VIDEO/ “Paqe” në Durrës, Teuta e Vllaznia ndajnë pikët. Shkodranët rezitojnë edhe me 10 vetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2019 | 20:10

VIDEO/ “Paqe” në Durrës, Teuta e Vllaznia ndajnë pikët. Shkodranët rezitojnë edhe me 10 vetë

Teuta dhe Vllaznia u ndanë në një barazim pa gola, në takimin e vlefshëm për javën e katërt të Kategorisë Superiore.

bandicam 2019-09-14 18-00-32-631

Në “Niko Dovana” të Durrësit, ekipi i Shkëmbit që në fillim u duk më kërkues për fitoren, por në fund nuk arriti të marrë më shumë se 1 pikë. Ishte Renato Arapi, ai i cili që në minutën e 7-të pati rastin e artë për të kaluar të tijtë në avantazh, por në një goditje këndi, nuk u koordinua si duhet me këmbë, dhe nga fare pranë portës nuk e shtyu topin në rrjetë.

Vllaznia mbrohej me kalimin e minutave, ndërsa Teuta qarkullonte topin e kërkonte golin e zhbllokimit. Arapi e bëri diçka të tillë në minutën e 43-të, por ishte anësori Avdo që anuloi golin, për një pozicion jashtë loje me të drejtë të kapitenit të durrsakëve.

Fraksioni i dytë nisi si mos më keq për ekipin e Jonuz. Ramadani mori të dytin e verdhë në minutën e 53-të, dhe la të tijtë me një lojtar më pak në fushë. Shkëmbi bëri zëvendësimet duke tentuar me doemos golin e fitores, por pa sukses.

Edhe pse me 10 vetë, shkodranët rrezikuan me Hygor në minutën e 65-të, teksa Frashëri bëri detyrën në të vetmin rast të rrezikshëm që iu paraqit. Deri në fund, nuk pati asnjë gol, dhe Teuta e Vllaznia ndajnë nga një pikë. “Djemtë e Detit” shkojnë në kuotën e 8 pikëve, ndërsa me 5 pikë e sheh veten Vllaznia.

 

 

FT | Teuta-Vllaznia 0-0

KARTON I KUQ:  / Ramadani 53′ (2V)

 

KOMENTI LIVE

Mbyllet takimi. Teuta-Vllaznia 0-0

93’ Goditje këndi për Teutën, të gjithë tek zona e Vllaznisë teksa kërkohet goli i fitores.

90′ 5 minuta shtesë.

85’ Karton i verdhë edhe për Albano Aleksin.

84’ Bardulla në vendin e Shtubinës, ky është ndërrimi i tretë i Jonuz.

74’ Largohet edhe Kalaja te ekipi i Shkëmbit. Lorenco Vila futet në fushë.

70’ Jonuz kryen ndërrimin e dytë. Silvio Zogaj futet në fushë në vendin e Likës.

65’ Fantastik Frashëri. Hygor godet nga hyrja e zonës, por gardiani i durrsakëve devijon dhe çon në goditje këndi.

64’ Largohet nga fusha Uendi Vecaj. Futet Basit Khalid.

59’ Ndëshkohet me karton të verdhë Vecaj për një faull në mesfushë.

58’ Kryen ndërrimin e parë edhe Jonuz. Sinjo largohet nga fusha, futet Ristevski.

54’ Shkëmbi kryen ndërrimin e parë. Avdyli i lë vendin Arbër Çyrbjes.

53’ Karton i kuq për Behar Ramadanin. Për një faull ndaj Vecajt, arbitri Meta e ndëshkon me të verdhin e dytë, dhe Ramadani lë të tijtë me një lojtar më pak.

46’ Nis pjesa e dytë në Durrës. Ekipet në fushë ashtu siç e mbyllën të parën.

Mbyllet pjesa e parë. Teuta-Vllaznia 0-0

45’ 2 minuta shtesë në pjesën e parë.

43’ Nga goditja e dënimit, Avdyli kroson. Topi devijohet nga Vila dhe shkon te Arapi, që e shtyn në fundin e rrjetës, por anësori Rejdi Avdo e anulon për pozicion jashtë loje.

42’ Karton i verdhë për Ramadanin, që ndal Vilën në një aksion të shpejtë.

41’ Nikaç kërcen fort me kokë, dhe tenton portën e Sherrit, por gardiani i vëmendshëm ndal gjithçka.

37’ Todorvski kërcen mbi Shtubinën, dhe dëmtohet numri 10 i shkodranëve, por ngrihet gjithsesi.

30’ Vazhdon të qarkullojë topin Teuta, ndërkohë që Vllaznia pret në gjysmëfushën e saj.

26’ Krosim i lartë nga e majta, në zonë është Nikaç që nuk e kap me kokë, dhe topi shkon te Vecaj. Shkodrani godet me të majtën, por Sherri ndal goditjen, që ishte e lehtë.

23’ Rustem Hoxha shkakton faull për Sinjon e Vllaznisë në të majtë të zonës. Goditje dënimi për ekipin e Jonuz.

19’ Top i gjatë për Shtubinën, por Frashëri i vëmendshëm del dhe largon rrezikun.

14’ Lika nis Gurishtën në të djathtë, mbrojtësi harkon, por devijohet e në vazhdimin e aksionit, miqtë humbasin topin.

11’ Kartoni i parë i verdhë Herald Marku ndëshkohet për një ndërhyrje të gabuar në mesin e fushës ndaj Vilës.

9’ Goditja e parë nga këndi edhe për shkodranët.

7’ Rast fantastik për Arapin. Nga goditja e këndit, Arapi gjendet i vetëm me topin para porte, por nuk e çon dot në fundin e rrjetës.

6’ Avdyli provon nga godtija e dnëimit shumë larg, por topi devijohet dhe vjen goditja e parë nga këndi për vendasit.

4’ Aleksi nis Vilën në krahun e djathtë, por shumë i fortë topi dhe përfundon për kuqeblutë.

1′ Nis takimi në Durrës.

 

FORMACIONET

TEUTA: Frashëri, Todorovski, Hoxha, Arapi, Kuros, Aleksi, Avdyli, Vecaj, Vila, Kalaja, Nikaç. Trajner: Bledi Shkëmbi.

bandicam 2019-09-14 15-23-37-600

VLLAZNIA Sherri, Gurishta, Shehi, Malota, Marku, Hygor, Ramadani, Kruja, Lika, Shtubina, Sinjo.  Trajner: Mirsad Jonuz.

bandicam 2019-09-14 15-24-09-712

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"