VIDEO / Shënon gjithmonë Abazaj, Luftëtari rrëmben tri pikët në fushën e Laçit (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2017 | 17:53

VIDEO / Shënon gjithmonë Abazaj, Luftëtari rrëmben tri pikët në fushën e Laçit (VIDEO)

Kristal Abazaj ringjall Luftëtarin. Sulmuesi i talentuar ka treguar se është në një formë të shkëlqyer dhe sot ka ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë tri pikë shumë të rëndësishme në transfertën e vështirë në fushën e Laçit.

abazaj luftetari

Në një ndeshje të dominuar nga ekipi vendas me lojë dhe me raste, diferencën e ka bërë pikërisht kundërsulmi në pjesën e dytë i dyshes Bregu-Abazaj ku ky i fundit ka finalizuar në mënyrë perfekte për të dërguar sferën në rrjetë dhe për të shënuar golin e vetëm të kësaj ndeshje.

Laçi u hodh i tëri në sulm në kërkim të barazimit po rrezikoi më shumë që të pësonte të dytin nga kundërsulmet e shpejta të dyshes së sulmit gjirokastrit, që bëri autokritikë sot pas disfatës në takimin e parë në kampionat ndaj Teutës. Edhe Laçi del i ridimensionuar nga kjo humbje 0-1, pasi kishte shpresuar se mund të bënte më shumë pas suksesin 2-0 ndaj Partizanit në ndeshjen e javës së parë.

MINUTË PAS MINUTE

90’+4′ Mbyllet ndeshja me fitoren e Luftëtarit.

90’+1’ Kombinim mes Eskuerda dhe Mbombo, asnjëri nuk arrin të gjuajë në portë me mbrojtjen që largon rrezikun.

90’ Jepen katër minuta shtesë.

89’ Laçi është hedhur i tëri në sulm, në kërkim të barazimit, por shihet se i mungon qartësia për ta arritur këtë gjë.

83’ Spektakël i Dejvi Bregut. Një largim i mbrojtjes kthehet në asist për futbollistin e Luftëtarit i cili kalon sferën mbi Selmanin, por topi përplaset në shtyllë. Bregu vihet përsëri në zotërim të sferës dhe provon të gjejë rrjetën me një gjuajtje nga e djathta, por këtë radhë Selmanin bën të tijën duke grushtuar topin.

81’ Pas një harkimi në zonë nga e djathta, Mbombo me kokë ul sferën ndërsa Uzuni nuk arrin ta gjuajë. Mbrojtja gjirokastrite devijon në këndore me vështirësi.

80’ Tjetër kundërsulm vdekjeprurës i dyshes Bregu-Abazaj, të cilët shmangin mbrojtjen kundërshtare me kombinime të shpejta dhe me Bregun që shtyn sferën në rrjetë. Por vijërojtësi i sinjalizon me të drejtë për pozicion jashtë loje në momentin e pasimit final të Abazajt drejt tij.

76’ Nika arrin të dalë mjaft mirë në krahun e  djathtë por në vend që të gjuajë në portë, pason për Mbombo, i cili zihet në pozicion jashtë loje.

74’ Tashmë ka tension të vazhdueshëm në fushë, pasi në çdo vërshëllimë të gjyqtarit Koçi ka kontestime nga lojtarët vendas, por edhe nga tribunat, me tifozët e pakënaqur nga ndërprerjet e vazhdueshme të lojës.

67’ Tjetër mundësi e shkëlqyer për të shënuar në këmbët e Kristal Abazajt pas një shpërthimi në krahun e djathtë. Futbollisti gjuan në portë por këtë radhë është shtylla që i mohon gëzimin e golit, ndërsa më pas Bregu nuk arrin të shënojë në katërkëndorin e boshatisur më mbrojtësit që i largojnë topin në momentin e goditjes.

65’ Mundohet të reagojë Laçi. Një tjetër goditje dënimi në krahun e majtë i jep mundësinë të rrezikojnë, por Gjoni me kokë nuk gjen katërkëndorin e Mirakës.

61’ Kundërsulm perfekt i Luftëtarit me dyshen Bregu-Abazaj. I pari merr me vete gjithë mbrojtjen ndërsa i dyti pasi merr topin në të djathtën futet në zonë dhe pasi shmang një mbrojtës, dërgon sferën në rrjetë me një gjuajtje perfektë. 0-1 për Luftëtarin

56’ Një goditje dënimi e Nikës detyron Mirakën të bëjë një ndërhyrje vendimtare për të shpëtuar portën. Topi mbetet në zonën e Luftëtarit, por pavarësisht disa tentativave, asnjë nga luftëtarët e Laçit nuk arrin ta kthejë drejt rrjetës derisa mbrojtja e miqve largon në vështirësi.

