VIDEO/ Nuk ka fitues në aktin e parë të Kupës së Shqipërisë, Dinamo dhe Partizani bëjnë paqe në “Air Albania”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 23:24

VIDEO/ Nuk ka fitues në aktin e parë të Kupës së Shqipërisë, Dinamo dhe Partizani bëjnë paqe në “Air Albania”

Është mbyllur në barazim 1-1, akti i parë i çerekfinales së Kupës së Shqipërisë mes Dinamos dhe Partizanit! Edhe pse u luajt në një atmosferë të vakët për sa i përket numrit të tifozëve, ku duel prodhoi mjaft emocione, teksa të dyja skuadrat kërkuan me ngulm fitoren, por gjithçka duket se mbeti e hapur për në sfidën e kthimit.

pjimage - 2022-01-27T181034.649

FOTO: F.Hazisllari

Tedi Cara zhbllokoi sfidën në minutën e 24-t, duke përfituar nga një pasiguri e portierit Simoni, ndërkohë që në minutën e 43-të, Ibraimi vendosi baraspeshën nga pika e bardhë e penalltisë.

Në fragmentin e dytë të lojës, Partizani i Mehmetit i shkoi shumë pranë golit të dytë me Malën dhe Koten, por pa sukses. Vlen të theksohet se në sfidën e kthimit, që do të luhet pas 2 javësh, nuk do të ketë vlerë goli në fushën kundërshtare, për shkak të rregullores që është ndryshuar së fundmi në të gjitha kompeticionet.

Nëse keni vështirësi për të parë videot duke u futur nga Facebook, ju lutem lexoni lajmet duke u futur nga faqja e web KËTU ose aplikacioni i Panorama Sport!

FT: DINAMO-PARTIZANI 1-1

Ibraimi 43′ (p) / Cara 24′

KOMENTI LIVE:

Mbyllet ndeshja! 

90+2′ Kristi Kote “flirton” me golin e fitores. Gjuajtja e mesfushorit brenda zonës, shkoi ngjitur me traversën. Të pafat “Demat” në këtë moment.

90′ Akordohen 4 minuta shtesë!

89′ Zëvendësim te Dinamo, largohet kapiteni Ibraimi, vendin e tij e merr sulmuesi Çinedu.

80′ Simoni bën shpëtimtarin, i mohon golin Sherif Kallakut! Fantastik 17 vjeçari me pritjen e tij, duke shlyer kështu gabimin te goli i parë!

78′ Skuka ndëshkohet me karton të verdhë për protesta ndaj gjyqtarit.

72′ Partizani kryen 2 zëvendësime largohen Sota dhe Herald Marku në lojë Kote dhe Andi Hadroj. Ky i fundit bën kështu debutimin me fanellën e kuqe.

70′ Zëvendësim i detyruar te Dinamo, larghet i dëmtuar Maliqi, në vendin e tij Shala!

69′ Tjetër mundësi për Partizanin me Malën, por tentativa e mesfushorit kësaj here ndalet nga Samake, që e devijon në këndore.

64′ Ibraimi provon të surprizojë Alban Hoxhën me një predhë nga jashtë zonës, gardiani i të kuqve, kontrollon me vështirësi.

62′ Trajneri Shkëmbi kryen 2 zëvendësime, largohen Sabjen Lilaj dhe Denison, në lojë Mihana dhe Rexhinaldo.

58′ E pabesueshme çfarë humbet Esat Mala shumë pranë portës. Nuk iu beson syve trajneri Dritan Mehmeti, që priste finalizimin e mesfushorit. Futbollisti i “demave” nuk e merr siç duhej topin fantastik të dhënë nga Albion Marku.

53′ Kundërsulm i rrezikshëm i Partizanit me Skukën, por sulmuesi i të kuqve vonohet më shumë seç duhet duke sfumuar një mundësi të mirë.

50′ Dinamo duket më këmbëngulse në këtë fragment të dytë të lojës. Blutë e Bledi Shkëmbit më të qartë në qarkullimin e topit.

46′ Starton pjesa e dytë! Partizani kryen zëvendësimin e parë, largohet nga fusha Stenio Zhunior, në vendin e tij Dean Liço!

