VIDEO / Rashica jep spektakël dhe shënon, Vitese nënshtron Ajaksin në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2017 | 18:24

VIDEO / Rashica jep spektakël dhe shënon, Vitese nënshtron Ajaksin në transfertë

Milot Rashica ka qenë një ndër protagonistët kryesorë të triumfit të sotëm të ekipit të Vitese në një nga fushat më të vështira në Holandë, atë të ekipit legjendar të Ajaksit. Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës ka treguar të gjithë talentin e tij në stadiumin që mban emrin e legjendës Johan Krujf, para më shumë se 50 mijë spektatorëve, duke udhëhequr skuadrën në suksesin 2-1.

rashica

Përballë një skuadre e cila në përbërje ka disa nga emrat më të kërkuar në merkaton e futbollit europian, Vitese ka luajtur hapur dhe ka ndëshkuar vendasit me çdo rast që i është shfaqur. Kashia kaloi në avantazh ekipin e Viteses me një gjuajtje me kokë pas një goditje dënimi, ndërsa Rashica, në fundin e këtij fraksioni loje, shënoi një gol që do të rezultonte vendimtar në fund.

Pas një kundërsulmi të shpejtë, mesfushori hyri në zonë duke kaluar dy mbrojtës kundërshtarë, para se të dërgonte topin me një gjuajtje të saktë pas krahëve të portierit Onana. Ajaksi provoi në të gjitha mënyrat të reagonte, por nuk arriti të kthente fatin e ndeshjes, vetëm të shkurtonte diferencën me anë të Viergever në minutën e 83-të.

Goli i sotëm ishte i dyti për Rashicën në 6 ndeshjet ku ai ka luajtur në këtë sezon në kampionatin holandez, duke ndihmuar ekipin e Viteses të ngjitet në vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"