VIDEO/ Pësojmë golin e vitit, por Shqipëria bind me kazakët dhe ka shanse për vendin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 0:00

VIDEO/ Pësojmë golin e vitit, por Shqipëria bind me kazakët dhe ka shanse për vendin e parë

Shqipëria ka mundur sot Kazakistanin me rezultatin 3-1 dhe është ngjitur e dyta me 8 pikë në grupin C4 të Ligës së Kombeve. Bjellorusia ndërkohë mundi Lituaninë me rezultatin 2-0 dhe renditet e para me 10 pikë. “Finalja” për vendin e parë në grupin tonë mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë do të luhet të mërkurën në orën 16:00 në “Air Albania”. 

Cikalleshi goli

Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh me Cikalleshin në minutën e 16-të pas një krosimi perfekt të Memushajt. Më pas dyfishuan shifrat në minutën e 23-të pas një rrëmuje në zonë me Ismajlin, por nuk arritën dot as të festonin për golin e dytë, sepse Kazakistani shënoi një minutë më pas nga mesi i fushës duke shtangur Berishën, që jo vetëm ishte pozicionuar keq në atë moment, por as që e kishte menduar një “rreng” të tillë nga kundërshtarët.

Ismajli festa e golit

Goli i vitit mund të quhet ai, por kjo gjithsesi nuk i pengoi kuqezinjtë që të zhvillonin një ndeshje të mirë në tërësi. Në pjesën e dytë Shqipëria shënoi sërish me anë të Manajt, i cili shndërroi në gol një penallti të fituar me “dhunë” nga Amir Abrashi. Ky i fundit ishte padyshim një ndër më të mirët në fushë.

Goli i Manajt

Vlen për t’u theksuar se kjo ishte një ndeshje e interpretuar mirë nga skuadra e drejtuar prej Edi Rejës. Agresiviteti në sulm për topin e parë dhe vendosja shkurt e skuadrës, duke mos pasur vazhdimisht një qarkullim të mirë të topit, ndihmuan ekipin që minutë pas minute të fitonte besim në vetvete dhe të ishte dominues në fushë.

bandicam 2020-11-15 20-06-01-629

Kujtojmë që Shqipëria për të siguruar vendin e parë në grup, duhet patjetër që të fitojë me Bjellorusinë, e cila ka dy pikë më shumë. Kujtojmë që ndeshjen e parë kundër tyre fituam në transfertë me rezultatin 2-0 me gola të Cikalleshit dhe Bares.

FT: SHQIPËRI – KAZAKISTAN 3-1

Cikalleshi 16′, Ismajli 23′, Manaj 62′ (p)  / Abiken 24′

KOMENTI LIVE:

Përfundon takimi! 

90′ Akordohen 3 minuta shtesë.

89′ Kazakët nuk dorëzohen, teksa provojnë me numrin 8 Tagibergent, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit.

88′ Tjetër mundësi shënimi për Shqipërinë me Hysajn, por gjuajtja e shkodranit ndalet në momentin e fundit nga portieri.

86′ Tri zëvendësime të menjëhershme te Shqipëria. Largohen nga fusha, Manaj, Cikalleshi dhe Memushaj, në fushën e lojës, Balaj, Seferi dhe Selahi.

84′ Pranë golit Kazakistani me Vorogovski, por tentativa e futbollistit mik ndalet mjaft bukur nga portieri Etrit Berisha.

75′ Epërsia e 2 golave, i jep mundësinë kuqezinjve që të administrojnë qetësisht lojën, me qarkullim të topit në mesfushë.

69′ Depëritim fantastik i Manajt, që shmang 3 lojtarë, por gjuajtja e sulmuesit lushnjar në hyrje të zonës lë për të dëshiruar dhe shkon drejt e në duart e portierit.

67′ Zëvendësim te Shqipëria, largohet nga fusha Uzuni, vendin e tij e merr Albi Doka.

63′ Shpëton për mrekulli porta e Berishës, pranë golit të dytë kazakët, të cilët si për çudi, gjejnë forcë dhe reagojnë menjëherë pas golit të pësuar, ashtu si në golin e dytë!

62′ GOOOOOL SHQIPËRIA 3-1/ Rei Manaj tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë! 

61′ Fantastik Amir Abrashi, që fiton një 11-metërsh, pas një këmbëngulje për t’u admiruar. Shtatshkurti i vjedh kohë mbrojtësit kazak dhe fiton një penallti të pastër.

57′ Goditje dënimi për Shqipërinë, provon Cikalleshi, me një predhë, por topi ndalet nga muri mbrojtës.

