VIDEO / Partizani përmbys Tiranën, derbi i kryeqytetit mbetet i kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 0:43

VIDEO / Partizani përmbys Tiranën, derbi i kryeqytetit mbetet i kuq

E fiton Partizani derbin numër 149 ndaj Tiranës. Të kuqtë triumfuan 2-1 në “Selman Stërmasi” në duelin që ngriti siparin e javës së 31-të të Kategorisë Superiore.

Bardheblutë e nisën më mirë takimin dhe kaluan përpara me sulmuesin Ede kur kronometri shënonte 14 minuta, dhe mundi ta administronte avantazhin deri pak para pushimit mes pjesëve.

Në minutën e 45-të Idriz Batha shndërroi në gol një penallti të fituar po vetë pas një pengimi në zonë nga Albi Doka.

Edhe gjysma e dytë luhet me të njëjtin ritëm dhe rastet nuk mungojnë sa në njërën portë edhe në tjetrën, por në fund buzëqeshin sërish të kuqtë. Një krosim i saktë e Fejzullahit nga e djathta gjen të lirë në zonë zëvendësuesin Xhevahir Sukaj, i cili katër minuta para fundit të kohës së rregullt mposht me kokë Ilion Likën.

Deri në fund nuk ka kohë për të reaguar dhe Tirana detyrohet të dalë duarbosh edhe pse bëri një nga ndeshjet më të mira të sezonit. Disfata e lë ekipin e Mirel Josës në vendin e gjashtë me 32 pikë, por në rrezik për t’u kaluar nga Teuta dhe Flamurtari që të dielën ndeshen mes tyre.

Në krahun tjetër, Partizani merr sërish i vetëm kryesimin e renditjes me 65 pikë dhe e kalon presionin te Kukësi që nesër pret Laçin, dhe te Skënderbeu që të dielën i bën vizitë Luftëtarit.

Partizani gol

Minutë pas minute

90+6′ Përfundon gjithçka në “Selman Stërmasi”. Partizani mund Tiranën 2-1 me përmbysje.

90+4′ Tirana përpiqet të reagojë dhe i afrohet portës kundërshtare me Dorian Kërçikun. Mesfushori gjuan me kokë nga brenda zonës pas një krosimi nga krahu i majtë, por gjuajtja e tij shkon lehtë në duart e Alban Hoxhës.

90′ Karton i verdhë për Idriz Bathën për një faull në mesin e fushës.

87′ Edvan Bakaj dhe Labinot Ibrahimi përjashtohen me karton të kuq pas një zënke mes tyre para stolit bardheblu në momentet e festës së të kuqve pas golit.

86′ GOL! Partizani përmbys rezultatin me Xhevahir Sukajn. Sulmuesi i futur rishtas ndëshkon me kokë Ilion Likën pas një krosimi të saktë të Fejzullahit nga e djathta.

80′ Edhe Josa kryen zëvendësimin e fundit. Afrim Taku del për Dorian Kërçikun.

76′ Rast i shkëlqyer për Partizanin. Mentor Mazrekaj tenton me një të djathtë spektakolare nga rreth 35 metra, me topin që përplaset në traversë dhe ulet mbi vijën fatale. Fantazisti kosovar ndëshkohet me karton të verdhë për protestë ndaj gjyqtarit, pasi pretendonte se topi e kishte kaluar vijën.

73′ Sulejman Starova e mbyll me lëvizjet nga stoli duke hedhur në lojë Xhevahir Sukajn në vend të Agustin Torasës.

72′ Ndëshkohet edhe Gëzim Krasniqi, për një ndërhyrje lë palejuar ndaj Hoxhallarit pranë zonës së Partizanit.

69′ Kaleb Ekuban ndal me faull Asion Dajën në mesfushë dhe gjyqtari nuk ia kursen kartonin e verdhë.

68′ Sërish ndërrim i detyruar te Tirana. Merveil nuk ia del dhe lë fushën i dëmtuar. Vendin e tij e merr Moise.

66′ Bardheblutë shpërdorojnë një mundësi të shkëlqyer për të kaluar sërish përpara. Një krosim i Ede nga e djathta gjen të lirë në zonë Merveilin, i cili nuk gjuan siç duhet dhe e çon topin mbi portë.

59′ Zëvendësim i detyruar edhe te Tirana. Olsi Teqja lë fushën i dëmtuar dhe vendin e tij në qendër të mbrojtjes e merr Klisman Cake.

54′ Partizani bën ndërrimin e dytë, me Emiljano Vilën që i bën vend Marko Cetkoviçit.

50′ Tirana vazhdon të luajë më mirë dhe i afrohet sërish kërcënueshëm katërkëndëshit të kuq. Ndokyt Merveil depërton bukur në zonën kundërshtare dhe del përballë Hoxhës, të cilin provon ta mposhtë me një finte. Megjithatë portieri e ndal në dalje.