52’ Dy goditje nga këndi radhazi nuk sjellin asgjë për Laçin që po mundohet me forcë që të shënojë sa më shpejt golin e avantazhit.

51’ Aksion i gjatë sulmues i Laçit që ka mbyllur Luftëtarin në zonën e vet. Eskuerda dhe Bushi provojnë me radhë të shënojnë, por Miraka dhe mbrojtja largojnë rrezikun nga katërkëndori i gjirokastritëve të cilët tani janë tërhequr plotësisht në mbrojtje.

47’ Aksion i shpejtë sulmues i Laçit në krahun e djathtë me Ejoh i cili hyn në zonë dhe lëshon një diagonale e cila nuk gjen kuadratin pasi devijohet në fundore nga mbrojtja e Luftëtarit.

46’ Ndryshim i menjëhershëm te Laçi. Jonuzi hyn në fushën e lojës në vend të Kallakut.

45’+2′ Mbyllet pa gola pjesa e parë mes dy skuadrave.

45′ Akordohen dy minuta shtesë.

44’ Abazaj më në fund arrin të gjuajë në portë, por Selmani i përgjigjet në mënyrë perfekte, duke devijuar topin mbi traversë.

43’ Goditje nga këndi për Laçin, Gjoni me kokë devijon sferën drejt portës, por Miraka pret në pozicion.

39’ Drithërima në portën e Mirakës. Aksion spektakolar i Laçit me kombinimin Kallaku-Eskuerda, i cili pason për Uzunin. Ky i fundit gjuan menjëherë nga distanca, por topi përplaset në traversë dhe kthehet në lojë, Bushi provon edhe ai nga distanca, por sfera këtë herë përfundon në fundore.

31’ Vazhdon dominimi në mbajtjen e topit nga Laçi, ndërsa Luftëtari nuk ka bërë ende asnjë gjuajtje të mirëfilltë në portën kundërshtare, pasi Abazaj e ka të vështirë të furnizohet nga shokët e skuadrës dhe i duhet të kthehet shpesh vetë mbrapa që të bjerë në kontakt me topin.

24’ Nika provon me gjuajtjen e tij në goditje dënimi ballore të gjejë rrjetën, por sfera përfundon jashtë ngjitur me shtyllën në të majtë të Mirakës.

22’ Uzuni depërton në qendër dhe arrin deri pranë Mirakës, i cili me ndihmën e ndërhyrjes së mbrojtjes ndal futbollistin kundërshtar. Por më pas gardiani i Luftëtarit del me sferën në dorë jashtë zonës, duke i dhuruar një goditje dënimi kundërshtarit.

21’ Lushkja nuk mund të vazhdojë më dhe i lë vendin në fushë Bushit.

19’ Aksion i shpejtë i Laçit në krahun e majtë, me kombinimin Uzuni-Kallaku. Sfera harkohet në zonë dhe pas një devijimi, mbërrin te Nika. Ky i fundit provon të dërgojë sferën në rrjetë me roveshatë, por pa sukses, pasi topi kalon mbi traversë.

15’ Goditje dënimi interesante në krahun e djathtë të sulmit të Luftëtarit, Rapo harkon në zonë por Selmani del i sigurt dhe bën të tijën sferën.

12’ Ndeshje shumë e luftuar mes dy skuadrave, me lojtarët që nuk kursejnë faullet ndaj njëri-tjetrit, duke detyruar gjyqtarin Koçi të ndërpresë shpesh ndeshjen, edhe pse deri tani nuk ka dhënë ende asnjë karton të verdhë.

6’  Eskerda mundohet të gjejë rrjetën me një goditje dënimi nga distanca në të majtë, por sfera kalon shumë lart mbi kuadrat.

2′ Gjuajtja e parë i përket Bardhit, por shënjestra e tij nuk është e duhura dhe topi përfundon larg katërkëndorit të Mirakës.

1′ Vendasit nisin ndeshjen me shkelmimin e parë nga qendra.

Laçi-Luftëtari 0-1
61′ Abazaj

Laçi: Selmani, Ejoh, Fangaj, Gjoni, Sefgjini, Bardhi (61′ Mbombo), Lushkja (22′ Bushi), Kallaku (46′ Jonuzi), Nika, Uzuni, Eskerda.

Trajner: Stavri Nica

Luftëtari: Miraka, Toledo, Beqiri, Rapa, Rapo, Ramadani (70′ Hoxha), Aleksi, Brahimaj (86′ Puçi), Bregu, Lamçja (82′ Fakundo), Abazaj.

Trajner: Daniel Fernandez

KV: Bushi, Gjoni / Brahimaj,Lamçe, Miraka, Beqiri, Toledo

Gjyqtar: Andi Koçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"