VIDEO/ Panik dhe lot, dëmtimi i rëndë i të riut Qefalija solli ndërprerjen e Egnatia-Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2022 | 22:06

VIDEO/ Panik dhe lot, dëmtimi i rëndë i të riut Qefalija solli ndërprerjen e Egnatia-Tirana

Minuta e 33-të e ndeshjes mes Egnatias dhe Tiranës në stadiumin e Rrogozhinës ka sjellë një episod mjaft të rëndë që ka shkaktuar panik në fushën e lojës. Pas një përplasje kokë më kokë mes Hamzat të vendasve dhe Qefalijës të Tiranës, ky i fundit mbeti i shtrirë në tokë.

WhatsApp Image 2022-08-28 at 5.41.58 PM

Shokët e skuadrës shkuan ta ndihmonin dhe u pa menjëherë se situata ishte serioze. Lojtarët e të dy skuadrave bënë shenjë nga ambulanca pasi lojtari ishte i gjakosur dhe një pjesë e futbollistëve ishin të parët që ndihmuan për të nxjerrë barelën nga makina e cila u afrua me shpejtësi.

Për disa çaste kishte ankth dhe një situatë shumë të rënduar pasi lojtarët e Tiranës, sidomos disa prej atyre që kishin qenë pranë lojtarit pas përplasjes, ishin të tronditur dhe të përlotur. Xhixha e Bekaj nuk mbajtën dot lotët, dukshëm të shqetësuar për shokun e skuadrës i cili u largua me ambulancë drejt spitalit të qytetit.

Më pas, delegati i FSHF hyri në fushën e lojës për të marrë vendimin nëse ndeshja do të rifillonte, pasi situata ishte shumë e rënduar dhe sidomos lojtarët bardheblu nuk donin të rifillonin sfidën pa marrë lajme nga shoku i tyre. Pas rreth 10 minutash, erdhi lajmi nga spitali se Qefalija ishte përmendur dhe kjo iu komunikua futbollistëve nga drejtuesit e Tiranës, me lojtarët që pranuan të ktheheshin përsëri në fushë për të vazhduar ndeshjen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"