nisur ovacionet, teksa Duka i ka përgëzuar për rezultatin e arritur. Në një moment, Duka ka kërkuar praninë e trajnerit Reja në këtë entuziazëm dhe festë, i cili ka konfirmuar se ishte aty, mes lojtarëve në dhomën me përmasa të mëdha.

* Seferi bën “shoferin” në një moment kur po prisnin lojtarët që të gjithë t’i bashkoheshin autobusit për t’u nisur drejt hotelit. Taulant Seferi ka përfituar nga mundësia për t’u ulur në vendin e shoferit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"