PRONONCIMI: 

AGIM IBRAIMI: Nuk po vuanim, golin e pësuam prej gabimeve individuale. Në pjesën e dytë do të përmirësohemi. E dija që do të hidhej lartë ndaj vendosa ta gjuaja fortë poshtë!

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohet 1 minutë shtesë!

43′ GOOOOL DINAMO 1-1/ Barazohen shifrat, kapiteni Ibraimi nuk fal nga 11-metra, duke e dërguar topin në cepin e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha. 

42′ Penallti për Dinamon! E fiton Patrik Bardhi pas ndërhyrjes së gabuar të Bitrit. Për gjyqtarin Bajramaj nuk ka dyshime, 11-metërsh për blutë!

40′ Sabjen Lilaj nis një top të bukur për brazilianin Denison, por vendimtare ndërhyrja e Albion Markut, që largon rrezikun nga zona.

37′ Herald Marku kroson në zonës, topi shkon drejt e në duart e Simonit. Minuta më të mira për Partizanin, pas golit të shënuar nga Cara.

34′ Mundësi e mirë për Partizanin, pas shpërthimit të Albion Markut nga e djathta, futbollisti i kuq futet bukur në zonë, por gabon në pasin e fundit, duke i dhuruar topin Sofranacit.

32′ Sabjen Lilaj është i ndëshkuari i radhës te Dinamo, pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Esat Malës në mesin e fushës.

30′ Patrik Bardhi depërton bukur nga e djathta, provon të hedhë një top në zonë, por aty nuk ndodhet askush. Kontrollon pa probleme Alban Hoxha.

24′ GOOOOL PARTIZANI 0-1/ Zhbllokohet derbi! Tedi Cara gjen rrugën e rrjetës, pas një pasigurie të Simonit, i cili nuk kontrolloi siç duhej një gjuajtje të Herald Markut nga distanca e konsiderueshme, përfiton aty Cara që kalon në avantazh “demat e kuq”. Pavarësisht përpjekjeve të Sofranac, mbrojtësi nuk arrin ta largojë sferën nga vija fatale! 

23′ Sidibe është futbollisti i parë i sfidës i ndëshkuar me karton të verdhë, pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Kallakut në mesfushë.

20′ Denison provon të shpërthejë nga e majta, por mbyll mirë Albion Marku.

17′ Ende asnjë gjuajtje e rrezikshme në portat respektive! Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, mungojnë rastet flagrante në katërkëndorët e Simonit dhe Hoxhës.

13′ Dinamo fiton një tjetër goditje nga këndi, pas devijimit të Bitrit. Denison e nis shkurt për Sabjen Lilajn, ky i fundit hedh një top te pika e penalltisë, aty ku Sidibe gjuan me kokë, por finalizimi nuk ishte i duhuri.

10′ Kundërpërgjigjet edhe Partizani me Skukën! Sulmuesi kërkon golin e ishit, teksa me një gjuajtje të rrezikshme me kokë brenda zonës, pas harkimit të Herald Markut, e dërgoi sferën ngjitur me traversën e Simonit. Moment i mirë për Partizanin.

6′ Tjetër kërcënim i Dinamos me kapitenin Ibraimi që hedh një top drejt zonës, grushton në vështirësi Alban Hoxha.

5′ Maliqi harkon një top të rrezikshëm nga e djathta drejt zonës, por Belica bën më të sigurtën duke e larguar rrezikun në këndore.

2′ Dinamo e nis në sulm këtë përballje, teksa Partizani përpiqet të ushtrojë presion në mesfushë, për të mos lënë blutë që të organizohen.

1′ Starton akti i parë i derbit të kryeqytetit në “Air Albania”.

FORMACIONET ZYRTARE:

DINAMO: Simoni, Denison, Demiri, Ibraimi, Bardhi, Sofanak, Samake, Sidibe, Maliqi, Sijanovski, Lilaj
Trajner: Bledi Shkëmbi

PARTIZANI: Hoxha, Belica, A. Marku, H. Marku, Skuka, Kallaku, Stenio Zhunior, Mala, Cara, Sota, Bitri Trajner: Dritan Mehmeti

GJYQTAR: Kreshnik Bajramaj (Tiranë).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"