VIDEO/ Partizani likuidon Vllazninë, shkodranët shkojnë zyrtarisht në “play-out”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2020 | 0:13

VIDEO/ Partizani likuidon Vllazninë, shkodranët shkojnë zyrtarisht në “play-out”

Partizani-Vllaznia ishte ndeshja e vetme e javës së 35-të të Superiores që mund të vendoste për një fat të këtij sezoni. Në përfundim të 90 minutave të kuqtë fituan 3-0 dhe zyrtarisht Vllaznia do i nënshtrohet ndeshjes “play out” për të siguruar mbijetesën në Superiore. Shkodranët do të presin fituesin e çiftit të Kategorisë së Parë, Besëlidhja-Pogradeci, për të diskutuar në Shkodër qëndrimin në Superiore.Partizani

Të kuqve u mjaftonte edhe një pikë për të evituar të keqen e radhës, por me qetësi dhe maturi të besuarit e trajnerit Kalari arritën të marrin një fitore të pastër në shifrat 3-0. Shkodranëve u duhej vetëm fitorja për të mbajtur gjallë shpresat e daljes nga zona e ftohtë ndaj e nisën vrullshëm. Por pas golit të Solomonit në minutën e 21-të, kuqeblutë u fikën duke dhënë sinjalin se gjithçka mori fund. Në minutën e 43-të Melo dyfishon shifrat, ndërsa Esat Mala vulosi shifrat 3-0 në minutën e 74-t. Të dyja ekipet kishin mangësi në stol dhe për këtë arsye iu dha mundësia që të luajnë edhe lojtarët e rinj.

NDESHJA– Trajneri Kalari i besoi 19-vjeçarit Agim Dajçi në qendër të mbrojtjes si dhe Kodra e nisi sërish si titullar. Vllaznia kishte probleme dhe mangësi dhe në të majtë të mbrojtjes u aktivizua Kruja. Me dëshirën e madhe për fitore, Vllaznia bën presion që në start dhe krijon edhe raste për shënim. Partizani më shumë mendon të mbrohet dhe për 20 minuta i bën ballë ofensivës shkodrane. Në minutën e 21-të me gjuajtjen e parë në portë arrijnë të shënojnë me Solomon. Pas këtij goli ekipet ndërruan role, pasi shkodranët humbasin besimin dhe kthehen prapa.

Për minuta me radhë të kuqtë vetëm qarkullojnë topin në gjysmëfushën e tyre. Me gjuajtjen e dytë në portë dyfishojnë shifrat në 2-0 dhe autor i golit kësaj radhe është braziliani Uilliam Melo. Pjesa e dytë nis me një zëvendësim, ku i pakënaqur me brazilianin Zhunior, trajneri Dedja në vend të tij aktivizon Sehar Bushajn. Në minutën e 49-të Krymi ka një mundësi shënimi, por reagon bukur portieri Hoxha. 15 minutat e para të pjesës së dytë janë sërish të mira për shkodranët, por goli mbetet thjesht iluzion. Pas minutës së 60-të të kuqtë marrin iniciativën në fushë. Më pas vijnë disa zëvendësime, ku te Vllaznia Krymi ia lë vendin Hygorit, por doli pa rezultat. Te Partizani dalin fillimisht Kodra dhe Solomon dhe në fushë hyjnë dy lojtarë që kishin fituar betejën me “COVID-19”, Besnik Ferati dhe Esat Mala, ku ky i fundit arriti të shënojë golin e tretë në minutën e 74-t.Melo Solomon Partizani

Më pas Melo e Adili dalin nga fusha për të evituar kartonin e kuq pas ngacmimeve mes tyre dhe fushë hyjnë Repaj për Vllazninë dhe Llanaj për të kuqtë. Pas këtyre freskimeve Partizani ka dy mundësi shënimi me Llanajn, që nxitoi në finalizim. Në fund te Partizani ka vend edhe për Tedi Carën dhe Gerhad Hasën që bën debutimin në Superiore me “demat”. Partizani me këtë fitore mbyll çdo llogari për këtë sezon duke mbetur edhe jashtë Kupave të Europës, ndërsa ankthi te Vllaznia vijon, pasi do të luajnë finalen e “play out”-it për të siguruar mbijetesën në Superiore.

FT: PARTIZANI-VLLAZNIA 3-0

Solomon 21′, Melo 44′, Mala 74′

KOMENTI LIVE: 

Përfundon takimi! 

90′ Akordohen 3 minuta shtesë.

90′ Partizani kryen 2 zëvendësimet e fundit, largohen Bardhi dhe Telushi në lojë Cara dhe debutuesi Hasa.

