VIDEO/ Partizani shkëlqen në “Air Albania”, spektakël dhe tripletë ndaj Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2021 | 0:09

VIDEO/ Partizani shkëlqen në “Air Albania”, spektakël dhe tripletë ndaj Bylisit

Partizani shkëlqen në “Air Albania”, duke mposhtur Bylisin me rezultatin 3-0, në një sfidë të dominuar totalisht nga të kuqtë. Goli i avantazhit erdhi në sekondën e 15-të të ndeshjes, duke ia bërë mjaft të lehtë këtë fitore skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja.

Partizani fitorja

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e një goli, teksa në fragmentin e dytë të lojës “Demat e Kuq” realizuan edhe 2 herë të tjera me anë të Jasir Asanit dhe Çinarit, që ishin në superformë. Edhe ballshiotët e Dovedan patën disa shanse, kryesisht në pjesën e parë, por nuk u treguan të saktë para portës.

Partizani festa

Më këtë triumf, Partizani u ngjit në vendin e dytë me 47 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të tretë. Skuadra kryeqytetase tashmë ka 2 pikë më pak se kryesuesit e Teutës.

FT: PARTIZANI-BYLIS 3-0

Stenio Zhunior 1′, Asani 69′, Çinari 84′

KOMENTI LIVE: 

Përfundon sfida! 

90′ Akordohen 4 minuta shtesë.

89′ Portieri Pano Qirko i mohon golin Ferhan Hasanit. Pas një tentative nga goditja e dënimit, portieri vlonjat është zgjatur mjaft bukur duke grushtuar topin në këndore.

88′ Andi Hadroj ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar.

87′ Zëvendësim i fundit te Partizani, largohet Çinari, vendin e tij e merr Melo.

84′ GOOOOL PARTIZANI 3-0/ Pas shumë këmbënguljesh realizon edhe Çinari. Shkodrani lëviz bukur duke shmangur disa kundërshtarë, provon me të majtën në hyrje të zonës, teksa i ndihmuar edhe nga devijimit, topi përfundon në rrjetë. 

80′ Tjetër shans i artë për Partizanin me Kardozon, por sulmuesi nuk arrin të realizojë me kokë i vetë brenda zonës. Pas harkimit të Çinarit nga e djathta, devijimi me kokë i brazilianit ishte i dobët dhe përfundoi drejt e në duart e Qirkos.

77′ Zëvendësim i katërt te Partizani, largohet Mala, vendin e tij e merr Idrizaj.

71′ Partizani kryen 3 zëvendësime, largohet Murataj, Asani dhe Stenio Zhunior, në lojë Hasani, Kardozo dhe Cara.

69′ GOOOOL PARTIZANI 2-0/ Dyfishohet rezultati. Jasir Asani mposht portierin Qirko, pas asistit nga ana e Çinarit, 25-vjeçari nga Shkupi, kontrollon bukur topin brenda zonës dhe godet saktësisht me të majtën! 2-0 për “Demat e Kuq”. 

67′ Bylisi kryen edhe 2 zëvendësimet e fundit, largohen nga fusha e lojës, Desançiç dhe Ymeralilaj, në lojë Haraba dhe Muçollari.

64′ Tjetër tentativë e Çinarit. Kësaj herë, pas krosimit të Hakajt, sulmuesi shkodran provon me një gjuajtje fluturimthi me të majtën, por reagon mjaft bukur gardiani i Bylisit që largon rrezikun në këndore.

62′ Asani provon me një predhë nga distanca, grushton në vështirësi portieri Qirko.

59′ E pabesueshme çfarë humbet Çinari brenda zonës. Pas harkimit të Hakajt nga e majta, sulmuesi i Partizanit nuk finalizon dot, në afërsi të pikës së penalltisë, duke e dërguar sferën jashtë kuadratit.

58′ Pretendim për penallti i Partizanit, pas duelit mes Çinarit dhe Hadrojit brenda zonës, por për gjyqtarin Lata gjithçka e rregullt.

54′ Tjetër zëvendësim te Bylisi, largohet nga fusha Ntepe, vendin e tij e merr Qardaku.

51′ Bylisi kryen zëvendësimin e dytë, largohet nga fusha Kojiç, vendin e tij e merr Ujka.

49′ Partizani e nis vrullshëm pjesën e dytë dhe hidhet në sulm në kërkim të golit të sigurisë.

46′ Starton pjesa e dytë. Bylisi kryen zëvendësimin e parë, largohet nga fusha, Mehmetllari, vendin e tij e merr Spahiu.

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

40′ Minuta të qeta në këtë fragment loje, Partizani menaxhon mjaft mirë epërsinë.

37′ Dominim i Partizanit në këto minuta. Murataj merr topin në fundore në të djathtën dhe nis një pasim në qendër, topi kalon para pasqyrës së portës pa u devijuar nga askush.

34′ Partizani gjen rrugën e rrjetës me Çinarin, pas një skeme perfekte nga goditja e dënimit, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.

31’ Tjetër rast i rrezikshëm në portën e Bylisit. Asani gjuan, por gjen të gatshëm Qirkon i cili i përgjigjet në mënyrë të shkëlqyer. Topi shkon te Bardhi i cili provon me portën e boshatisur, por një mbrojtës devijon sferën duke mos e lejuar të shkojë në rrjetë.

28′ Vendimtar Bitri me ndërhyrjen e tij! Mbrojtësi i heq topin nga këmba sulmuesit Antoni, duke sfumuar një mundësi të mirë.

25’ Rast i pabesueshëm i humbur nga Çinari. Stenio Xhunior përfiton nga gabimi i Jankut dhe i jep topin Çinarit të vetëm para Qirkos. Gjuajtja e tij është shumë e gabuar dhe përfundon jashtë.

20′ Partizani fiton një goditje nga këndi, pas devijimit të topit nga mbrojtësi Ymeralilaj.

17′ Paraqitje tepër dinjitoze e të dyja skuadrave në këto minuta të para. Rritëm i kënaqshëm i lojës në “Air Albania”.

14′ Goditje dënimi për Bylisin, në një pozicion tepër të favorshëm, provon Loran, por topi devijohet nga muri mbrojtës dhe shkon në këndore.

10′ Nemanja Kojiç, provon me një gjuajtje me të djathtën, nga jashtë zonës, topi shkon mbi kuadratin e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha.

7′ Start fantastik, të kuqtë e kanë nisur sfidën me një marsh tepër të lartë, duke prodhuar aksione fantastike. Nuk mungojnë as kundërpërgjigjet e ballshiotëve.

3’ Rast i pastër për Bylisin, me sulmuesin Antoni, i cili del i vetëm para Hoxhës pas gabimit në pasim të Bitrit. Portieri i Partizanit shpëton portën nga një gol i sigurt.

1′ GOOOOL PARTIZANI 1-0/ Vetëm 15 sekonda ka zgjatur baraspesha. Stenio Zhunior kalon në avantazh skuadrën e kuqe, pas një gafe të portierit Qirko, futbollisti brazilian nuk ka falur, duke tundur rrjetën. 

1′ Ka startuar sfida në “Air Albania”

FORMACIONET ZYRTARE:

Partizani: Hoxha, Belica, Broja,  Mala, Murataj, Hakaj, Bitri, Asani, Bardhi, Çinari, Zhunior,. Trajner: I. Daja

Bylis: Qirko, Ymeraliaj, Hadroj, Janku, Mehmetllari, Kojiç, Beji, Marselinjo, Ntepe, Lorran, Trumci. Trajner: V. Dovedan

2C0BCD11-3A03-48F7-8A50-AF9CAC427623

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"