VIDEO / Partizani ngec përsëri edhe me VAR, Skënderbeu frenon pretendentët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 0:10

VIDEO / Partizani ngec përsëri edhe me VAR, Skënderbeu frenon pretendentët

Skënderbeu frenon Partizanin në Korçë në një barazim 1-1, mes shumë polemikave dhe grintës sportive. Korçarët marrin pikën e parë të këtij sezoni duke arritur të barazojnë një takim të dominuar nga Partizani, por që nuk arrinin të finalizonin siç duhet në portën korçare. 

Skenderbeu-Partizani5

Nga ana tjetër, Skënderbeu duke parë cilësitë e kundërshtarit i ka kushtuar shumë vëmendje mbrojtjes duke tentuar të godasë me kundërsulme, gjë që duket se ka dhënë rezultat. Ndeshja fillon me dominimin e Partizanit që minutë pas minute fiton terren përpara dhe detyron Skënderbeun të mblidhet në gjysmëfushën e vet. Në harkun e tetë minutave, të kuqtë ndërtojnë sulme të shumta, por “gardhi” korçar është vështirë të depërtohet. Rastin e parë në portën e Skënderbeut e ndërton Musta përmes një goditje dënimi.

Mëngjarashi i Partizanit godet në mënyrë të saktë një goditje dënimi dhe topi shkon në trekëndësh, por për të mohuar festën mendon Rexhepi. Portieri bardhekuq fluturon dhe shmang një gol të sigurt. Partizani është agresiv dhe ka mundësi të mira shënimi me Zhuniorin që në dy raste nuk gjen dot rrugën e rrjetës. Skënderbeu shfaqet vetëm në minutën e 26 të takimit, kur një top i gjatë i Marës gjen saktësisht Mensahun të lirë në zonë, por ky i fundit nuk koordinohet dot dhe çon topin lehtësisht në duart e portierit Hoxha. Partizani vijon presionin, por tentativat nuk kanë saktësinë e duhur dhe mbyllin pjesën e parë me rrjeta të paprekura.

PJESA E DYTË – Edhe fraksioni i dytë nis me të njëjtën tablo si pjesa e parë me Partizanin që menjëherë merr mesin e fushës dhe dikton lojën në Korçë. Në minutën e 52-të ndodh episodi shumë i diskutuar që ngjall protesta dhe polemika. Cara hyn në zonë dhe pasi shmang disa lojtarë të Skënderbeut, rrëzohet. Lata heziton të ndërhyjë dhe pret sinjalizimin nga VAR-i. Pasi analizon me kujdes pamjet filmike vendos për 11-metërsh në favor të Partizanit. Zhuniori ekzekuton saktë nga pika e bardhë dhe çon të kuqtë në avantazh.

Pa kaluar mirë festa e Partizanit, të besuarit e Dajës ndëshkohen nga Skënderbeu. Një top i gjatë në drejtim të zonës së Partizanit bën që Damçevski dhe Hoxha të ngatërrohen për të përfituar. Berisha i cili pasi shmang hoxhën shënon në portën e boshatisur. Partizani mundohet të reagojë dhe Daja hedh në lojë të gjithë ofensivën që ka në dispozicion. Rastet janë të shumta por finalizimi nuk është i saktë. Rexhepi bëhet mbrojtësi i portës korçare në goditjen e Zhuniorit duke i mohuar golin dhe duke i dhënë një pikë me vlerë Skënderbeut.

SKËNDERBEU-PARTIZANI 1-1
57’ Berisha / 56’ (p) Zhunior

MINUTË PAS MINUTE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me barazimin 1-1 mes dy skuadrave.

90’+5’ Harkim perfekt nga e djathta për Stenio Zhunior, sulmuesi gjuan me kokë por jashtë kuadratit.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

83’ Partizani hedh në fushë Filipoviç dhe Markun, duke kërkuar më shuma forcë ofensive në minutat e fundit.

78’ Aksion perfekt i Partizanit me një harkim të Markut në shtyllën e dytë nga e djathta, gjuajtja me kokë e Stenio Zhunior largohet nga Rexhepi.

74’ Kardoso driblon dy kundërshtarë dhe në vijën e zonës së rreptësisë lëshon një gjuajtje të fortë, shumë lart mbi traversë.

