VIDEO/ Poker i Realit, Benzema ringjallet me dopietë. Marselo sërish katastrofë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 9:22

VIDEO/ Poker i Realit, Benzema ringjallet me dopietë. Marselo sërish katastrofë

Po fluturove, rrezikon të rrëzohesh. Kjo i ndodhi Gironës kundër Realit të Madridit. E nisi ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer duke shënuar gol në portën e Navasit, pastaj dhuron 2 penallti dhe përmbyset me lehtësi. Reali fiton 4-1 falë dopietës së Benzemasë, golave të Ramosit dhe Bejlit. Tani që o afron fundi i merkatos sulmuesi francez jep sinjalin se nuk kërkon asnjë tjetër në skuadër dhe se mund t’i zëvendësojë ai golat e Ronaldos.

reali

NAVAS REZISTON- Të gjithë në Madrid ishin të sigurt se më në fund do të luante Kurtua, por Navas nuk dorëzohet. Për të tretën ndeshje radhazi në këtë sezon është sërish ai titullar. Përfundon në pankinë Kurtua bashkë me Varanin dhe Modriçin, sepse Lopetegui i beson Naços, Iskos, Asensios, Bejlit dhe Benzemasë.

MARSELO GABON- Girona surprizon Realin në fillim dhe me një thjeshtësi të frikshme arrin të shënojë. Ekipi katalanas, i cili është në pronësi të Sitit, sulmon pafund nga krahu i Marselos që lë hapësira pafund. Portu, Porro dhe Lozano i afrohen golit, por Garsia me gjakftohtësi i shtang të gjithë duke shënuar golin e avantazhit për vendasit.

DY PENALLTI- Reali nuk funksiononte dhe e goditi portën vetëm një herë, pikërisht në aksionin e golit të barazimit. Bono bën mrekulli ndaj Iskos, pastaj goditja e Benzemasë bllokohet dhe Asensio fiton penallti. E transformoi në gol kapiteni Ramos me stilin e Totit. Pjesa e parë përfundon në barazim 1-1 me rastet e shumta të Gironës për të shënuar. Por me fillimin e të dytës është sërish një tjetër penallti dhe këtë herë godet Benzema.

SPEKTAKËL- Reali merr avantazhin dhe kaq mjafton për të bërë spektakël më vonë. Bejl në fillim humbet një rast të mirë, por pak minuta më vonë e shndërron në gol duke e thelluar diferencën. Për uellsianin ishte goli i tetë në 7 ndeshjet e fundit me Realin. Pastaj jep një asist për Benzemanë, i cili shënon golin e katërt dhe dopietën personale. Francezi në këtë mënyrë u ka shënuar 32 ekipeve, nga 33 me të cilat është përballur në La Liga. Perez ndoshta ka të drejtë që nuk blen sulmues tjetër…

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"