48′ Sinjalin e parë  pas pushimit e japin bardheblutë. Erando Karabeci i beson të majtës nga një distancë e largët, por “gardiari” Hoxha grushton topin.

46′ Asnjë ndryshim në pushim. Për pjesën e dytë rikthehen të njëjtët lojtarë që e mbyllën të parën.

Pjesa 2

Pjesa e parë

45+3′ Mbyllet në barazim 1-1 pjesa e parë spektakolare.

45′ GOL! Gjuajtjen e merr përsipër vetë mesfushori, i cili nuk gabon nga pika e bardhë, duke rikthyer baraspeshën.

44′ Penallti për Partizanin. Idriz Batha depërton në zonë dhe rrëzohet pas një kontakti me Albi Dokën. Gjyqtari fishkëllen për 11-metërsh.

38′ Partizani ka mundësinë më të mirë për të barazuar. Torasa koordinohet me një kthesë të bukur nga brenda zonës, por gjuajtja e argjentinasit ndalet nga traversa.

33′ Partizani përpiqet të reagojë, por duket i çoroditur. Nga ana tjetër, Tirana luan qetë dhe rrezikon me zbritje të rrezikshme. Në një të tillë Taku shfaqet i vetëm në zonë, por gjyqtari ndal lojën për një faull ndaj Ramadanit. Vendimi i diskutueshëm shkakton reagimin e bardhebluve.

28’ Vjen kartoni i parë i verdhë dhe është për Asion Dajën. Mesfushori i Tiranës ndëshkohet për një ndërhyrje nga prapa ndaj Agustin Torasës në mesfushë.

26’ Partizani shfaqet sërish kërcënueshëm me një aksion nga krahu i djathtë. Arbnor Fejzullahi kroson në qendër për, Ekubanin, mirëpo gjuajtja me kokë e sulmuesit të kuq devijohet që në nisje nga Albi Doka në goditje këndi.

25’ Mundësi për të kuqtë për të rrezikuar me një goditje dënimi pranë zonës. Mentor Mazrekaj kroson në shtyllën e dytë, por askush nga lojtarët e Partizanit nuk arrin ta devijojë.

19′ Zëvendësim i detyruar te Partizani. Renaldo Kalari nuk vazhdon dot pas një dëmtimi të pësuar dhe vendin e tij e zë Mentor Mazrekaj. Lorenc Trashi kthehet mbrojtës i majtë.

14′ GOL! Tirana në avantazh. Zbritje e shpejtë nga e majta, me Merveilin që del i lirë dhe shërben për Ede. Ky i fundit nuk e ka të vështirë të mposhtë me kokë Alban Hoxhën nga dy hapa larg.

13′ Ritmi i lartë dhe loja e shpejtë sjellin edhe shumë faulle nga të dyja skuadrat. Nga një i tillë Lorenc Trashi kroson në zonë për Ekubanin, por gjuajtja me kokë e sulmuesit shkon mbi traun e portës.

6′ Tirana përgjigjet me një aksion nga e majta, me Hoxhallarin që kroson në shtyllën e parë por Alban Hoxha grushton topin jashtë zonës para se sulmuesit bardheblu të përfitonin.

1′ Fillon ndeshja në “Qemal Stafa”. Tirana e nis nga mesi i fushës, por e humbet menjëherë dhe u jep mundësi të kuqve t’i afrohen rrezikshëm portës pas vetëm 16 sekondash. Megjithatë Ilion Lika kontrollon pa shumë probleme një gjuajtje me kokë të Torasës.

Para ndeshjes

Tirana 1 – 2 Partizani (Ede 14′ / Batha 45′-p., Sukaj 86′))

Tirana (4-3-3): Lika; Doka, Teqja (Cake 59′), Turtulli, Hoxhallari; Daja, Akuah, Karabeci; Taku (Kërçiku 80′), Merveill (Moise 68′), Ede.
Trajner: Mirel Josa

Partizani (4-3-3): Hoxha; Fejzullahi; Krasniqi, Malota, Kalari (Mazrekaj 19′); Vila (Cetkoviç 54′), Ramadani, Batha; Torasa (Sukaj 73′), Trashi, Ekuban.
Trajner: Sulejman Starova

Gjyqtar: Juxhin Xhaja / Anësorë: Ermal Barushi, Ridigert Çokaj / Arbitër i katërt: Dojando Myftari / Pas portave: Remzi Sadiku, Kreshnik Cjapi

KV: Daja / Kalari, Ekuban, Krasniqi, Mazrekaj, Batha

KK: Bakaj / Ibrahimi (nga stoli)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"