VIDEO/ Prestige triumfon në fushë, skuadra e Çamërisë braktis para kohe ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 8:59

VIDEO/ Prestige triumfon në fushë, skuadra e Çamërisë braktis para kohe ndeshjen

Prestige MFC zhvilloi pasditen e djeshme ndeshjen e radhës në Kampionatin Kombëtar të Minifutbollit që po organizon FSHF. Prestige i konsolidon edhe më shumë pozitat e saj në krye të grupit në zonën 3 të kryeqytet teksa siguroi 3 pikët e radhës ndaj skuadrës Çamëria, duke triumfuar në fushë me rezultatin 4-3, edhe pse kjo sfidë u mbyll para kohe për shkak se pati incidente disa minuta nga fundi.

Prestige

NDESHJA- Prestige e fillon furishëm takimin, teksa i mjaftojnë vetëm 30 sekonda për t’i zhbllokuar shifrat, pas një diagonaleje të shpejtë të Shimës. Minutat e para janë një dominim total i Prestige, që krijon raste të shumta shënimi. Megjithatë, Çamëria do të zgjohet dhe barazon me anë të një penalltie.

Çamëria gjen edhe golin e dytë, që vjen pas një aksioni ku Prestige pretendoi një prekje me dorë në zonën kundërshtare, por për gjyqtarin ishte gjithçka OK. Dhjetë minuta nga fundi i pjesës së parë Çamëria e thellon epërsinë në 1-3. Prestige nuk pajtohet kurrsesi me këtë rezultat dhe fillon të ndërtojë sulme të njëpasnjëshme. Në të 24-ën, Muça gjuan fort nga një pozicion diagonal nga e majta dhe i ngushton shifrat në 2-3.

Në fund të fraksionit të parë, Prestige vendos baraspeshën pas një aksioni të bukur. Hysenbelliu shërben saktë për Shimën, ndërsa ky i fundit nuk fal para porte. Pjesa e dytë vijon të luhet me shumë rivalitet, por edhe pse barazimi i shkon fare mirë për shtat, Prestige është një skuadër që luan vetëm për fitore dhe e kërkon me ngulm golin, të cilin do ta gjejë në minutën e 47-të.

Hysenbelliu çmarkohet bukur në shtyllën e dytë dhe finalizon në mënyrë perfekte një aksion të rrjedhshëm, duke rikthyer skuadrën e tij në avantazh. Edhe pse në epërsi, Prestige vijon të sulmojë, por takimi do të ndërpritet në fund, për shkak të një gjesti të shëmtuar të njërit prej lojtarëve të Çamërisë, që do të sjellë edhe tension në fushë.

Prestige 4-3

NGJARJA – Një futbollist i skuadrës së Çamërisë pasi është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 51-të ka nisur të shajë dhe të ofendojë kundërshtarët dhe zyrtarët e ndeshjes duke krijuar tension të panevojshëm. Situata precipitoi dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta.

Më pas arbitri ka urdhëruar rifillimin e ndeshjes dhe Prestige ka qenë i gatshëm ta përfundonte lojën në fushë, por skuadra e Çamërisë nuk pranoi të luante. Një gjest i shëmtuar, që në bazë të rregullores së FSHF-së meriton ndëshkim me humbjen 3- 0 në tavolinë për skuadrën e Çamërisë dhe zbritje pikësh në renditje.

Ja çfarë thotë rregullorja Neni 54 i Kodit të Disiplinës parashikon:

1. Nëse një ekip refuzon të luajë një ndeshje ose të vazhdojë të luajë një ndeshje që ka filluar, atëherë ekipi do të dënohet me humbjen e ndeshjes përkatëse në tavolinë me rezultatin 3 – 0 (tre me zero), zbritjen e jo më pak se 3 (tre) pikëve nga klasifikimi. Kur gara është me sistem eliminimi ai ekip dënohet me mospjesëmarrje në atë garë në sezonin pasardhës.

2. Trajneri, ose ndonjë zyrtar i ekipit i cili nxit braktisjen e ndeshjes nga ekipi përkatës, do të dënohet me pezullim nga veprimtaritë futbollistike për një periudhë prej 12 (dymbëdhjetë) muaj, si dhe me gjobë me vlerë jo më pak se 200,000 (dyqind mijë) lekë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"