85′ Pranë golit të katërt Partizani me Llanajn, por ky i fundit i vetëm brenda zonës së Sherrit, nuk ka arritur të shënojë, topi më pas shkoi te Bardhi i cili nuk përfitoi.

82′ Zëvendësim edhe te Vllaznia, largohet Adili, futet në fushë Rrepaj.

82′ Zëvendësim te Partizani, largohet Melo, vendin e tij e merr Melo.

80′ Mevlan Adili ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar.

74′ GOOOOOL PARTIZANI 3-0/ Të kuqtë i venë “kapakun” sfidës me Esat Malën që i sapo futur në fushë, pas asistit të Bardhit nuk fal brenda zonës. 

66′ Zëvendësim tjetër te Vllaznia, largohe Krymi në fushë Hygor.

66′ Dy zëvendësime te Partizani, largohen Solomon dhe Ferati, në lojë Mala dhe dhe Kodra.

60′ Fantastik Alen Sherri, i cili bën një pritje spektakolare pas gjuajtjes së Melos.

58′ Provon edhe Sidorenko, por gjuajtja e sulmuesit të Vllaznisë ishte qëndrore duke u kontrolluar pa problem nga gardiani i kuq.

57′ Tjetër tentativë e Vllaznisë me Gurishtën nga goditja e dënimit, por gjutjaje e tij pritet me lehtësi nga Hoxha.

49′ Shans i artë për Vllazninë për të rihapur sfidën, por Alban Hoxha, ndal gjithçka, duke mbajtur portën e paprekur.

46′ Starton pjesa e dytë, Vllaznia kryen zëvendësim, largohet Silvio Zhunior, vendin e tij e merr Bushaj.

Përfundon pjesa e parë. 

45′ Akordohen 2 minuta shtesë.

44′ GOOOOOL PARTIZANI 2-0/ Shënojnë sërish kryeqytetasit me anë të brazilianit Melo. Pas tentativës së Brojës, topi i prit nga portieri Sherri dhe shkoi te Melo që nuk fali. 

41′ Traversa i mohon golit Herald Markut. Futbollisti i skuadrës shkodrane lëshon një predhë nga distanca, por topi stampohet në traun e portës së Alban Hoxhës.

33’ Goditje dënimi për Partizanin nga e djathta, Trashi provon me të majtën e tij por topi përfundon jashtë.

30′ Gilman Lika harkon rrezikshëm në zonë, por kontrollon gjithçka portieri Alban Hoxha.

28′ Mundësi e mirë shënimi për Vllazninë me Zogajn, i cili provoi me një gjuajtje, por u ndal nga mbrojtësit e kuq.

25′ Të kuqtë e Kalarit kanë marrë frenat e lojës në dorë dhe qarkullojnë topin, duke mos i lënë hapësira shkodranëve.

21′ GOOOOOL PARTIZANI 1-0/ Zhbllokohet sfida në “Air Albania”, sulmuesi Solomon gjen rrugën e rrjetës pas asistit të Brojës, duke shënuar një gol mjaft të bukur! 

15’ Marku provon nga jashtë zonës, nuk gjen katërkëndorin e Hoxhës.

13′ Minuta mjaft të mira për Vllazninë, e cila ka më tepër inisiativë duke rrezikuar portën e portierit Alban Hoxha.

10′ Sidorenko fiton një fuall në një zonë të përshtatshme pranë zonës, pas ndërhyrjes së Bardhit. Provon Silvio Zhunior me një skemë, por gabon, duke ia dhuruar topin vendasve.

9′ Marku provon me të majtën nga distanca, pas gabimit të Belicës, por gjuajtja e tij shkoi ngjitur me shtyllën e djathtë.

2’ Top i gjatë drejt zonës për Solomon, Sherri kontrollon por përplaset me sulmuesin dhe të dy kërkojnë ndihmën mjekësore.

1′ Ka startuar sfida në “Air Albania”.

FORMACIONET ZYRTARE:

PARTIZANI: Hoxha, Idrizaj, Belica, Dajçi, Trashi, Kodra, Telushi, Broja, Melo, Bardhi, Solomon. Trajner: Renaldo Kalari.

VLLAZNIA: Sherri, Adili, Gurishta, Shehi, Marku, Kruja, Krymi, Lika, Sidorenko, Zogaj, Silvio Zhunior. Trajner: Hysen Dedja.

GJYQTARË: E.Hamiti, D.Rexha, D.Myftari, K.Meta, R.Muska

Delegat: Marjus Sulejmani

Vëzhgues: Sokol Cekaj

116154419_587629078581440_7202648360713140389_n

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"