VIDEO / Reportazh nga shtëpia e re e Partizanit, ja situata në kompleksin ku tani po luftohet me kohën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 20:22

VIDEO / Reportazh nga shtëpia e re e Partizanit, ja situata në kompleksin ku tani po luftohet me kohën

Drejtuesit e Partizanit duket se e kanë ndarë mendjen përfundimisht për ta mbyllur fazën kryesore të punimeve në kompleksin e ri, i cili po ndërtohet në periferi të kryeqytetit, afër Tufinës. Shumë shtatorë janë lakuar si afate që do ta gjenin Partizanin me shtëpi të re, por për një mijë e një arsye të ndryshme, të justifikuara me termin: BUROKRATIKE, kanë bërë që ndërtimi të marrë 5 vite e gjysmë kohë. Së fundmi është intensifikuar puna në kompleks dhe shumë shpejt Partizani pritet që të presë shiritin e inaugurimit të shtëpisë së re.

242512331_184939350417126_2257375180831396017_n

Që nga marsi i 2010-ës Partizani rezulton me statusin i pastrehë, që përkon me kohën kur e nxorën nga shtëpia në rrugën “Frosina Plaku”, afër ish-Fushës së Aviacionit. Nejse, siç thotë populli: “të shkuara të harrura”, pasi një epokë e re po lind për Partizanin, i cili pritet të bëhet me një shtëpi moderne, që brenda saj ka edhe një stadium me kapacitet prej afro 5 mijë vendesh.

242511066_3752353744866892_821216362915981890_n

“Panorama Sport” ka qenë gjatë këtyre ditëve mysafir i paftuar në shtëpinë e re të “demave”, ku nga pamjet ilustruese, por edhe në terren shikohej puna intensive, e cila më shumë ka të bëjë në infrastrukturën ndihmëse të stadiumit. Gjithsesi, kjo është një betejë me kohën për ta mbyllur sa më parë. Tribunat e stadiumit, hoteli i klubit dhe ambientet e administratës kanë mbaruar prej kohësh, ndërsa tani po punohet në kufizimin e dy pjesëve anësore të stadiumit, për të cilat vonesa ka ardhur nga problemet dhe mospërputhjet e planeve në harta dhe realitetit në terren.

Me sa duket burokracitë kanë marrë fund dhe për punë javësh Partizani do të hyjë në shtëpinë e re. Me largimin e disa inerteve të hedhura në fushën e stadiumit, që kanë ardhur nga punimet e sistemit të rrethimit të pjesëve anësore pritet që të shtrohet edhe tapeti i ri. Stolat e stadiumit dhe tapeti i fushës së stadiumit dhe terrenit stërvitor është thënë se do të jetë investim i FSHF-së, si dhuratë për “demat”. Gjithashtu, po punohet me ritme të larta edhe te godina ndihmëse, që është hoteli i klubit, që brenda tij do të ketë edhe mensë, pishina, palestër dhe çdo gjë që i nevojitet një klubi modern në kohët e sotme.

242642631_1657020881356048_8301415631171511703_n

Plani fillestar i këtij kompleksi është zbuluar sapo Partizani u kthye në Superiore nën financimin e presidentit Gaz Demi. Gjatë rrugës projekti ka ndryshuar disa herë, kryesisht pjesa e stadiumit. Përveç stadiumit, kompleksi pritet të përmbajë edhe dy fusha stërvitore për ekipin e parë, U-21, si dhe akademinë. Vlera fillestare e projektit ka qenë 6 milionë euro, por deri në përfundim vlera e investimit mund të shkojë edhe dyfish. Presidenti Demi gjithnjë e ka pohuar se kompleksi është titulli i tij i vërtetë, gjë e cila pritet të bëhet realitet shumë shpejt. Sipas tabelës fillestare të ndërtimit, punimet kanë nisur më 15 maj 2016 dhe afati i përfundimit ka qenë 16- mujor.

242419453_846395059409036_8562017165571665461_n

DETAJE NGA STADIUMI Me ndërhyrjet e fundit në stadium, kapaciteti nga 5 mijë vende u zvogëlua në 4 mijë, por që në vijim mund të rritet sërish. Tribuna qendrore ka të parashikuara 142 vende VIP. E gjithë tribuna qendrore ka 1540 vende, ndërsa tribuna përkarshi, e cila gjithashtu është e mbuluar do të ketë një kapacitet prej 2500 vendesh. Në pjesën jugore të fushës do të jetë e pozicionuar tabela elektronike. I gjithë kompleksi është i rrethuar me mure mbajtës dhe pritës.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"