53′ Zëvendësim te Shqipëria, largohet nga fusha Kallaku, vendin e tij e zë Klaus Gjasula.

52′ Uzuni harkon në zonë, nuk arrin aty Manaj të devijojë.

49′ Shqipëria në kërkim të golit të tretë. Kallaku shërben bukur për Memushajn që provon fluturimthi, por ndalet nga portieri mik.

46′ Starton pjesa e dytë. Trajneri Reja nuk bën ndryshime.

Përfundon pjesa e parë. 

45′ Akordohen 2 minuta shtesë.

40′ Shqipëria në kërkim të golit të sigurisë. Kazakët provojnë të na surprizojnë me daljet e rrezikshme në sulm.

36′ Të pafat kuqezinjtë! E pabesueshme! Uzuni dhe Hysajn nuk arrijnë të shtyjnë dot topi në rrjetë shumë pranë vijës fatale. Nuk iu besojnë syve kuqezinjtë…

34′ Goditje dënimi për Shqipërinë. Provon Memushaj nga distanca, por topi shkon mbi kuadrat.

34′ Faull për Shqipërinë, Alip ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Memushajt.

31′ E pabesueshme çfarë humbet Uzuni i vetëm përballë portierit. Talenti beratas, ka provuar me një goditje klasi, por është nxituar duke gabuar gjithçka.

29′ Abrashi ndëshkohet me karton të verdhë duke humbur ndeshjen e radhës ndaj Bjellorusisë.

24′ GOL KAZAKISTANI 2-1/ E pabesueshme! Miqtë realizojnë nga mesi i fushës me anët të Abiken! Kuqezinjtë “dehen” nga goli i Ismajlit! Përfiton futbollisti mik, i cili me një perlë nga mesi i fushës shtangu Berishën.

23′ GOOOOOOL SHQIPËRIA 2-0/ Realizon edhe mbrojtësi Ismajli. Pas një këmbëngulje të admirueshme, shqiptari përfiton nga rrëmuja në portën e Kazakistanit dhe nuk fal brenda zonës duke e dërguar topin në rrjetë. 

16′ GOOOOOL SHQIPËRIA 1-0/ Zhbllokohet sfida! Sokol Cikalleshi kalon në avantazh kuqezinjtë. Pas harkimi nga e djathta nga ana e Memushajt, bomberi kavajas nuk fal duke goditur saktë me kokë. Goli i parë i Shqipërisë në stadiumin e ri “Air Albania” 

12′ Minuta të mira për kuqezinjtë që kërkojnë me ngulm golin e avantazhit, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në zonën e kazakëve.

9′ Pranë golit Shqipëria me Manajn. Pas krosimit të Hysajt nga e djathta, sulmuesi lushnjar godet bukur me kokë, por reagon mjaft mirë, portieri i Kazakistanit, që e dërgon rrezikun në këndore.

8′ Shqipëria fiton goditje e parë nga këndi.

5′ Drithërima në portën e Shqipërisë. Numri 11 i Kazakistanit, Vorogovski, provon me një predhë me të majtën nga distanca, Berisha reagon mjaft mirë duke e devijuar në këndore.

3′ Kazakistani fiton goditjen e parë nga këndi. Rreziku largohet nga Cikalleshi.

2′ Menjëherë rrezikshëm Shqipëria. Memushaj harkon nga e majta në zonë. Provon Gjimshiti me kokë, por topi shkon mbi kuadrat.

1′ Kuqeiznjtë e nisin vrullshëm. Shpërthen Uzuni nga e majta, futbollisti kundërshtar Kerimzhanov, detyrohet të shkaktojë faull taktik, duke u ndëshkuar menjëherë me karton të verdhë.

1′ Ka nisur sfida në “Air Albania”. Topin e parë e luajnë miqtë nga Kazakistani.

FORMACIONET ZYRTARE:

SHQIPËRIA: Berisha, Veseli, Ismajli, Gjimshiti, Hysaj, Abrshi, Memushaj, Kallaku, Uzuni, Manaj, Cikalleshi. Trajner: Edi Reja.

Shqiperia

KAZAKISTANI: Pokatilov, Alip, Vorogovski, Maroçkin, Kerimzhanov, Kuat, Bejsebekov, Abiken, Sujumbajev, Shetkin, Aimbetov.

Kazakistani

GJYQTARË: Xavier Fernandez, Roberto Fernandez, Guadalupe Ajuso (SPANJË)

Protokolli Shqiperi-Kazakistan

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"