VIDEO/ Partizani prish mallkimin në “Air Albania”, thyen Laçin dhe marshon drejt… Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2020 | 0:21

VIDEO/ Partizani prish mallkimin në “Air Albania”, thyen Laçin dhe marshon drejt… Europës

 

Partizani rihap garën për një vend në Kupat e Europës. Të shtunën në stadiumin “Air Albania” të kuqtë mposhtën minimalisht 1-0 Laçin, teksa vendosi goli i Eraldo Çinarit në minutën e 11-të. Ky ishte triumfi i tretë radhazi për skuadrën e Adolfo Sormanit, që afrohet tashmë me vetëm tri pikë nga vendi i tretë, që të jep automatikisht një biletë për Ligën e EuropësPartizani2

Të kuqtë nuk kanë zhvilluar ndonjë ndeshje brilante, por me strategjinë e ndjekur ia dolën të merrnin atë që dëshironin. Laçi dominoi në shumicën e ndeshjes, duke krijuar disa raste të pastra për shënim. Megjithatë, në rikthimin titullar në portë, Alban Hoxha evitoi gola të sigurt.

Nga ana tjetër, kurbinasve nuk u mjaftoi kthimi pas disa javësh mungesë i sulmuesit Kirian Nuabueze, i cili shpërdoroi jo pak. Xhixha kishte shansin e barazimit në fund, por sërish Hoxha i tha “jo” golit. Partizani luan javën e 32-të ndaj Bylisit në transfertë, ndërsa Laçi pret Flamurtarin

FT: PARTIZANI – LAÇI 1-0

Çinari 11′

KOMENTI LIVE:

4′ Kundërsulm i Partizanit me Trashin në krahun e majtë, që shërben te Bardhi, i cili fiton duelin e shpejtësisë me Ignjatoviç, e më pas gjuan nga afërsia e zonës, por pret Stazhilla.

11′ Ignjatoviç nuk largon si duhet një top nga zona, që kontrollohet nga Broja, i cili godet me të majtën, por “sfera” kthehet në asist për Çinarin, që pasi i vidhet Turkajt, gjuan me të majtën afër portës dhe shënon, 1-0 për Partizanin.

18′ Çinari humbet një top në afërsi të zonës, aty ku përfiton Deliu, që gjuan fort me të djathtën, por Alban Hoxha pret i sigurt.

29′ Greca i rrëmben një top Llanajt dhe shërben te Nuabueze, që nga një pozicion diagonal, gjuan tokazi me të majtën, por pret Hoxha.

34′ Harkim i bukur i Turkajt nga e majta e sulmit, por Nuabueze nuk i gjen kohën topit, ndërsa Fangaj godet vetëm rrjetën e jashtme.

70′ Rasti i artë për Laçin pas një gafe të Boldor, teksa Lushkja i rrëmben topin dhe shërben te Nuabueze. Ky i fundit, i vetëm me Hoxhën, gjuan, por Bitri devijon, e më pas është rumuni që largon “sferën”.

73′ Teko lëshon një predhë nga distanca, por Hoxha eviton golin.

76′ Kombinime të sakta mes Bardhit, Brojës e Feratit, teksa ky i fundit gjuan tokazi brenda zonës, por pret në pozicion Stazhilla.

77′ Donald Rapo lëshon një “silurë” me të majtën nga rreth 30 metra larg portës, por Hoxha pret në dy kohë.

86′ Aksion perfekt i kurbinasve në krahun e majtë, aty ku Xhixha del i vetëm me Hoxhën, por goditja e sulmuesit neutralizohet nga Hoxha.

90+2′ Turkaj provon të surprizojë portierin Alban Hoxha pas një dalje të gabuar, por gjuajtja e futbollistin nga mesfusha, nuk ka saktësinë e duhur.

FORMACIONET:

PARTIZANI: Hoxha, Idrizaj, Bitri, Boldor, Trashi, Telushi, Broja, Melo, Llanaj (Ferati 54′), Çinari (Braun 76′), Bardhi (Solomon 87′). (në dispozicion: Teqja, Malaj, Hakaj, Kote, Cara, Kodra). Trajner: Adolfo Sormani

LAÇI: Stazhilla, Fangaj, Ignjatoviç, Selmani, Turkaj, Shehu, Deliu (Rapo 75′), Lushkja, Greca (Teko 64′), Xhixha, Nuabueze. (në dispozicion: Sali, Bylyku, Bytyçi, Gjoni, Marku, Prenga, Trokthi, Vecaj). Trajner: Armando Cungu

KARTONË TË VERDHË: Boldor 49′, Bitri 58′, Solomon 89′ / Shehu 45′, Nuabueze 62′, Lushkja 71′

DELEGAT: Marjus Sulejmani (Tiranë)

VËZHGUES: Ilirjan Kristo (Tiranë)

 

GJYQTARET: K.Bajramaj, D.Myftari (Tiranë), M.Llukmani (Vlorë);

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"