VIDEO/ Prapaskenat e sherrit që ndërpreu për 12 minuta ndeshjen, si Nuabueze u kthye në boksier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 11:18

VIDEO/ Prapaskenat e sherrit që ndërpreu për 12 minuta ndeshjen, si Nuabueze u kthye në boksier

Ndeshja Bylisi-Laçi e riktheu futbollin shqiptar 23 vite pas, pikërisht atëherë kur në 1997-ën e mbrapshtë gjithçka kishte dalë jashtë kontrollit dhe në stadiume dukej normale që të kishte përleshje. Makthet e finales së Kupës në 2013-ën, kur kurbinasit fituan mes polemikave në “Qemal Stafa” ndaj ballshiotëve, kthehen sa herë këto dy skuadra përballen.

Nuabueze Sherri Laci

Këtë radhë FSHF kishte dërguar 6 gjyqtarë në Ballsh, si për ta zbutur disi situatën e nxehtë të një ndeshjeje ku të dyja skuadrat kërkonin fitore, për vetë objektivat që kanë në kampionat. Deri në minutën e 57-të ishte gjithçka OK në fushë, përjashto disa ndërhyrjeve të parregullta, kryesisht të lojtarëve vendës, si dhe një agresivitet që i kalonte limitet, i cili në fakt nuk u menaxhua si duhet përmes vendimeve që mori gjyqtari.

Gjatë gjithë lojës ra në sy dueli mes mbrojtësit të Bylisit, Stivian Janku, si dhe sulmuesit të Laçit, Kirian Nuabueze. Provokime, ndërhyrje të parregullta dhe deri në momentin ku njërin prej tyre e tradhtojnë nervat.

PËRLESHJA – Luhej minuta e 58-të dhe kishte një rivënie anësore për Laçin në krahun e majtë të sulmit. Janku po markonte Nuabuezen dhe ky i fundit, pa e pasur fare topin në zotërim, në momentin që u krye rivënia, e goditi me bërryl në gjoks kapitenin e ballshiotëve.


Këtu Janku rrëzohet në tokë dhe menjëherë arbitri Florian Lata nxjerr nga xhepi kartonin e kuq për Nuabuezen. Në fushë krijohet kaos mes lojtarëve, ndërsa Janku merr ndihmën e parë nga stafi mjekësor i Bylisit. Lojtarët e Laçit mundohen të qetësojnë Nuabuezen, por nigeriani pasi sqaron arbitrin se është provokuar nga Janku dhe vendimi ishte i pakthyeshëm, bën një veprim të çmendur.

Ai shkon te Janku që ishte i shtrirë në fushë dhe e godet sërish. Lojtarët e të dyja skuadrave menduan se sulmuesi do të shkonte për t’i kërkuar falje kundërshtarit, por pasi Nuabueze bëri atë veprim, më pas shpërtheu zënka masive. Pjesëtarët e të dyja stafeve futen në fushë, ndërsa Nuabueze grushtohet me lojtarë si Carkanji, Nebihu, Qardaku etj. Mes sherrit bëhet pjesë edhe zv.trajneri i Bylisit, Bekim Kuli, i cili sapo i afrohet Nuabuezes, rrëshqet në tokë dhe pas goditjeve që merr gjakoset në pjesën e majtë të fytyrës.

Lojtarët e Laçit, si Musta, Lushkja, Turkaj, Malota, Shehu dhe Mazrekaj, mundohen të distancojnë Nuabuezen, por situata del jashtë kontrollit. Për fat mirë, Forcat Speciale, që ishin jashtë stadiumit, thirren në apel dhe menjëherë ndërhyjnë për të qetësuar situatën. Në këtë moment ka tension edhe në tribunën qendrore, ndërsa Nuabueze është i papërmbajtshëm, pasi as përgatitësi atletik që e shoqëron, Andi Kulli, e ka të pamundur ta qetësojë. Duke mos ditur çfarë të bëjë, nigeriani futet në dhomat e zhveshjes dhe në hyrje të saj i nxjerr inatin kamerës së “SuperSport”.

Gjeste të ulëta dhe që nuk justifikohen, për më tepër nga një futbollist që ishte “Këpuca e Artë” e Superiore në sezonin 2019-2020. Prej sherrit masiv e pësoi me karton të kuq, krahas Nuabuzes, edhe Carkanji i Bylisit. Ndërsa gjyqtari Lata u mjaftua duke dhënë edhe një të verdhë për Turkajn pas ndërprerjes së lojës, që zgjati 12 minuta.

Një situatë që mund të kishte precipituar edhe më keq nëse në stadium nuk do të ishin Forcat Speciale të ardhura nga Fieri. Nuabueze ka bërë të njëjtin veprim edhe në ndeshjen e 25 janarit mes Tiranës dhe Laçit në “Selman Stërmasi”. Ai goditi pa top lojtarin e bardhebluve, Vrapi, me bërryl të hapur, por ia hodhi vetëm një karton të verdhë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Kodi i Disiplinës Sportive/ Grushtet në Ballsh, ja sa mund të dënohet sulmuesi Nuabueze

EKSKLUZIVE/ Sherri masiv në Bylisi-Laçi, rrëfehet Bekim Kuli: Si u gjakosa pas tërbimit të Nuabuezes

Mbledhje urgjente pas sherrit në Ballsh/ Laçi del me qëndrim zyrtar: Pezullim i përkohshëm për Nuabuezen

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"