VIDEO / Reali e bën diktaturë, Barcelona kapitullon në “Santiago Bernabeu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 9:24

VIDEO / Reali e bën diktaturë, Barcelona kapitullon në “Santiago Bernabeu”

Në Madrid nuk pati autogol të Pikesë, simulim të Luis Suarezit, supergol të Kristiano Ronaldos, festë me heqje fanelle, karton të kuq dhe shtyrje arbitri si në “Camp Nou”. “El Clasico” e finales së parë të Superkupës së Spanjës i ofroi të gjitha mbrëmjen e së dielës, atje ku praktikisht u vendos trofeu i parë sezonal në Spanjë.

real madrid

Tri ditë më vonë, në kryeqytet pati thjesht një diktaturë. E Realit sigurisht, që u imponohet rivalëve të përjetshëm me një nga ndeshjet më dominuese të viteve të fundit, veçanërisht pjesa e parë. Fitores 3-1 në “Camp Nou” i shtohet edhe një kryevepër e Asensios dhe goli i Benzemasë në “Bernabeu”. Rezultati i përgjithshëm: “Manita” 5-1. Barcelona ndalet vetëm te shtyllat (Mesi dhe Suarez).

LËVIZJET E FUNDIT

Zidan dhe Valverde tentojnë të maksimizojnë detajet më të vogla në finalen e kthimit. Trajneri i katalanasve, i privuar nga mungesa e Iniestës, vendos të sakrifikojë Deulofeun dhe mbipopullon mesfushën me një rreshtim 3-5-2. Francezi i përgjigjet duke ulur në stol Kasemiron, Iskon e Bejlin dhe në vend të tyre luajnë Kovaçiç, Modriç dhe Vazkuez. Ronaldon e zëvendëson Asensio.

Madrilenët e nisin menjëherë në sulm dhe është pikërisht 21-vjeçari ai që fton Modriçin në rastin e parë, por goditja e kroatit përplaset në murin katalanas. Dy minuta më vonë, Asensio e përsërit edhe njëherë vesin e tij (gol në 4 nga 5 finalet e tij të fundit, Superkupa e Europës 2016, Champions 2017, 2 herë Superkupa e Spanjës 2017): këtë herë me një gol monstruoz që sfidon ligjet e natyrës: sulmuesi gjen hapësirën në hyrje të zonës dhe e majta e tij hipnotizon Ter Shtegenin, duke u ulur vetëm në çastin e fundit nën trekëndësh.

Eksperimenti i Valverdes është një dështim total dhe Mesi dhe Suarezin nuk arrijë të tërheqin skuadrën. Modriç në regji, komandon mesfushën dhe në minutën e 33-të madrilenët kanë shansin më të mirë për të dyfishuar: këtë herë Ter Shtegen është me fat kur sheh të majtën e Vazkuezit të ndalet në shtyllë. Atë që nuk e bën Lukas, e bën Benzema në minutën e 39-të kur, pas krosimi të ulët të Marselos, francezi përfiton nga përgjumja e Umtitit dhe nuk fal.

Në pjesën e dytë, Valverde rikthehet në 4-4-2. Katalanasit japin shkëndija: Mesi trondit traversën, nga ana tjetër i përgjigjet Benzema. Shtylla i thotë sërish “jo” Suarezit. Nuk ishte dita e “remuntadës”. Reali fiton Superkupën e 10-të në histori. A do t’i mjaftojnë Paulinjo, Dembele dhe Kutinjo për të ndryshuar marshin një Barcelone kaq depresive?

ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"