73’ Goditje dënimi e ekzekutuar me skemë nga të kuqtë, Zhunior ul topin për Markun i cili gjuan nga pak hapa larg portës, por dërgon sferën jashtë.

71’ E gjithë loja është zhvendosur para zonës së Skënderbeut , i cili mbrohet me forca të shumta.

66’ Lëviz edhe Daja, duke aktivizuar Malën në vend të Muratajt për minutat e mbetura të ndeshjes.

57’ GOOOL Skënderbeu, shënon Elvi Berisha. Skënderbeu nis topin nga qendra me një pasim të gjatë drejt zonës kundërshtare, Damçevski dhe Hoxha nuk kuptohen dhe Elvi Berisha u rrëmben topin duke e dërguar në rrjetë.

56’ GOOOL Partizani, shënon Stenio Zhunior me penallti.

52’ Driblim i Carës në zonë, lojtari i Partizanit rrëzohet pasi shmang dy lojtarë dhe të kuqtë kërkojnë penallti. Gjyqtari heziton fillimisht por më pas thirret në monitor nga salla e VAR-it. Pasi sheh pamjet, gjyqtari Florian Lata akordon penallti.

49’ Edhe pjesa e dytë sjell të njëjtën tablo, me Partizanin që zhvendos lojën menjëherë në gjysmëfushën e vendasve, të cilët i kanë besuar më shumë kundërsulmit në këtë sfidë si armë me të cilën të kërkojnë golin.

46’ Pjesa e dytë e ndeshjes nis me zëvendësim te Skënderbeu, pasi Memelli hedh në fushë Denis Douna, në vend të Vangjelit.

45’+3’ Mbyllet pjesa e parë në barazim pa gola.

45′ Jepen 3 minuta shtesë.

40’ Aksion i Kardoso nga e djathta, sulmuesi pason në qendër për Stenio Zhunior i cili gjuan në ecje e sipër në hyrje të zonës, por përsëri nuk gjen katërkëndorin e portës.

37’ Partizani nis një kundërsulm të shpejtë me dyshen Musta-Stenio Zhunior, ky i fundit provon të gjejë të papërgatitur Rexhepin nga rreth 30 metra por fluturon topin shumë lart mbi traversë.

32’ Goditje dënimi në të djathtë të sulmit për Skënderbeun, por korcarët nuk përfitojnë me harkimin që largohet nga mbrojtja mike, e cila nis një tjetër kundërzbritje.

26’ Mara gjen Mensah në mënyrë perfekte në zonë me një top të gjatë, por sulmuesi nuk koordinohet në momentin e gjuajtjes dhe sfera ndalet në krahët e Hoxhës.

23’ Top i gjatë në zonë për Zhunior, devijimi i sulmuesi përfundon direkt në duart e Rexhepit.

20’ Gjuajtja e Herald Markut nga distanca, sfera kalon jo shumë lart mbi traversë.

18’ Aksion nga e djathta për skuadrën e Partizanit, harkimi në zonë gjen Zhunior i cili pason te Cara, gjuajtja e këtij të fundit përfundon jashtë.

12’ Goditje dënimi e Mustës në kufirin e zonës nga krahu i majtë, harkimi i tij është perfekt, por e tillë është edhe ndërhyrja e portierit Rexhepi i cili largon rrezikun.

8’ Tre tentativa radhazi të futbollistëve të Partizanit me gjuajtje nga jashtë zonës, topi bllokohet në këmbët e mbrojtësve të Skënderbeut.

1’ Nis sfida me shkelmimin e topit nga qendra të ekipit vendas.

0’ Nis ndeshja në Korçë me minutën e heshtjes në nderim të Ylli Mihalit.

FORMACIONET ZYTRARE –

SKËNDERBEU – Rexhepi; Bajrami, Zhan Viktor, Sadriu, Vangjeli; Vrapi, Meksi, Mensah, Vitija; Berisha, Mara. Trajner: Migen Memelli.

PARTIZANI – Alban Hoxha; Musta, Gligorov, Belica, Damçevski, Marku; Murataj, Kaçe, Lukas Kardozo; Cara, Zhunior. Trajner: Ilir Daja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"