VIDEO/ Përmbysje spektakolare, Teuta trondit Kukësin dhe sfidon Tiranën në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2020 | 23:59

VIDEO/ Përmbysje spektakolare, Teuta trondit Kukësin dhe sfidon Tiranën në finale

Teuta ka mposhtur me rezultatin 2-1 Kukësin, në “Niko Dovana”, duke shkuar në finalen e Kupës së Shqipërisë pas 13 vitesh. Një triumf me përmbysje për skuadrën e drejtuar nga Edi Martini.

bandicam 2020-07-15 22-38-22-550

Verilindorët kaluan të parët në avantazh në minutën e 49-të me Eduart Rrocën, ndërkohë që Kapllani dhe Hoxha përmbysën gjithçka për durrsakët.

Kujtojmë që ndeshja e parë përfundoi në barazim pa gola. “Djemtë e Detit” do të përballen në finale me Tiranën që mposhti Bylisin në orën 17:30. Si Teuta ashtu dhe Tirana festojnë 100 vjetorin këtë vitet dhe si për ironi, fati i ka vendosur përballë në finalen e Kupës.

FT: TEUTA-KUKËSI 2-1 (Ndeshja e parë ka përfunduar 0-0)

Kapllani 73′, Hoxha 83′ / Rroca 49′

KOMENTI LIVE: 

Përfundon takimi. 

90+4′ Provon edhe Gruda, por gjuajtja e tij shkon jashtë kuadratit.

90′ Akordohen 5 minuta shtesë.

88′ Zëvendësim te Teuta, largohet Kallaku, vendin e tij e zë mbrojtësi Hrjeliç.

83′ GOOOOOL TEUTA 2-1/ Përmbys gjithçka skuadra durrsake me Rustem Hoxhën. I cili pas një harkimi nga Kallaku, godet bukur me kokë, duke e dërguar topin në cepin e portës. 

79′ Zëvendësim te Kukësi, largohet Rroca, vendin e tij e merr Teqja.

79′ Hoxha ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Ethemit.

77′ Zëvendësim te Kukësi, largohet nga fusha Kuper, në lojë Gavazaj.

73′ GOOOOL TEUTA 1-1/ Barazohet sfida. I hedhur në fushë nga stoli, sulmuesi i talentuar, Dejvi Kapllani, ka realizuar një gol mjaft të bukur nga jashtë zonës, duke i dhënë zemër skuadrës durrsake. 

71′ Zëvendësim te Teuta, largohet Aleksi, vendin e tij e merr talenti Kapllani.

63′ Kuper ndëshkohet me karton të verdhë, për lojë të rrezikshme ndaj mbrojtësit Hoxha.

62’ Lëvizje e dyfishtë te Teuta të cilës i duhen dy gola. Çyrbja dhe Gruda zënë vendin e Avdylit dhe Hebajt.

52′ Pranë golit të dytë Kukësi me Emiljano Mustën, që rrëmben një top në sulm, provon me një gjuajtje, por ndalet nga portieri Frashëri.

49′ GOOOOOL KUKËSI 0-1/ Zhbllokohet sfida. Rroca kalon në avantazh skuadrën e Orges Shehit, falë një gjuajtje të saktë në hyrje të zonës. 

46′ Durrsakët gjejnë rrugën e rrjetës me Rustem Hoxhën, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.

46′ Starton pjesa e dytë, Kukësi kryen zëvendësim, largohet nga fusha Kotobelli, vendin e tij e merr Musta.

EDUART RROCA: Nuk ka ndryshuar asgjë, po bëjmë lojën tonë. Kishim mundësi të gjenin një gol. Po shënuam 1 kundërshtari duhet të shënojë 2. Jemi në rrugën e duhur, shpresoj të shënojmë.

RENATO ARAPI: Kupa ka specifikë ndryshe. Po mundohemi të kapim kundërshtarin kur le hapësira. Shpresoj që në pjesën e dytë t’ia arrijmë.

Mbyllet pjesa e parë! 

42′ Protesta të ashpra të futbollistëve të Teutës ndaj gjyqtarit Bajramaj, për një faull të pretenduar në mesfushë.

40’ Goditje dënimi nga e majta, topi harkohet në zonë ku Vila godet me kokë por nuk gjen portën e Xhikës.

32’ Kundërpërgjigjet Kukësi me një depërtim të Abazajt i cili gjuan në ecje e sipër, pa gjetur katërkëndorin e Frashërit.

28′ Aksion i mrekullueshëm i Teutës, pas kombinimit Vila-Kallaku, ky i fundit asiston për Hebajn,  por shkodrani nuk mundi të goditste brenda zonës.

24′ Momente paniku. Emiljano Vila dhe Ethemi përplasen kokë më kokë. Por për fat të mirë, gjithçka duket në rregull.

20’ Kallaku gjen hapësirën për të provuar një gjuajtje nga jashtë zonës, topi ndalet direkt në duart e sigurta të Xhikës.

17′ Tjetër rast i rrezikshëm në portën e Teutës, kësaj here ishte Limaj që provoi, por gjuajtja e tij shkoi jashtë kuadratit.

16′ Shtylla shpëton skuadrën e Teutës, pas tentativës si Kristal Abazajt, i cili ka provuar nga brenda zonës, por gjuajtje e tij u ndal nga shtylla e majtë pingule.

14′ Abazaj provon nga goditja e dënimit, por topi përplaset në mur.

11′ Kukësi fiton disi terren dhe avancon përpara në zonën e Teutës, që është tërhequr disi.

6′ Mundësi e mirë për Teutën, Todorovski shërben nga e djathta për Hebajn brenda zonës, por ky i fundit rrëzohet duke mos kontrolluar dot topin.

5′ Minuta të mira për durrsakët që ushtrojnë presion të vazhdueshëm në zonën e Kukësit që mbrohet mirë.

2′ Teuta e nis sfidën në sulm. Kallaku jep një asist fantastik për Emiljano Vilën brenda zonës, por mesfushori nuk e shfrytëzon siç duhet, duke gjuajtur jashtë kuadratit.

1′ Ka nisur sfida!

FORMACIONET ZYRTARE:

TEUTA:  Frashëri, Todorovksi, Hoxha, Arapi, Beqja, Aleksi, Avdyli, Kallaku, E. Vila, L. Vila, Kallaku. Trajner: Edi Martini

KUKËSI: Xhika, Maliqi, Lulaj, Krasniqi, Kotobelli, Musolli, Limaj, Rroca, Ethemi, Abazaj, Kuper. Trajner: Orges Shehi

GJYTARË: Kreshnik Barjamaj, Dojando Myftari, Nertil Bregasi, Ardian Beqiri.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"